Ligji për Gjykatën Speciale në duart e Listës Serbe?

Ndërkohë që pritet të fillojnë akuzat e para, Shoqata “Familja dhe Shpresa” i ka kërkuar Qeverisë Haradinaj, po ashtu edhe opozitës, që në këtë legjislaturë ta bëjnë plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ata kërkojnë që të gjykohen edhe serbët që kanë kryer krime në Kosovë, shkruan Gazeta e Re.

Ligji për Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar me rreth 50 faqe, ishte negociuar mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ndërsa u bazua në Raportin e senatorit Dick Marty. Ky i fundit kishte ngritur dyshime se ish-luftëtarët e UÇK-së kishin kryer krime lufte ku përfshiheshin vrasjet, rrëmbimet, përdhunim seksuale etj. Në bazë të këtij raporti, u themelua Gjykata Speciale në Hagë, për krimet e kryera midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 në Kosovë.

Sipas BE-së dhe SHBA-së, kjo gjykatë është e domosdoshme ngaqë sistemi gjyqësor në Kosovë nuk është në gjendje t’i ndjekë ish-personalitet e larta të UÇK-së. E në këtë rast, vlen të theksohet që asnjë nga gjykatësit apo prokurorët të angazhuar në këtë gjykatë nuk janë nga Kosova.
Miratimit të këtij projekt-ligji në Parlamentin e Kosovës i kishin paraprirë protesta dhe kundërshtime të fuqishme nga opozita. Pas tetë orësh diskutime të ashpra mes deputetëve, me 3 gusht të vitit 2015, me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim ishin miratuar ndryshimet kushtetuese që i hapnin udhën formimit të Gjykatës Speciale.

Ka pasur të atillë që kanë cilësuar se kjo gjykatë është selektive, duke qenë se në fokus ka hetimet ndaj shqiptarëve për krime lufte. Ndër ta, është edhe Shoqatës “Familja dhe Shpresa”, e cila kërkesën për të plotësuar Ligjin për Gjykatën Speciale e ka dërguar edhe deri te Shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Ka një vit që ata kërkojnë që ligji të plotësohet në atë mënyrë që të gjykohen edhe Serbia dhe përgjegjësit serbë për krimet ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Por, pavarësisht takimeve me përfaqësues të pothuajse të gjitha partive politike shqiptare të Kosovës, kërkesa e tyre nuk u bë pjesë e rendit të ditës në kuvend sepse nuk gjeti përkrahjen e të gjitha partive shqiptare parlamentare.

Kërkesa e fundit iu parashtrua kryeministrit të ri Ramush Haradinajt. Në një prononcim për Gazeta e Re, përfaqësuesja e shoqatës, Zana Bytyqi thotë se nuk e shohin problematike ndryshimin e Ligjit për Specialen, as tash kur Lista Serbe pritet të ketë rol më të madh vendimmarrës në legjislativ.

“Plotësimi i këtij ligji selektiv nuk është në duart e Listës Serbe por është krejtësisht në duart e partive politike shqiptare dhe deputetëve të tyre: PDK, AAK,AKR, NISMA, VV, LDK dhe Alternativa. Ajo çka na intereson është se pa marrë parasysh se kush e bënë propozimin e plotësimit të këtij ligji, edhe të tjerat parti, pra deputetët e tjerë duhet që ta përkrahin dhe të votojnë në favor të plotësimit të tij. Të gjitha partitë shqiptare kanë qëndrim kritik ndaj formës aktuale të ligjit në fjalë dhe ato pajtohen se ai është selektiv dhe i padrejtë. Prandaj nisur nga kjo, që të gjitha partitë shqiptare duhet që të bëhen bashkë e mos të ngurrojnë për plotësimin e tij. Asnjë arsyetim i tyre nuk vlen. Asnjë frikë e tyre nga presionet e perëndimorëve nuk vlen. Kriminelët serbë dhe përgjegjësit e tjerë duhet që të ndëshkohen në këtë gjykatë dhe kjo ndodhet në duart e partive politike shqiptare në pushtet dhe opozitë dhe askujt tjetër. Zëri duhet ngritur dhe nuk duhet ndërprerë deri në plotësimin e këtij ligji të mangët i cili në formën aktuale amniston kriminelët serbë dhe Serbinë për krimet e luftës ndaj civilëve shqiptarë”, thotë Bytyqi.

Për Gazeta e Re, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka konfirmuar se ajo dhe partia e saj janë të gatshme për ta mbështetur iniciativën për plotësimin e ligjit.

“Natyrisht që LDK-ja do ta mbështes një amandament të tillë pa diskutim, sepse që në fillim ka pasur ndoshta pakënaqësi dhe ka pas diskrepancë rreth kësaj gjykate. Vërtetë është një e padrejtë shumë e madhe që të ndahen krimet e luftës vetëm me një komunitet siç është në këtë radhë vetëm për shqiptarët . Prandaj, po gjithçka çka është për të zbardhur krimet që janë bërë në Kosovë natyrisht që unë do të jem pro”, është shprehur Gaxherri.

Gazeta e Re ka kërkuar përgjigje edhe nga Vetëvendosje nëse do ta përkrahin një iniciativë të tillë, por ata nuk i janë përgjigjur interesimit tonë.

Edhe Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se do ta mbështesin një iniciativën për plotësimin e ligjit. “Ne kemi kërkuar nga qeveritë e kaluar dhe do të kërkojmë nga Qeveria Haradinaj që Gjykata Speciale të merret edhe me krimet serbe që janë bërë në Kosove, jo të jetë gjykatë e njëanshme”, thekson Gucati.

Por, a mundet të ndryshohet apo plotësohet në fakt një ligj i tillë? Sipas, avokatit ndërkombëtar Gregor Guy Smith, pati deklaruar se një gjë e tillë është e mundshme nëse ka ekspert të mirë.

Kujtojmë që Gjykata Speciale do të ndodhet në Kosovë, por selinë do ta ketë në Hagë të Holandës, aty ku edhe do të ruhen dëshmitë. Ndërkohë, është paralajmëruar që akuzat e para do të fillojnë këtë vit. /Arbenita Bungu/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet