Ligji për Gjykatën Komerciale gati për t’u dërguar në Kuvend, njohësit e ekonomisë e kundërshtojnë

Një gjykatë e re pritet t’i shtohet Kosovës. Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se janë në fazën përfundimtare të ligjit për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi tha për gazetën Objektiv se themelimi i kësaj gjykate është domosdoshmëri për zhvillim ekonomik.

 “Brenda Ministrisë së Drejtësisë jemi në fazën finale, do të thotë janë konsultimet finale që janë duke u zhvilluar edhe konsideroj që shumë shpejt do t’i përcillet qeverisë dhe më tutje Kuvendit të Kosovës për aprovim”, tha Dushi. 

Por si të panevojshme themelimin e kësaj gjykatë po e sheh ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Sipas tij, Kosova është shndërruar në një hapësirë eksperimentale.

Gërxhaliu mendon se më mirë do të ishte të themelohej një arbitrazh nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e amerikane.

 “Unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj ambasadën amerikane edhe gjermane që në të kaluarën na kanë mbështet që të themelohet arbitrazhi në kuadër të dy odave ekonomike, odës ekonomike të Kosovës dhe asaj amerikane, rezultatet në veçanti në odën ekonomike kanë qenë impozante ku ka pas shumë raste të cilat janë zgjidhur me një gjuhë të përbashkët të cilin vendim e kanë pranuar gjykatat vendore dhe mos harroni që Gjykata e Arbitrazhit ka traditë qindra vjeçare është në Itali është në Austri, është në Gjermani”, theksoi Gërxhaliu. 

Megjithatë Oda Ekonomikë e Kosovës e ka mirëprit themelimin e gjykatës në fjalë.

Në një përgjigje me shkrim për Objektiv nga OEK thonë se të gjitha rekomandimet e komunitetit të biznesit në vend dhe të investitorëve potencial e favorizojnë krijimin e Gjykatës Komerciale.

“Oda Ekonomike e Kosovës mirëpret iniciativën Ministrisë së Drejtësisë, të përkrahur nga USAID, për përgatitjen e bazës ligjore që mundëson krijimin e Gjykatës Komerciale. Gjykata Komerciale mund të jetë një nga shtyllat kryesore të garantimit të sigurisë juridike për bizneset vendore dhe investitorët e huaj. Besojmë se krijimi i kësaj Gjykate do të adresojë brengën serioze të bizneseve vendore dhe investitorëve të huaj që vie sot nga mungesa e sigurisë juridike për shkak të mos funksionimit efikas të sistemit gjyqësor”, thuhet në përgjigjen me shkrim të OEK-ut.

Sipas OEK, Gjykata Komerciale rrit sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet