‘Licencimi për Dardafon kurdisje për kontratën me Z-Mobile’

Për më shumë se dy orë sot është intervistuar edhe ish-kryetari i Bordit të ART-së nga deputetët anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.

Kryesuesi i Komisionit Visar Ymeri dhe anëtarja Blerta Deliu Kodra e kanë pyetur Berishën lidhur me procesin e licencimit të operatorit të dytë në atë kohë nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit (ART) si dhe për licencimin e MVNO-ve (operatorëve virtual).

Por, që në fillim Berisha rezistoi të përgjigjet për procesin e tenderimit të operatorit të dytë të telefonisë mobile, që sipas tij nuk ndërlidhen me ftesën për dëshmi në këtë Komision.

Deliu, Berisha, Ymeri: Procesi i tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile

“Është një kohë e gjatë dhe natyrisht unë jam e vetëdijshme se ndoshta nuk i keni dokumentet dhe nuk i keni të gjitha informatat për shkak të korrektësisë lidhur me kohën kur ju keni shërbyer si udhëheqës i ART-së, pra fjala është për operatorin e dytë të cilin pyeti edhe(deputeti Ymeri). Berisha: A bënë një ndërhyrje, a është kjo temë në të drejtën e juaj me dal jashtë temës për çka jam ftuar. Ymeri: Nuk është jashtë temës, ne jemi duke hetuar gjendjen në Telekom në përgjithësi dhe është e ndërlidhur me atë. Berisha: Jo nuk mund të jetë, nëse unë kam ftesën për Z-mobile dhe Telekom, ju nuk mund të më pyetni për asnjë temë që ka të bëjë me raportet që unë i kam dorëzuar… Unë nuk mundem 50 vjet sa strukturë e re parlamentare të vjen me ia përsëritë ngjarjen që ka ndodhur para dhjetë vjetëve. Ymeri: Ne nuk e kemi vetëm Z-mobile duke hetuar, ne jemi duke hetuar gjendjen në Telekom. Berisha: Nuk mund të hetoni gjendjen të cilën është hetuar. Ymeri: Prania e IPKO-s në treg po ashtu ka ndikuar gjendjen në Telekom”.

Sërish deputetja Deliu – Kodra tha se operatori Vodafon është tërhequr për investime në Kosovë për shkak të parregullsive dhe mungesës së transparencës nga ART në atë kohë.

Berisha që një herësh është edhe zëvendësministër i MPJ-së është përgjigjur duke thënë se me këto pyetje po tentohet të bëhet debat politik.

Deliu – Berishës: Sipas Vodafonit, ka pasur shkelje në tenderin për operator të dytë

“Vodafon në sqarimin e saj, e thotë që një proces i tillë në Maqedoni ka pasur një transparencë të plotë, përderisa ka akuza lidhur me procesin që është zhvilluar në Kosovë, sipas Vodafonit, ka pasur një mungesë të plotë të transparencës. Andaj, ne kemi objekt trajtimi këtë kompani dhe mendoj që është me interes për opinionin të ketë informacione lidhur me këtë çështje. Berisha: Të gjitha i keni në raport, por meqenëse po dëshironi me shndërrua në debat politik, këtu jam. Asnjë raport i Brukselit(KE) nuk ka konstatuar që procesi ka qenë jo transparent”, i është përgjigjur Berisha deputetes Kodra-Deliu.

Edhe kryesuesi i Komisionit Visar Ymeri kërkoi shpjegime për 16 milionë euro, tarifë kjo e caktuar nga ART në atë kohë për licencim si garanci bankare.

Ish drejtuesi i ART-së Berisha nuk ka dhënë përgjigje duke thënë se nuk ka informata të sakta, por që janë të gjitha në raport vjetor.

Derisa ka folur Berisha për procesin e licencimit të MVNO-ve theksoi se hapja e tregut të telekomunikimeve ka qenë synim që prej kur është themeluar, dhe ka nënshkruar personalisht licencën për MVNO, në këtë rast për operatorin ‘Dardafon” L.L.C dhe “D3”, ndërsa mohoi akuzat se mund të jetë i ndërlidhur për përfitime nga ky proces i licencimit.

Berisha: Nuk kam asnjë raport me PTK-në, as me Z-Mobile dhe as me IPKO

“Vullneti im personalisht ka qenë hapja e tregut jo përcaktimi I fituesit. Pra hapja e tregut dhe investimet. Të gjitha këto kanë ndodhur dhe të gjithë kritikuesit që kanë bërë kritika poshtë e lartë pastaj kanë bashkëpunuar me këto kompani, kanë përfituar. Meqenëse po e personalizoni, unë nuk kam asnjë raport as me PTK-në, as me Z-mobile, as me IPKO. As një një njeri të familjes nuk e kam të punësuar, as vet s’jam punësuar dhe nuk kam pasur asnjë raport. Ajo për Vodafon është përrallë, ata kurrë s’kanë aplikuar”, tha Berisha.

Edhe deputeti nga LDK Armend Zemaj duke i prezantuar dokumente zyrtare me datat dhe vitin e licencimit për 15 vjet të MVNO “Dardafon” L.L. C, konsideron se kjo licencë ka qenë kurdisje për kontratën e Z -Mobile me PTK-në.

Zemaj: Në bazë të disa dokumenteve, MVNO është kurdisur nga një grup individësh

“Më 27 maj, tash po t’i lexoj edhe një herë datat, pra është dërguar letra për shprehje të interesit tek ju, më 3 tetor është hapur shprehja e interesit nga Telekomi, më 17 dhjetor kanë aplikuar për licencë, më 29 maj ju I keni thyer përgjigje se i plotësojnë kushtet, më 12 qershor e keni miratuar, ndërsa menjëherë qershor-korrik është vetëm një muaj, ku është nënshkruar para marrëveshja nga Adnan Merovci, dhe pas tij, menjëherë është nënshkruar marrëveshja finale nga Shyqeri Haxha. A mund të na jepni një përgjigje që shpreh qoftë dyshime apo opinione se kjo diçka ka qenë e përgatitur, e kurdisur që kjo me MVNO të hyjë në treg nga ky grup individësh vetëm për të përfituar, jo për të përfituar qytetari I Kosovës”, deklaroi Zemaj.

Deputeti Zemaj po ashtu iu drejtua Berishës se në një kohë ka pasur sulme dhe kërcënime serioze, ish diplomati Berisha pranoi se për një kohë të shkurt është pajisur me licencë Dardafon-in, por jo për të dëmtuar interesin e përgjithshëm.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet