Libi, gjendet një varr tjetër masiv në qytetin Tarhuna

Që nga 5 qershori, kur qytetin u pastrua nga milicët e Haftarit, në Tarhuna janë gjetur gjithsej 27 varre masive, njoftoi një zyrtar i qeverisë libiane

Një varr tjetër masiv është gjetur në qytetin libian Tarhuna, të cilin ushtria libiane muaj më parë e çliroi nga milicitë e liderit të forcave të paligjshme të armatosura në lindje të vendit, Khalifa Haftar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Abdulaziz Jafari, përgjegjës për media i Autoritetit të Kërkimit dhe Zbulimit të Personave të Zhdukur pranë të Qeverisë së Libisë, deklaroi se autoritetet gjetën një varr të ri masiv në Tarhuna.

Jafari deklaroi se ekipet aktualisht po përpiqen të nxjerrin trupat nga varri dhe se numri i trupave në varrin masiv nuk është përcaktuar ende.

Duke vënë në dukje se janë gjetur varre masive në Tarhuna që nga 5 qershori, kur forcat qeveritare e morën kontrollin mbi qytetin, Jafari njoftoi se deri më tani janë gjetur gjithsej 27 varre masive.

Ndryshe, si pjesë e operacionit “Stuhia e Paqes” të filluar më 25 mars, ushtria libiane fitoi kontrollin mbi të gjithë kufijtë administrativë të kryeqytetit Tripoli më 3 qershor dhe qytetit Tarhuna më 5 qershor.

Pas çlirimit të Tarhunas, të cilin milicët e Haftarit e përdorën si qendër operacionesh dhe furnizimi gjatë sulmeve 14-mujore ndaj Tripolit, autoritetet libiane kanë njoftuar se 90 kufoma dhe mbetje kufomash janë gjetur në varret masive të gjetura deri më tani në qytet dhe rreth tij.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) më 22 qershor deklaroi se në Zyrën e Kryeprokurorit të kësaj gjykate kanë arritur informacione të besueshme mbi praninë e varreve masive.

Milicët pro-Haftar “Kaniyat” akuzohen për ekzekutime jashtëgjyqësore të civilëve dhe fiseve disidente që ata i konsideronin si rivale gjatë periudhës së kontrollimit të qytetit.

Kategoritë
BotaLajme