Liberalizimi mund të ndodhte shumë më parë

Artikuj të shumtë kanë vërshuar nëpër mediat kosovare, pasi Komisioni Evropian dje publikoi rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Qytetarët me ankth janë duke e pritur “stacionin” e fundit, siç u tha, për të dalë nga getoizimi disa dekadësh. Fati i tyre ka mbetur në duart e Parlamentit Evropian, përkatësisht Këshillit të Ministrave, institucione këto që mund ta dhënë lejen përfundimtare për të dalë nga “burgu”. Por i tërë ky sukses mund të ndodhte shumë më parë, thonë analistët, duke ua hedhur fajin politikanëve për vonesat e mëdha në këtë proces të stërzgjatur – shkruan Gazeta e Re.

E mërkura që iku, qe një ditë e mbarë. Komisioni Evropian (KE), publikoi rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Komisioni përmes këtij rekomandimi ka konfirmuar përmbushjen e dy kritereve të fundit përgjatë këtij procesi, që janë ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dimitris Avramopo, Komisionar për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi në Bashkimin Evropian, ka qenë ai që e ka dhënë sihariqin për kosovarët duke thënë se ata e kanë plotësuar edhe kriterin e 95-të, si kusht për heqjen e vizave. Siç transmetuan mediat vendore, krerët më të lartë të Republikës së Kosovës, këtë e cilësuan si hap historik.

Por a janë këta të fundit meritorë për këtë arritje?

Analisti Suad Jetullahi mendon që ata janë fajtorët kryesorë se pse kosovarët janë të fundit që po e largojnë regjimin e vizave.

<<Në fakt, ata jo që nuk janë meritorë, por mbi supet e tyre rëndon tërë faji që qytetarët e Kosovës jetojnë në getoizim tash e sa vite. Prandaj, nëse dikush duhet fajësuar pse ende nuk kemi liberalizim të vizave, ata janë pikërisht politikanët tanë. Kjo ngase ishin ata që me veprimet e tyre destruktive vonuan këtë proces. Kujtojmë që një nga kushtet e vendosura nga faktori ndërkombëtar për liberalizimin e vizave ishte lufta kundër korrupsionit, që është detyrë e klasës politike (në pushtet), por që këta të fundit nuk kanë bërë pothuajse asgjë në këtë drejtim, ose në rastin më të mirë, veprimet e tyre kanë qenë vetëm sa për të rënë në sy të ndërkombëtarëve. Si përfundim, mendoj që ky proces është stërzgjatur pa nevojë si pasojë e moskokëçarjes së faktorit politik vendor, por edhe atij ndërkombëtar. Në ndërkohë që pasojat i vuajnë qytetarët e vendit, për të cilët liria e lëvizjes ende mbetet si një mit>> – ka thënë Jetullahi për Gazeta e Re.

Por dje, krahas delegacionit të përbërë nga kryeministri dhe disa ministra të cilët shkuan në Bruksel për të pritur lajmin për rekomandim të vizave nga Komisioni Evropian, që më vonë rezultoi të ishte pozitiv, udhëtoi edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ky i fundit pati rast të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Sidoqoftë, takimi ndërmjet presidentëve doli të mos ishte i frytshëm.

Analisti Florim Zeqa për Gazeta e Re e komentoi takimin duke thënë se Dimitris Avramopoulos me lajmin për rekomandim të liberalizimit të vizave, e nxori Thaçin nga stresi dhe pozita e rëndë pas takimit me Vuçiqin. Në fakt, sipas Zeqës, ky lajm i kamufluar, gati u pranua njëzëri nga qytetarët e lodhur për shkak të denigrimit social dhe varfërisë ekstreme. Njëherësh ai shprehu skepticizmin e tij për sa i përket heqjes së plotë të regjimit të  vizave, sidomos pa e plotësuar kushtin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

<<Mbetët i pajustifikueshëm fakti i fshehjes së lajmit më të rëndësishëm të ditës së Mërkurë 18 KORRIK 2018-të!. Askush nga gazetarët shqiptar nuk e pyeti presidentin Thaçi për “takimin e shkurtër, por të rënd”, nga mimika e të cilit u vërejt tronditja që kishte pësuar nga takimi me Vuçiqin. Kur lajmi i “mirë” e pason lajmin e keq, është sinjal alarmues për vendin. Lajmi i parë, i keq për Kosovën erdhi nga presidenti i trishtuar Hashim Thaçi; “Ishte ky takimi më i shkurtër dhe më i rënd përgjatë këtyre gjasht viteve të negociatave me Serbinë!!! I menjëhershëm na doli lajmi i “mirë”, sa befasues po aq i papritur i Komisionit Evropian, kinse Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizim të vizave! Çmimin e rekomandimit të Komisionit Evropian, Kosova e vogël e pagoi shumë shtrenjtë, madje edhe më shtrenjtë se që është pritur. Përveç faljes së 8200 hektarëve tokë Malit të Zi, siç duket Serbia nuk u mjaftua vetëm me veriun e vendit, të dhënë dhuratë nga Thaçi me 19 Prill 2013 dhe Isa Mustafa me 25 Gusht 2015 në Bruksel,…të miratuar dhe legjitimuar nga deputetët shqiptar në Kuvendin e Kosovës!>>

Zeqa vijon duke thënë se qytetarët duhet të kërkojnë sqarime nga presidenti, për këtë takim të shkurtër, që sipas tij, mund të ketë qenë tejet dramatik:

<<Andaj, në këtë rast, duhet kërkuar llogari nga presidenti Thaçi, që të zbërthej dhe sqaroj për opinionin publik kosovar, çfarë në të vërtetë përmban “takimi më i shkurtër dhe më i rënd përgjatë këtyre gjashtë viteve të negociatave me Serbinë”. Kjo është esenca e problemit me të cilin duhet të merren sot kosovarët, e jo të llogaritin në afatet kohore për largim nga vendi i tyre. Ngase më i rëndësishëm se liberalizimi i vizave, është ekzistenca e shtetit, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë. Me ose pa liberalizim të vizave, përsëri do të udhëtojnë ata që kanë para, ndërsa qytetarët e varfër do të përballen me kafshatën e gojës dhe “botën e vogël” që i rrethon! Liberalizimi i vizave pa sundim të ligjit dhe pa asnjë perspektivë zhvillimore, mund të jetë fatale për të ardhmen e vendit tonë. Qytetarët, paraprakisht largimit nga Kosova, duhet ta ndëshkojnë këtë klasë politike që ua bëri jetën ferr! Sikur të kishim një klasë politike të përgjegjshme, paraprakisht liberalizimit do të kishim zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët, atëherë lëvizjen e lirë do ta kishim përjetuar si diçka normale e jo si çështje ekzistenciale!>>

Po të bredhësh nëpër rrjetet sociale, të krijohet përshtypja se qytetarët janë të mllefosur për shkak të vonesave të mëdha në këtë proces. Pra imazhi i krerëve institucional në perceptimin publik, nuk ka ndryshuar as pas marrjes së lajmit të mirë për rekomandimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Për më shumë, atyre nuk u atribuohet fare  ky sukses. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet