Lëvizja e kufijve në Ballkan, ide e gabuar që çon drejt një rreziku të pashmangshëm

Ndërkohë që Parlamenti i Republikës së Kosovës, është duke bërë përpjekje që t’u vendosë vija të kuqe negociatorëve kosovarë për sa i përket çështjes së vijës kufitare me Serbinë, njohës të zhvillimeve brenda dhe jashtë vendit, po thonë se pikërisht akti final i realizimit të këtyre “ideve të rrezikshme” është duke u avitur – shkruan Gazeta e Re.

Në njërën anë David Hale, Nënsekretar Amerikan për Çështje Politike, thotë se nuk ka recetë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në anën tjetër shtyhen përpara idetë e ashtuquajtura “të rrezikshme” të ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E përditshmja serbe Danas ka realizuar një intervistë me Hale, ku ndër të tjera ai shprehet se marrëveshja, cilado që të jetë ajo, duhet të jetë e pranueshme nga të dy palët. Për më shumë, ajo duhet “ t’i kontribuojë një stabiliteti afatgjatë në tërë rajonin. Vetëm Beogradi dhe Prishtina mund të arrijnë këtë përmes bisedimeve të drejtpërdrejta, të domosdoshme për ta arritur zgjidhjen. Nuk është në dorën e Shteteve të Bashkuara – e as në dorën e asnjë tjetri pasi veç po flasim për këtë – që të diktojë rezultatin final.”

Zyrtari amerikan ka sugjeruar që është më se e nevojshme që procesi i ndërprerë, të vazhdojë aty ku kanë ngecur, nën ndërmjetësimin e BE-së, sepse për këtë e kanë edhe “mbështetjen tonë të plotë”.

Nga ana tjetër, politikani i njohur gjerman Christian Schwarz, i ka cilësuar ide të rrezikshme variantet e marrëveshjes që përfshijnë ndryshim, shkëmbim, apo lëvizje kufijsh.

“Në gusht të vitit të kaluar, dy ish-kolegët e mi, Paddy Ashdawn dhe Carl Bildt, Përfaqësues të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe unë i dërguan një “Letër e hapur” ministres së Jashtme të BE-së, zonjës Mogherini, ku paralajmëronim që të mos hapej Kutia e Pandorës me shkëmbime territoresh. Sepse kjo do të ndihmonte faktorin separatisto-nacionalist – jo vetëm në rajon, në Bosnje-Hercegovinë, por edhe në shumë vende të tjera. Do të hapte rrugë për trazira edhe më të mëdha që rrallë përfundojnë pa luftë” – është përgjigjur ai në një intervistë, duke vijuar se:

“Këtu nuk është fjala vetëm për ëndrrën e Serbisë së Madhe, që i çoi në luftë në fillim të viteve 1990, por, siç  mora vesh në janar të këtij viti nga një bisedë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ka edhe një bashkim të mundshëm të Shqipërisë me Kosovën – një ide që nuk është braktisur kurrë. Ai më tha në këtë bisedë se ai e vlerësonte shumë vendosmërinë e Angela Merkel-it dhe të politikës së Gjermanisë në lidhje me ndryshimin e kufijve. Megjithatë ai kishte frikë se çlirimi përfundimtar i Kosovës nga prangat e Serbisë do të zgjaste shumë ose nuk do të ndodhte kurrë dhe se prandaj ai shihte një mundësi konkrete te bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Është shumë befasuese që politikanët e BE-së në Bruksel, të cilët e kanë hedhur poshtë rreptësisht politikën e ndryshimit të kufijve, nuk e shohin më këtë rrezik sot dhe tani, krejt papritur, e konsiderojnë atë plotësisht të mundshme. Cilat janë arsyet?”

Prapa këtyre projekteve, sipas tij, qëndron SHBA, e cila i ka motivuar liderët ballkanik që të guxojnë e të bëjnë akrobacione të tilla që mund të rezultojnë si shumë të rrezikshme.

Milo Gjukanoviq, President i Malit të Zi, pas një takimi që e realizoi  me Sekretarin e Përgjithshëm të NATOS Jens Stltenberg, tha ndër të tjera se edhe ata si fqinj të Kosovës, përkatësisht Serbisë, janë të interesuar që këto dy të fundit, të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, në mënyrë që të mbyllet një plagë e hapur me shekuj.

“Si fqinjë i përgjegjshëm dhe shumë i interesuar, punojmë në gjetjen e një epilogu pozitiv të këtij dialogu” – ka thënë ai, duke shtuar se me angazhimin e BE-së dhe faktorëve të tjerë relevant politik, nga skena perëndimore, do të arrihet të finalizohet një proces i tillë kaq i ndjeshëm për tërë rajonin.

E befasishme, ndërkaq, ka tingëlluar një deklaratë e Daniel Serwer, ish-Zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili ka thënë se administrata Trump, e ka ndryshuar raportin ndaj Kosovës, duke e favorizuar Serbinë, më shumë se sa ç’kishin bërë administratat paraardhëse. Ai iu ka referuar konkretisht John Bollton-it, Këshilltar i Presidentit Trump për Siguri Kombëtare, i cili njihet si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës.

“John Bolton ka qenë kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, dhe do të ishte i kënaqur të shkatërronte atë që ka arritur Bill Clinton, përkatësisht kjo Kosovë e cila është tash. Pra kur Bolton tha se do të pranonte edhe  idenë e ndarjes, nëse Thaçi dhe Vuçiq pajtohen, presidenti Thaçi u shqetësua sepse një marrëveshje e tillë do të përfundonte me një propozim të njëanshëm: veriu i Kosovës do t’i bashkohej Serbisë, pa asnjë përfitim për shqiptarët” – citohet të ketë thënë Serwer.

Kjo periudhë, e ngjeshur me procese e aktivitete politike, edhe nga analistët vendorë po cilësohet si e tensionuar dhe me shumë barriera në rrafshin politik. Sfida e institucioneve të Kosovës, prandaj, do të jetë ruajtja e integritetit dhe sovranitetit të shtetit. Çdo hap i gabueshëm në këtë aspekt, do ta rikthente vendin prapa, madje përpara vitit 2008, kur edhe de jure u arrit kjo copë pavarësi – thonë ata. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet