Legjislatura e re me deputetë që e flasin gjuhën e rrugaçëve

Mos-themelimi i institucioneve u bë temë diskutimi për disa muaj. Pas konstituimit, u thirr seanca e parë e jashtëzakonshme e cila u mbajt dje me kërkesë të opozitës, mirëpo u ndërpre pa përfunduar punimet e saj. Ajo çka mori gjithë vëmendjen e kësaj seance ishte gjuha banale e përdorur nga i vetmi deputet i pozitës që qe i pranishëm në seancë Milaim Zeka. Kjo u bë shkak edhe i largimit të tij nga kjo seancë- shkruan Gazeta e Re.

Përdorimi i gjuhës vulgare është shtuar shumë gjatë legjislaturës së fundit, mirëpo nuk po përjashtohet mundësia që kjo gjuhë të mbetet po kaq e “pasur” edhe në këtë legjislaturë. Si shkak për këtë po konsiderohet të jetë mungesa e argumenteve të ndërsjella në debate dhe personalizimin e tyre.

Rrahman Paqarizi, profesor i gazetarisë dhe njohës i çështjeve politike në vend thotë për Gazetën e Re se deputetët duhet të jenë të kujdesshëm me leksikun por edhe me diskursin përgjithësisht pasi një diskurs i vrazhdë mund të çojë te përdorimi edhe në afekt i fjalëve të papërshtatshme.

“Raportet aktuale të forcës ndërmjet pozitës dhe opozitës fatkeqësisht nuk janë premtuese në këtë plan, prandaj jemi të detyruar të presim shpërthime edhe më të papërshtatshme dhe eskalim të diskursit dhe leksikut të përdorur nga deputetet”, është shprehur më tej Paqarizi.

Ai ka rikujtuar masën që duhet të ndërmarr kryetari i kuvendit në raste të tillë, në bazë të fuqisë që ka. Në këtë rast sipas tij, ai ka fuqinë që t’ua ndërpresë fjalën dhe t’i përjashtojë nga seancat deputetët që përdorin fjalë të papërshtatshme dhe diskurs nxitës.

Këto kompetenca të kryekuvendarit i ka theksuar edhe hulumtuesi i Institutit Demokratik i Kosovës (KDI) Eugen Cakolli, në mënyrë që mos tolerohet në asnjë formë përdorimi i kësaj gjuhe. Veç tjerash ai përmendur faktin se një gjuhë e tillë ka shoqëruar  edhe seancë tjera të legjislaturave të ndryshme. Për monitoruesin e punës së Kuvendit të Kosovës, degradimi i fjalorit të përdorur nga deputetët nuk është risi.

“Një gjuhë e tillë, e përdorur gjatë seancës së fundit, është e papranueshme dhe nuk guxon assesi të instalohet si standard i sjelljes politike të deputetëve. Kuvendi duhet të shërbejë si arenë e përballjeve mes ideve dhe programeve politike dhe jo e ofendimeve, sharjeve apo denigrimit të personalitetit të deputetëve tjerë. Marrë parasysh polarizimin e skajshëm mes subjekteve politike dhe sidomos inatet e akumulara gjatë kohëve të fundit, raste të tilla të përdorimit të gjuhës joparlamentare mund të ndodhin më shpesh”, ka deklaruar Cakolli.

E sipas profesori të Marrëdhënieve me Publikun Hasan Saliu, i tërë ky degradim i gjuhës në komunikimin politik  vjen si pasojë e mungesës së argumenteve. Sipas tij, komunikimi politik është fushë përleshjesh e diskutimesh të cilat kanë si objekt trajtimi politikën dhe qëllimi i të cilit është pushteti i interpretimit politik të realitetit. Ai përmend një pjesë të politikanëve të cilët nuk i interpretojnë faktet me kundër-argumente, për çka Saliu thotë se morali politik është degraduar skajshëm, të cilin ai e quan makiavelizëm ekstrem në aksionin politik.

“Në këtë situatë të krizës së madhe të vlerave dhe funksionimit selektiv të shtetit ligjor dhe duke u parë politika si një luks përfitues ku askush nuk jep llogari për bëmat e tij, fillon e degradohet klasa politike dhe rriten apetitet e pjesëmarrjes në politikë si një mundësi e përfitimit maksimal apo si mundësi e vetme përfituese. Arroganca dhe mos-përgjegjësia bëhen kritere për t’u ngritur në këtë terren politik. Dhe, në këtë mjedis, argumentet s’kanë me rëndësi. Nxiten ngarkesa emocionale, ka inate personale, mos-durime dhe diskutimi kalon në rrafshin personal, me fyerje e sharje, sepse nuk diskutohet më për parime. Në mungesë argumentesh apo arsyetimi të aksionit politik, vlera dhe argumenti nuk janë me pika referuese, përbashkuese apo bindëse për tjetrin, por doza e fyerjes ndaj tjetrit. Kur morali politik degradohet  aq shumë me aksionet politike, atëherë degradon edhe etika e komunikimit”, potencoi Saliu. Për fund ai tha se vendi është në krizë të përgjithshme vlerash jo vetëm në politikë.

Kujtojmë që legjislaturat e kaluara ndër të tjera do të mbahen mend edhe për përdorimin e  fjalorit banal. Deputetët nuk kursyen fjalë fyese nga më të ndryshmet për kolegët e tyre. Veç deputetëve, ky diskurs i degraduar është përdorur edhe nga ish- kryeministri Isa Musafa, ai madje kishte cilësuar me emra kafshësh disa prej kundërshtarëve të tij politik./Yllnorë Shala/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet