LDK-ja nën presion, kërkohet që ajo t’i bashkojë forcat me LVV-në

Sot, pa e zgjatur shumë, deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, iu dhanë fund mandateve të tyre. E ndërsa fushata ka nisur qysh nga dita kur Kryeministri në ikje Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme, ajo që po diskutohet është: cila nga forcat politike dominuese në vend, do të jetë në krye të pushtetit – shkruan Gazeta e Re.

Sipas disa burimeve (jo tërësisht të konfirmuara), të afërta me partitë e deridjeshme opozitare: Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), kësaj të fundit është duke iu bërë presion që t’i bashkojë forcat me LVV-në. Ky presion, ndonëse jo i artikuluar hapur, po i vije edhe nga ndërkombëtarët, e veçmas amerikanët, të cilët janë të interesuar që në Kosovë ta risjellin në pushtet një strukturë politike me potencial më të lartë, për ta stabilizuar vendin ekonomikisht, por edhe politikisht.

Ashtu siç theksonte publicisti Blerim Gashani në një intervistë për Gazeta e Re, bashkimi i këtyre dy subjekteve do ta shënjonte një stad tjetër, më të lartë, të zhvillimit demokratik në vend, duke e rrëzuar klasën e deri tashme politike, për të cilën të gjithë e kanë gojën plot kritika.

«…Prandaj, këtij vendi i nevojitet energjia, vendosmëria, idetë dhe vullneti i VV-së për ta rrëzuar klasën kakistokratike që po e shkatërron Kosovën, por i nevojitet edhe përvoja historike, konstruktiviteti, filozofia politike dhe substanca paqësore e LDK-së për ta ndërtuar Kosovën pastaj» – vinte theksin Gashani, duke shtuar se kushdo që ua mundëson këtyre dy forcave bashkëpunimin e ndërmjetëm «duke krasitur barishtet e këqija dhe rrodhet në trupat e dy partive të vetme të shqiptarëve të Kosovës, do të mund të garantonte lindjen e një Kosove të re».

Mirëpo çështja e bashkëpunimit ka ngecur te disa pika triviale. Sipas tyre, LVV e cila këmbëngulë ta ruaj pozitën e kryeministrit për vete, është zotuar që LDK-së t’ia dhurojë dy pozita: atë të kryeparlamentarit dhe atë të presidentit. Duke e komentuar këtë pozicion, analisti Florim Zeqa, shprehet skeptik se një marrëveshje e tillë mund të realizohet shpejt. Për më shumë, sipas tij, këto pika nuk do të duhej të merrnin kohë për t’u jetësuar:

«Mes dy forcave politike që pretendojnë ndryshimin e kursit qeverisës në vend, në asnjë rrethanë ndarja e posteve qeverisëse nuk do duhej të bëhej pengesë për arritjen e qëllimit të përbashkët për dërgimin e PDK-së dhe subjekteve tjera e kanë shijuar pushtetin tani e një kohë të gjatë. Sado që duket se është afër një marrëveshje politike mes LVV-së dhe LDK-së, ajo është shumë larg shkaku i postit të kryeministrit. Raportimet e mediave, kinse marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së ka arritur deri në pikën, që për ta mbajtur postin e kryeministrit LVV-ja, i duhet t’ia dhurojë dy poste si shkëmbim LDK-së, përkatësisht pozitën e presidentit si dhe pozitën e kryeparlamentarit janë një shkëndijë shprese».

Për pozitën e kryeparlamentarit, Zeqa mendon se është një premtim që edhe mund të mbahet, e edhe të realizohet, por pozita e presidentit i ka disa vështirësi ligjore, të cilat duhet të kihen parasysh:

«Pavarësisht faktit, në është ky spekulim mediatik apo projekt-marrëveshje, mbetet i parealizueshëm për shkak të postit të presidentit. Siç dihet për rrëzimin e Hashim Thaçit nga posti i presidentit, kërkohen 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend ose ta bindin presidentin që të tërhiqet me vet-dëshirë! Pra, asnjë lloj marrëveshje me LVV-në, nuk mund t’ia kthejë LDK-së postin e presidentit. Meqenëse matematikat e marrëveshjes mes LVV-së dhe LDK-së e bëjnë të pamundur koalicionin parazgjedhor, ekziston mundësia e marrëveshjes post-zgjedhore, mirëpo asnjëra nga këto dy subjekte nuk e kanë të sigurt fitoren kundrejt një koalicioni të befasishëm të palës tjetër “5 minuta para orës 12”. Mos arritja e një marrëveshje parazgjedhore mes dy subjekteve të sipërpërmendura, e lë të hapur mundësinë e një marrëveshje të fshehtë mes LDK-së dhe PDK-së për këmbim të posteve në një koalicion pas-zgjedhor. Ndryshe nuk mund të arsyetohet mos dakordimi i dy partive opozitare për ta hequr qafe të keqën e madhe me emrin PDK. LDK-ja pas dy koalicioneve paraprake me PDK-në, në opinionin publik e ka humbur primatin e partisë që sjellë ndryshimin politik në vend. Duke qenë se është kështu, edhe pse jo zgjidhja më e mirë për vendin, LVV-ja e ka marrë primatin e subjektit që kërkon largimin e qeverisjes aktuale, nën premtimin e madh për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në rrethanat e krijuara, ka mbetur vetëm një alternativë për ta dërguar PDK-në në opozitë pas 11 vitesh, ajo është bashkimi pa asnjë kusht ndaj njëra-tjetrës mes LVV-së dhe LDK-së, në të kundërtën “ujqit e vjetër” do t’ua rrëmbejnë pushtetin edhe kësaj radhe e mbase për më gjatë deri në krijimin e një lëvizje të re politike nga mërgata.»

Çështjes së zgjedhjeve të parakohshme tashmë i ka mbetur vetëm veç caktimi i datës se kur do të mbahen ato, ndryshe i takon presidentit ky formalitet. Nga sot, ndërkaq, subjektet e mëdha e të vogla, do të përpiqen që të pozicionohen sa më mirë, në mënyrë që të nxjerrin rezultate më të larta, në këtë garë krejtësisht demokratike, në mënyrë që ta fitojnë besimin e popullit për një mandat të ri./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet