LDK-ja e vendosur për ta fituar pushtetin

Ndërsa në krye të lajmeve të të gjitha mediave kosovare mbeten ato të politikës, një lloj fushate para fushatës reale e cila do të përcaktohet pas 22 gushtit, veç është duke ndodhur. Vihet në pah, ndër të tjera, përpjekja e disa partive për t’u përafruar me njëra tjetrën dhe këtë opinioni publik po e lexon si një shenjë për formime koalicionesh, akte që veç kanë filluar të ndodhin – shkruan Gazeta e Re.

Në fundjavë është spekuluar që AAK-ja, NISMA dhe PSD-ja janë afër arritjes së një marrëveshjeje për një koalicion parazgjedhor. Por befas, java ka filluar me një ftesë ndaj këtyre partive nga ana e kreut të LDK-së, Isa Mustafës.

Ai është takuar në orët e para të mëngjesit me Shpend Ahmetin, Kryetar i PSD-së, i cili pas takimit, sikur la të nënkuptohet se është hapur një rrugë «për bashkëpunimin ndërmjet PSD-së dhe LDK-së». Megjithatë, edhe në këtë takim, Mustafa ka ritheksuar se LDK do të futet e vetme në zgjedhje, e pas publikimit të rezultateve zgjedhore nga ana e KQZ-së, gjithçka do të jetë e hapur ndërmjet këtyre dy subjekteve. Megjithatë pas takimit të Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, është konfirmuar arritja e një marrëveshjeje për koalicion parazgjedhor ndërmjet PSD-së dhe AAK-së.

Edhe dy partitë e tjera, NISMA dhe AAK-ja duket që e kanë pritur mirë ftesën e Mustafës. Ndonëse nuk është konfirmuar ora e takimit, një akt i tillë, sipas të gjitha gjasave, mund të ndodh sot. Sipas Muharrem Nitajt nga AAK, takimi mund të ndodh pa asnjë problem madje është «krejt normale me u taku liderët e partive. E di që ka pasur një nismë nga z. Mustafa për takim edhe me kryeministrin Haradinaj. Por, nuk ka një ditë e orë të caktuar për realizimin e këtij takimi. Kurdo që i njëjti të mbahet do të jetë transparent dhe publik».

Duket që ka mbetur që Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së të vendos sot se si do të pozicionohet ky subjekt, në raport me ofertat për koalicionet e mundshme para dhe pas zgjedhore. Ndryshe nga AAK, NISMA ka shprehur gatishmërinë që takimin ta realizojë qysh sot.

Megjithëqë të gjitha takimet janë përcjellë me një vëmendje të shtuar të opinionit publik, është pak e besueshme arritja e çfarëdo marrëveshjeje, sidomos tash kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në datën 22 gusht.

Raporte të mira LDK ka edhe me VV-në, e cila shpesh po kryeson në sondazhet e realizuara nga organizata vendore, por edhe të huaja. Megjithatë diçka që i ndanë të dy këto subjekte të mëdha, është çështja e kryeministrit.

Në një intervistë të publikuar nga Gazeta Express, Avdullah Hoti nga LDK, ndërsa ka folur për raportet ndërmjet dy partive, ka sqaruar që çështja e kryeministrit, është një problem që mund të zgjidhet fare lehtë. Sipas tij, kryeministri duhet t’i takojë partisë më të madhe, e cila do të dalë nga këto zgjedhje:

 «Kemi pasur bashkëpunim produktiv me VV-në gjatë këtyre dy viteve në opozitë në Kuvendin e Kosovës, që përbën bazën për një bashkëpunim më të gjerë në të ardhmen në qeveri. Falë këtij bashkëpunimi, duke krijuar një opozitë të fuqishme e konstruktive, kemi arritur të stopojmë një numër të konsiderueshëm të nismave legjislative të dëmshme për shtetin e Kosovës, mbi të gjitha nismën për ligjin antikushtetues për dialog.

 Është e natyrshme që qeveria e ardhshme të udhëhiqet nga opozita e deritashme, sepse vetëm kështu mund të bëhen ndryshime substanciale në modelin e qeverisjes. Megjithatë, çdo formë e formë e bashkëqeverisjes tonë me VV-në do të shqyrtohet dhe vendoset në organet kompetente të LDK-së.

Sa i përket pozitës së Kryeministrit, ne do të kërkojmë besimin e qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje për të udhëhequr me Qeverinë. Duhet të pranohet si rregull i sjelljes që partia më e madhe udhëheq me Qeverinë. E kemi parë rezultatin e qeverisë në largim të koalicionit PAN, ku Kryeministri ishte nga partia e pestë në Kuvend, duke mos pasur mundësi të qojë përpara asnjë politikë të tij. Ka pasur raste kur projektligjet që qeveria i ka sjell në Kuvend për shqyrtim dhe miratim, janë ndryshuar rrënjësisht gjatë shqyrtimeve në komisione parlamentare saqë nuk kanë reflektuar më vullnetin e qeverisë.»

 Me këtë, njëra prej partive më të mëdha opozitare, po tregon vendosmëri që PDK-në ta çojë në opozitë. Vetëm me këtë të fundit nuk janë duke biseduar partitë e mëdha./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet