LDK-ja e (pa) reformuar

Ndërsa në media qarkullojnë lajme se një marrëveshje rreth posteve në qeverinë e ardhshme në kuadër të koalicionit VV – LDK, veç është arritur në parim, gjithnjë e më shumë opinioni publik po pret se ç’do të ndodh në procesin e brendshëm zgjedhor nëpër të cilin po kalon kjo e fundit. A do të ketë një emër të ri, si pretendent për ta drejtuar këtë parti? – Kjo është pyetja, përgjigjja e së cilës po u intereson të gjithëve – shkruan Gazeta e Re.

Procesi i brendshëm zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), nuk ka kaluar bash ashtu siç planifikonin drejtuesit e saj. Më shumë se një herë tensionet që e kanë përcjellë procesin, kanë marrë vëmendje edhe mediale. Por sipas analistit Florim Zeqa, tërë këtë proces e kanë karakterizuar disa probleme që janë edhe më të mëdha:

«Zgjedhja me aklamacion e kryetarëve nëpër degët e LDK-së, përveçse dhunim i demokracisë, paraqet shkelje statutore dhe shpërfillje të vullnetit te elektoratit. Aplikimi i praktikave moniste në sistemin demokratik i ngulfati reformat dhe pengoi ndryshimet aq të nevojshme në subjektin më të vjetër politik në Kosovë.»

Por cilat, sipas tij, do të duhej të ishin mekanizmat që do ta ndihnin demokratizimin e njërës prej partive më të vjetra në vend:

«Vota e fshehtë si instrument demokratik, përveçse do t’i jepte ngjyrim të mirë procesit zgjedhor, do të  krijonte besueshmëri më të lartë për kryetaret e rinj (të vjetër) të degëve të LDK-së. LDK-ja si parti më e vjetër e skenës politike, do duhej të ishte shembull për subjektet tjera dhe udhërrëfyese e zhvillimeve demokratike ne vend. Jam i bindur se shumica e kryetarëve të sapozgjedhur do të fitonin edhe përmes votës së fshehtë, por jo edhe votat maksimale siç ndodhi me aklamacion.»

Mënyra siç është kryer pjesa më e madhe e procesit, përkatësisht votimit, nuk është aspak demokratike sipas Zeqës:

«Me këtë mënyrë antidemokratike të zgjedhjes, gjegjësisht të shmangies së votimit, aklamacionistët dhe puçistët në LDK frocuan akoma më shumë pozitat e tyre, duke u dëshmuar se janë vërtetë uzurpatorë të gjithëpushtetshëm në këtë subjekt politik. Aklamacioni, përkatësisht shmangia nga vota e fshehtë është praktikë e regjimeve totalitare, gjegjësisht e diktatorëve dhe uzurpatorëve të pushtetit.

Mbrojta e “aklamacionit” duke u thirrur në elasticitetin e statutit (të parenovuar) të partisë, është mbrojtje e klaneve mafioze dhe pengimit të reformave në këtë subjekt politik. Zgjedhjet nëpër degë, dëshmuan se LDK-ja as kësaj radhe nuk arriti të  reformohet, këndellet e forcohet ashtu siq e dëshironte elektorati i saj, përkundrazi u bunkerizua akoma më shumë pas liderit diktaorial të partisë» – ka shkruar Zeqa ndër të tjera në një opinion me titull: Aklamacionistët e LDK-së, i dhanë vulën e turpit procesit zgjedhor!

Nga ana tjetër i pari i LDK-së Isa Mustafa, më shumë është marrë me akuzat drejtuar qeverisë aktuale se sa me atë nëpër të cilën po kalon partia në krye të së cilës ndodhet tash e sa kohë. Për më shumë, ai po e kërcënon qeverinë, duke thënë që  ajo mund të rrëzohet shumë shpejt, më së largu në shtator, dhe kështu vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Disa media kanë spekuluar rreth një marrëveshje të parakohshme të LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa iu kanë referuar një reagimi të fundit në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, kur ndër të tjera shkroi se: «Kosovës, si kurrë më parë, i nevojitet Qeveri e formuar nga partitë e tanishme të opozitës, e drejtuar nga LDK si parti më e madhe në vend». Për më shumë disa prej mediumeve kanë thënë se Mustafa është pajtuar në parim që t’ia dhurojë postin e kryeministrit liderit të VV-së Albin Kurtit, ndërsa ky i fundit ta ndihë atë që të ngjitet deri në postin e presidentit të republikës.

Megjithatë, burimet e Gazeta e Re brenda VV-së, nuk i kanë konfirmuar këto spekulime, megjithëqë nuk e kanë mohuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet subjekteve në fjalë. Të grupet më të mëdha opozitare – parlamentare, duken unike veçanërisht në një pikë: rrëzimin e qeverisë. Deri më tani përpjekjet e tyre kanë qenë kryesisht në drejtim të sigurimit të votave ‘të mosbesimit’, të cilat tashmë pothuajse i janë avitur numrit 60-të./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet