LDK: Do të shqyrtohet ligjshmëria e çdo vendimi të marrë pas dorëheqjes së Haradinajt

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për emërimet, siç i quan, të kundërligjshme të ambasadorëve që së fundi i ka bërë Qeveria në dorëheqje, duke paralajmëruar se me ardhjen e kësaj partie në pushtet, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Me këto veprime, ministri i dorëhequr i Punëve të Jashtme, bashkë me kryeministrin e dorëhequr Haradinaj dhe presidentin Thaçi kanë degraduar edhe më tej shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, përkundër rastit në shqyrtim për kompetencat e Qeverisë së dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese, thuhet në komunikatën për media të kësaj partie.

LDK konsideron se veprimet e tilla janë në dëm të interesit publik dhe politizojnë edhe më tej shërbimin diplomatik.

Krahas saj, LDK dënon ashpër edhe veprimet e koalicionit PAN për të ftuar mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme për emërimin e ambasadorëve politikë një ditë para shpërndarjes së Kuvendit.

“Kryetarja e Komisionit dhe anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së, kanë refuzuar ta thërrasin këtë mbledhje dhe të marrin pjesë, sikur edhe në çdo rast tjetër të emërimit të ambasadorëve politikë”, thuhet më tej në komunikatë.

“Ky koalicion po e izolon çdo ditë e më shumë Republikën e Kosovës ndërkombëtarisht për qëllim të rehatimit të militantëve partiak në pozitat kyçe të institucioneve. Me ardhjen e LDK-së në Qeveri, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së kryeministrit. Për LDK-në është shumë e rëndësishme që secili vendim të realizohet në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe parimin e meritokracisë”, përfundon komunikata.

Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka marrë vendim për të emëruar ambasadorë të karrierës, që do ta përfaqësojnë Kosovën jashtë.

Ambasadorët e emëruar të karrierës janë: Ilir Dugolli, ambasador në Turqi, Frymëzim Isufaj në Britani të Madhe, Lulzim Mjeku në Arabi Saudite, Lendita Haxhitasimi në Itali, Lulzim Pllana në Austri, Adriatik Kryeziu në Kanada.

Pacolli ka caktuar në kryeqytetet kryesore ambasadorët e karrierës, hera e parë kur vendet si Londra, Roma apo Ankaraja janë me rëndësi politike.

Disa muaj më parë Pacolli kishte propozuar emërimin e ambasadorëve të tjerë të karrierës në ambasadat e Kosovës jashtë vendit, Ylber Kryeziu u emërua ambasador në Portugali, Muhamet Brajshori ambasador në Tajlandë dhe Guner Ureya ambasador në Bangladesh.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet