LDK dhe grushti i paqes

Partia, anëtarët e së cilës përherë janë thirrur në një filozofi politike paqësore, këto ditë është kthyer në qendër të vëmendjes. Disa video, ku shihen anëtarët e saj duke u përleshur, janë shndërruar në sensacione virtuale. Të gjithë po pyesin, kush qëndron prapa këtyre “atraksioneve”? Por krerët e partisë po e drejtojnë gishtin nga partitë politike të tjera – Shkruan Gazeta e Re.

Zgjedhjet e brendshme të LDK-së (Lidhja Demokratike e Kosovës), po dalin me qenë një proces i vështirë për këtë subjekt. Nëpër rrjetet sociale janë shpërndarë këto ditë video të ndryshme, ku shihen anëtarë të këtij subjekti duke shpërndarë grushte, e shkelma ndërmjet njëri tjetrit. Kuvende zgjedhore kaq të “nxehta”, ku edhe karriget fluturojnë në ajër, nuk janë parë moti kohë në Kosovë.

Isa Mustafa, kryetar aktual i LDK-së, duke dashur që ta relativizojë skandalin, deshi që një pjesë të fajit ta shkarkonte diku tjetër:

“Është e natyrës së mediave publike e private që të prodhojnë lajme, edhe me disa sjellje të papranueshme të disa individëve nga nëndegët e LDK-së. Por s’mund ta kuptoj ngarendjen e këtyre individëve që të prodhojnë lajme me budallalleqet e tyre dhe të njerëzve nga partitë e tjera që prishin tubimet e LDK-së!
Të gjithë duhet ta dijnë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statuin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë nuk do të pranohet. Si Kryetar i LDK-së do të kërkoj nga organet përgjegjëse që ato të anulohen.”

Vlerësimi i procesit, sipas tij, nuk është përgjegjësi e atyre “që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në.”

Me një gjuhë konspirative janë përpjekur që t’i përshkruajnë incidentet, edhe anëtarët e tjerë më të lartë të kësaj partie. Nënkryetari Lutfi Hazirit, ka këmbëngulur që në këto incidente të planifikuara, kanë gisht edhe subjektet e tjera:

“Sondazhet që po e nxjerrin LDK-në si parti të parë, pritjet që janë për LDK-në, dikujt po i pengojnë… Mënyra se si na kanë hyrë në mbledhje, djemtë e liderëve të tjerë të partive politike, ithtarët e partive të tjera politike, po duan ta kthejnë për publikun imazhin e LDK-së të vitit 2006. Por ajo kohë ka përfunduar dhe nuk do të përsëritet më kurrë. Rastet e fundit të izoluara janë të papranueshme, nuk është kulturë e LDK-së.”

Sipas tij, nga 980-të degët, aq sa numëron LDK aktualisht në gjithë Kosovën, rastet e tilla duhet llogaritur si të izoluara dhe ashtu të trajtohen.

Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë dhe njëkohësisht edhe bashkëshort i deputetes së LDK-së Lirie Kajtazi, ka dhënë një shpjegim më interesant rreth këtyre ngjarjeve. Ai incidentet i ka trajtuar në një kontekst historik:

“Ata qe krijuan dhe e mbajtën LDK-në gjatë këtyre 30 viteve, janë anashkaluar nga proceset zgjedhore në shumicën e vendeve. Problemet po i shkaktojnë pjesa që në vitet 1990 deri 1999 nuk ka ditur se çfarë po ndodhë me Kosovën, një pjese ka shikuar punët e veta dhe një pjesë ju ka nënshtruar rutinës se okupatorit. Fatkeqësisht, një pjesë e kryetareve degëve, (kjo vlen për gjitha partitë) pas lufte e ofruan afër veti këtë kategori, e cila objektiv të vetin ka spiunimin, hajninë, kurvarinë-aktivitetin subversiv ndaj Kosovës. Dhe kjo kategori nuk zgjedh mjete, kjo kategori po i konvenon pjesës që politikisht mbijeton “vetëm me hallakama”. Kjo kategori është mediokre në LDK, (dhe ne partitë tjera), është struktura e cila nuk ka kapacitete politike, intelektuale dhe profesionale për t’i dhënë LDK. Kjo kategori po të shikohet me pak kujdese është kategoria më e degjeneruar moralisht dhe kombtarisht, kjo kategori fatkeqësisht është etabluar në LDK dhe në partitë tjera dhe po bën kërdi me Kosovën. Natyrisht se kjo kategori i bën njerëzit e ndershëm nervoz dhe ndodh që ata të dalin nga kontrolli.”

Haki Rugova, një tjetër nënkryetar në këtë parti, po ashtu, nuk i ka cilësuar si serioze këto incidente. Për Zërin ai ka thënë që këto vështirësi do të tejkalohen me lehtësi.

“Ka pasur aty-këtu disa incidente, pakënaqësi të shprehura brenda kuvendeve, por besoj që ato do të tejkalohen. Ka pasur disa incidente, nuk do t’i quaja përleshje, por ne i kemi trajtuar në mbledhjen e fundit dhe shpresoj që procesi do të vazhdojë mirë dhe pa telashe të mëtutjeshme.”

As Rugova nuk e ka mohuar mundësinë e infiltrimit të akterëve të huaj brenda procesit zgjedhor të LDK-së. Natyrisht, sipas tij, imazhi i subjektit të tij, do të shtrembërohet më shumë për shkak të këtyre incidenteve. Megjithatë këto ditë të rënda për ‘pacifistët rugovistë’, do të tejkalohen./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet