Lajçak në Kosovë: Komuniteti ndërkombëtar pret që Kurti të jetë gati për vazhdimin e dialogut

Bashkimi Evropian kërkon nga qeveria e re e Kosovës që ta vijojë dialogun me Serbinë.

Miroslav Lajçak, diplomati i ngarkuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, deklaroi para vizitës në Prishtinë se ai do ia shtrojë këtë pyetje kandidatit për kryeministër, Albin Kurtit.

“Kurti u zgjodh për të zgjidhur çështje të brendshme të Kosovës, si korrupsioni, drejtësia dhe problemet sociale, por ai e di mirë se komuniteti ndërkombëtar, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, presin edhe që të jetë gati për ta vazhduar dialogun,” u shpreh Lajçak për medien serbe, Tanjug.

Diplomati sllovak tha para nisjes së vizitave në Prishtinë dhe Beograd se ai nuk vjen me kushte, apo siç raportojnë mediet serbe, për ta bindur Serbinë të pranojë marrëveshje të njëanshme.

“BE-ja nuk punon me parimin e ultimatumeve. Ne jemi këtu për të ndihmuar. Qëllimi i dialogut është të mbështetim si Beogradin, edhe Prishtinën, që i tërë rajoni të jetë pjesë e së ardhmes evropiane.

Lajçak tha se Serbia nuk duhet ta shohë për keq angazhimin amerikan për dialogun dypalësh, dhe as këmbënguljen e Uashingtonit te njohja reciproke.

Pas takimit me Kurtin ditën e hënë, emisari i BE-së ka planifikuar në vijim  takime me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, dhe me liderë të tjerë politikë.

Më pas, Lajçaku do e vazhdojë vizitën në Serbi deri më 4 mars dhe në Mal të Zi si pjesë e mandatit të tij për çështje të tjera rajonale.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi