Kuvendi i Shqipërisë dhe UNICEF nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u shpreh se ky memorandum synon forcimin e rolit ligjvënës, kontrollues dhe ndërgjegjësues të Kuvendit për avancimin e të drejtave të fëmijëve.

Kuvendi i Shqipërisë dhe Fondi Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) nënshkruan sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë një memorandum mirëkuptimi që synon forcimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve për nismat ligjore për të drejtat e fëmijëve.

Memorandumi u nënshkrua nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Ezio Gianni Murzi. Në fjalën e tij Ruçi u shpreh se ky memorandum synon forcimin e rolit ligjvënës, kontrollues dhe ndërgjegjësues të Kuvendit për avancimin e të drejtave të fëmijëve.

“Si kryetar i Kuvendit(të Shqipërisë dhe i grupit ‘Miqtë e Fëmijëve’, doja të theksoja angazhimin tonë se Kuvendi do të ndërmarrë nisma të tjera ligjore për të siguruar përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar sipas standardeve ndërkombëtare dhe ato të Këshillit të Evropës lidhur me të drejtat e fëmijëve. Gjithashtu për të afruar më tej gradualisht legjislacionin shqiptar me atë të BE-së, në fusha të tilla si ato të mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna, abuzimi, ngacmimi dhe diskriminimi”, tha Ruçi.

Më tej gjatë fjalës së tij, kryeparlamentari Ruçi deklaroi se Kuvendi do të mbikëqyrë përparimin e Shqipërisë në drejtim të zbatimit të instrumenteve ndërkombëtare dhe rajonale në këtë fushë. Në fjalën e tij, përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Ezio Gianni Murzi, theksoi se UNICEF-i në Shqipëri ka vlerësuar gjithmonë punën e Kuvendit për avancimin e të drejtave të fëmijëve.

“Krijimi i Grupit Parlamentar ‘Miqtë e Fëmijëve’ ishte një hap i shkëlqyer në drejtim të angazhimit të hapur dhe aktiv me publikun dhe vetë fëmijët. Kjo është një dëshmi e qartë se me çfarë serioziteti e trajtojmë ne të ardhmen dhe të tashmen e fëmijëve të këtij vendi”, tha ai.

Duke folur për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit, Gianni Murzi tha: “Mbështetja jonë e menjëhershme në këtë kuadër do të përfshijë angazhimin e një eksperti ligjor i cili do të mbështesë Grupin ‘Miqtë e Fëmijëve’ dhe institucionet kombëtare të të drejtave të fëmijëve në punën e tyre të përditshme. Gjithashtu ofrimi asistencës teknike për të ndihmuar më realizimin e standardeve më të mira të praktikës botërore. UNICEF do të vazhdojë të jetë prezent që të drejtat e fëmijëve të jenë në qendër të debatit publik dhe politik dhe që zëri i tyre të dëgjohet shumë qartë përpara se të merret një vendim që ka lidhje me ta”.

Nëpërmjet këtij memorandum, UNICEF do të sigurojë asistencën teknike, ekspertizën e duhur, mbledhjen e fakteve dhe të dhëna të besueshme rreth situatës së fëmijëve në Shqipëri si dhe të praktikave dhe përvojave më të mira në nivel botëror, të cilat do t’i ndihmojnë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojnë më mirë realizimin e të drejtave të fëmijëve./AA

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet