Kuvendarët gjaknxehtë dhe etika e shkelur parlamentare

Kuvendi, sikundër nënkupton nocioni, konceptohet si një vend i dedikuar për t’i debatuar çështjet më të rëndësishme të cilat e preokupojnë shoqërinë. Të zgjedhurit e popullit, pavarësisht subjekteve të cilave u takojnë, në rend të parë, duhet t’u japin llogari votuesve. Mirëpo Kuvendi i Kosovës, shpesh po shndërrohet në arenë sulmesh të ulëta krejt personale, pra edhe arenë e shkeljes së etikës parlamentare – shkruan Gazeta e Re.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, jo rrallë herë, ka qenë arenë e sulmeve të ulëta, sharjeve e fyerjeve të ndërsjella ndërmjet të zgjedhurve të popullit. Duke i parë e dëgjuar deputetët, me të drejtë mund të shtrohet pyetja: a e lejon këtë demokracia?

Ish Kryeparlamentarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, me një rast gjatë një fjalimi pat thënë:

“Në shtator 1952, një prej politikanëve oratorë të SHBA-vë, Adlai Stevenson gjatë fushatës elektorale u shpreh: “Po mendoj t’i bëj një propozim miqve të mi republikanë… nëse ata ndalojnë së thëni gënjeshtra rreth demokratëve, ne do të ndalojmë së thëni të vërteta për ta.” Në të njëjtën kohë, në cepin tjetër të kontinentit evropian Winston Curchill do të shprehej:

“Kurajoja është ajo që na ngre në këmbë dhe na shtynë të flasim; kurajoja është gjithashtu ajo që na ul dhe na bën të dëgjojmë.” Ka një të përbashkët në këto dy pasazhe. Rëndom “politika është luftë” dhe rëndon thuhet “lufta politike”. Ndaj si çdo “luftë” duhet të ketë rregulla të kodifikuara, që janë të detyrueshme për zbatim nga të gjithë. Si krijues të kodeve të tyre, parlamentarët duhet të marrin përgjegjësinë për t’i mbajtur standartet e tyre sa më koherente, dhe të kenë vendosur sistem administrimi të etikës, efiçent dhe efektiv. Si pronarë të këtyre kodeve, ata duhet të tregojnë lidership nëpërmjet “luftës ndaj asaj që nuk është etike, morale”, duke refuzuar ata që thonë se “nuk ke çfarë i bën; kështu është politika”. Parlamentarët individualisht duhet të sigurojnë se sjellja e tyre është përtej çdo qortimi dhe kolektivisht duhet të sigurojnë se regjimi i tyre etik përkon me pritjet e mëdha të shoqërisë për standarde të larta sjelljeje nga zyrtarët publikë. Si lider në fushën e politikës, parlamentarët kanë detyrimin publik dhe moral për të treguar se standardet e larta të sjelljes duhet të jenë rregull sjellje dhe jo përjashtim në mjediset e tyre të punës. Sot sfidat janë serioze ndaj edhe kërkojnë maksimalisht përpjekje serioze. Etika është zemra e një shoqërie të suksesshme, dhe lidershipi etik është fondamnetal. Parlamenti është institucioni kyç në një sistem demokratik.”

Homologu i saj nga Kosova Kadri Veseli, duke e hetuar që “po i rrëshqiste peshku nga dora”, vite më parë e shihte etikën “parlamentare si nevojë urgjente!”

Në një konferencë kushtuar etikës parlamentare, ai theksonte se “një institucion nuk e bëjnë demokratik vetëm kushtetuta dhe rregulloret që krijohen për funksionimin e tij por edhe standardet morale që afirmon dhe përvetëson ai institucion. Etika parlamentare, është nevojë urgjente institucionale, sepse duhet ta përmirësojmë imazhin e institucioneve dhe politikës në funksion publik. Kërkohet rivendosja e lidhjes së domosdoshme në mes veprimit politik dhe parimeve e vlerave morale, të japim shembullin tonë, që të mund të kërkojmë prej të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë.”

Megjithatë vet ai ka qenë në qendër të kritikave, për gjuhë të ulët e të papërmbajtur ndaj kolegëve të tij.

Spektaklin parlamentar kohëve të fundit është duke e bërë deputeti i nismës Milaim Zeka. Ai nuk kursen asgjë nga “arsenali leksikor” i tij, për të shprehur atë që është e drejtë për një çështje. Sot duke folur për sistemin e drejtësisë, tha ndër të tjera që askush të mos mendojë që “në këtë sistem të Burdushit kemi me pasë drejtësi. Ministri jonë i drejtësisë e ka propozu si kryetar të komisionit të Jurisprudencës Aleksandër Lumezin. Pse e ka propozu? Sepse atë kohë kanë qenë shok të ngushtë me presidentin Hashim Thaçin me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, edhe unë jam mik me juve po privat e jemi kundërshtar në politikë. Enver Hasani ka dal me argumente ai nuk është rrugaç po profesor universitar edhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, e nuk e ka dhanë provimin e jurisprudencës.”

Ai nuk i ka kursyer edhe disa emra të tjerë, duke mos u kufizuar nga një fjalorë më i rafinuar: “E njëjta situatë është edhe me Kryeprokurorin Reshat Millaku. Këshilli prokurorial i Republikës së Burdushit qohen bën komunikatë kundër deputetin Rexhep Selimi pse ja ka përmend emrin me një emision televiziv a në një foltore të Kuvendit, ndërkohë nuk del me mbrojtë një deputet kur thuhet se ju ka konfisku pasuria pa ju konfisku fare. Ju e keni kap sistemin e drejtësisë në kam e në kry… Mu çu një prokuror hajdut, rrugaç i pitë, kujna i frigoni, ju mos i frigoni atyre policëve që kanë dal para gjyqit pse kanë vjedh 200 gr dredhëza. Ju i frigoni njerëzve zyrtarë, deputetëve, mjekëve të mirë, politikanëve të mirë dhe tash duke pas atje një prokuror kriminel”.

Xhavit Haliti, i cili në at moment po e drejtonte seancën, megjithëse nuk reagoi, e bëri një vërejtje, ndërsa më tepër punë pat me deputetin Korob Sejdiu, të cilit iu drejtua me këto fjalë: “Unë ta kam dhanë fjalën se kum mendu që fol diçka, është hera e fundit që ofendon kur ta jap fjalën në Kundërshtim me rregulloren”.

Aktuale është edhe përplasja ndërmjet deputetëve Dardan Molliqaj dhe Glauk Konjufca nga PSD, përkatësisht VV. I pari e ka akuzuar të dytin se ka qenë pjesë e SHIK-ut, ndonëse argumentet të cilat i ka sjellë në parlament, i janë rrënuar brenda ditës. Për ta vërtetuar se ai ka qenë pjesë e këtij shërbimi, ai ka thënë që është rekrutuar nga Fadil Lepaja, por publicisti i njohur, sapo ka marrë vesh për këtë lakim të emrit të tij nga ana e deputetit, e ka mohuar kategorikisht duke thënë se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e shërbimit në fjalë.

Përkundër rasteve të shpeshta të “shpërthimit” dhe vërejtjeve që i kanë marrë, ndër të tjera, edhe nga opinioni publik, nuk janë rezervuar e nuk kanë bërë përpjekje për të manifestuar një gjuhë më të rafinuar parlamentare./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet