Kushtrim B. Mehmeti: Aq shumë ka skandale sa do duhej të importonim njerëz për të protestuar

Regjisori Kushtrim B. Mehmeti është një artist i shquar për jokonformizmin e tij. Edhe si aktivist i shoqërisë civile ka dhënë mjaft prova për t’u cilësuar si i tillë.  Shfaqjet teatrore si: “Waiting for train”, “Ferri”, “Pronë e lanun mbas dore”; fotografitë konceptuale: “Lypësi me diplomë”, “Death of Kosovo” dhe “Realiteti”; pastaj instalacionet artistike: “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona”, “Technology”, “!?” etj, ia kanë falur popullaritet në mesin e recipientëve shqiptarë dhe jo vetëm.

Ai është pjesëmarrës në disa festivale ndërkombëtare të mbajtura në Kroaci, Turqi, Ugandë, Ruandë, Maqedoni, e deri në Kore Jugore. Ai e ka kthyer protestën në art, ndërsa performacat e njohura për opinionin publik, përmbajnë mesazhe të forta kundër politikës së mbrapsht të krerëve të shtetit.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re ai ka folur për veprat e tij të realizuara, efektin e tyre tek publiku si dhe qëndrimet e tij rreth gjendjes politike e sociale në vend.

GER: Lexuesit, me siguri e kujtojnë aksionin “humanitar” tuajin, për mbledhjen e kravatave për kryeministrin. Iniciativa juaj ka pasur një jehonë madje edhe ndërkombëtare. A mendoni që, përkundër kritikave, protestave të ngjashme, pakënaqësive etj, gjërat kanë ndryshuar fare pak?

K.Mehmeti: Aksioni “humanitar” i kravatave, ani pse kanë kaluar dy vite, mbetet ende i freskët në memorien e shumë njerëzve. Shpesh takoj të tillë që ma përkujtojnë atë. Efekti i tij më shumë duhet të ndërlidhet me ndryshimin e qasjes protestuese, sesa me ndryshimet që i ka sjellë në rrafshin e zhvillimeve politike.

Në mungesë të vullnetarëve (për të protestuar), bazohem kryesisht në aksione të konceptuara me pak individë. E nëpërmjet këtyre ‘shfaqjeve’ të vogla, synim e kam të trokas jo veç në ndërgjegjen e pushtetarëve, por edhe në gjumin e popullit. Gjendja aktuale nuk ka progres. Qofsha i gabuar por, unë them që ka regres. Pagat e pushtetarëve dhe e sektorit publik që përbëjnë numrin më të vogël të të punësuarve, janë rritur, e me këtë është rritur edhe kostoja e jetesës. Në anën tjetër, sektori privat qëndron me paga të njëjta dhe kështu jetesa është rënduar edhe më shumë.

GER: Në performancat e juaja artistike, në instilacionet të cilat i keni realizuar, ka gjithmonë një lloj mesazhi të fortë politik, a besoni që sadopak arrihet të kuptohet ai?

K.Mehmeti: Unë vij nga bota e Artit. Kjo mënyrë është e vetmja rrugë nëpërmjet së cilës unë njëkohësisht e zhvilloj profesionin tim por e dhe i shërbej popullit. Pra protestoj nëpërmjet artit.

Ndonëse veprat artistike të artit bashkëkohorë janë vështirë të kuptueshme, përkujdesem që në çdo ide, në çdo mesazh,  të jem sa më i thjeshtë, në mënyrë që të godas ndërgjegjen e pushtetarëve. Me reagimet që i bëjnë ata, ma krijojnë përshtypjen që gjithmonë i kuptojnë veprat e mia. Megjithatë, niveli i tyre intelektual është i kufizuar dhe disa herë devijojnë nga thelbi me apo pa vetëdije. Duke dashur t’ia ulin vlerën mesazhit, merren me shumë me dukjen time, apo me bindjet e mija. E kjo për mua ka fare pak rëndësi. Për mua ka rëndësi që mesazhi të shkojë aty ku duhet.

GER: Në veprën e fundit, më saktë: Protestën “Kurban për themelet e ndërtesave”; për ironi, inspektorët nuk ua lejuan ta çoni deri në aktin e fundit realizimin e saj. Megjithatë, duket sikur pushtetarëve, përkatësisht përgjegjësve, iu dhemb e vërteta, a s’është kështu? 

K.Mehmeti: Në jetë shpesh gjatë rrugës marrim përsipër kauza, në ballë të të cilave nuk është se e kemi paramenduar që do të jemi. E tillë është edhe kjo për vdekjet në vendin e punës. U bënë vite që protestoj, u bënë vite që e ngre zërin, u bënë  vite që bëj shkresa e kërkesa për punëtoret, të drejtat e tyre dhe sigurinë e tyre. Në fillim kam menduar se së paku do ta kem mbështetjen institucionale, por jo, më shumë kam hasur në pengesa. Ju dhemb një protestë, ju dhemb realiteti. Është e çuditshme se si as edhe një deputet i pozitës apo opozitës nuk më ka kontaktuar, për të më dhënë të paktën mbështetje morale. Kjo mbase shpërfaq lidhjet e tyre me bosët e ndërtimit dhe indirekt i godet edhe politikanët.

GER: Duket që jeni një artist jokonformist, si ia dilni t’i realizoni këto vepra, me gjithë pengesat që i hasni? (Këtu po i nënkuptojë edhe vështirësitë materiale).

K.Mehmeti: Më tërheq jokonformizmi. Më duket që aty ndjehem mirë, ndjehem vetvetja. Deri tani çdo aksion është i realizuar fal vullnetit të mirë të disa shokëve, të cilët më mbështesin me mjete financiare. Gjithsesi kujdesem maksimalisht që çdo aksion të kushtojë pak. Ndryshe kam plot ide që nuk kam mundur t’i realizojë si pasojë e kostos së tyre. Ndoshta edhe ato do t’i realizoj një ditë (megjithëse shpresoj që të mos jetë e nevojshme).

GER: Aktualisht, skena politike po karakterizohet me skandale të shumta, mirëpo duket sikur qytetarët e kanë humbur shpresën se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë, cili është komenti yt?

K.Mehmeti: Aq shumë ka skandale sa do duhej të importonim njerëz për të protestuar. Ani që populli është në gjumë, gjithmonë ka një drite shprese. Kur e kam nisur aktivizimin tim, kanë qenë me pikatore mbështetësit. Tani çdo ditë rritet numri i tyre. Frikën e kemi mposhtur, por na mbetet të punojmë më shumë. Se revolta vjen si pasojë e humbjes së shpresës, e duket që tani është koha për revoltë. Nuk kemi çka humbim më. Kjo klase politike ka shkuar për dreq.

GER: Do të merreshit me politikë nëse ndonjëra prej partive politike ua bënë një ftesë të tillë?

K.Mehmeti: Në jetë shpesh gabojmë, por edhe mësojmë. Mendoj që jam i pjekur mjaftueshëm që mos ta bëjë një gabim të tillë. Subjektet politike aktuale nuk e pranojnë individualizmin, e mua nuk besoj që do të më pëlqente të mendoja ashtu siç mendon partia në të gjitha rastet.

Kjo klasë politike duhet të shërbejë si trampolinë për ardhjen e njerëzve të tjerë. Këta kanë eksperimentuar mjaftueshëm dhe besoj që nuk kanë çfarë japin më. E vetmja e mirë që mund t’i bëjnë vendit është: të largohen!

GER: A jeni optimist?

K.Mehmeti: Thonë: “Pesimisti është Optimist me përvojë”, unë jam një i tillë, ndonëse fakti që nuk kam imigruar, kjo ma kundërshton këtë konkluzion. Duket që kam doza optimizmi. Ky vend meriton më mirë, andaj duhet të jemi optimist, por optimizmin ta mbushim edhe me vepra konkrete./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet