Kushtetuta e Kosovës dhe mandatari për qeverinë e re të Kosovës

Pas shkarkimit të kryeministrit Kurti me mocion votëbesimi nga Parlamenti i Kosovës para ca kohësh,  gjatë këtyre ditëve është  aktuale  procedura rreth nominimit të mandatarit për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës nga ana e presidentit të Kosovës z. Hashim Thaçi.

Gjatë punës në profesionin që e ushtrojë herë pas here kam hasë në paqartësitë apo gabime të theksuara që vërehen në tekstin në gjuhën shqipe të  Kushtetutës së Kosovës, në krahasim me tekstin në gjuhën serbe dhe angleze të Kushtetutës së Kosovës. Nuk kam njohuri, se a kanë ndodhur këto gabime apo paqartësi në tekstin e gjuhës shqipe gjatë përpilimit të tekstit të gjuhës shqipe të Kushtetutës së Kosovës apo si rrjedhojë e përkthimit të saj nga gjuha angleze, dhe nuk e kam të qartë se pse me kohë  nuk janë vërejtur këto dallime në tekstin e gjuhës shqipe me tekstet në gjuhën serbe dhe angleze nga  përpiluesit e saj, saktësisht Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në këtë vështrim do të ndalem  vetëm në paqartësinë që qëndron në tekstin e gjuhës shqipe  së Kushtetutës së Kosovës lidhur  me caktimin e mandatarit për krijimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës, e cila paqartësi  tani jep hapësirë për  interpretime të ndryshme, në të cilin edhe vet presidenti Thaçi thirret se “prej të hënës do të nis konsultimet me partitë  politike rreth formimit të qeverisë së re”.

Pas dorëheqjes së kryeministrit  ose për arsye tjera, në rastin konkret aktual, shkarkimit të qeverisë me mocion besimi nga Kuvendi i Kosovës,  neni 95. par. 5 i Kushtetutës së Kosovës  përcakton procedurën e mëtutjeshme të caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Teksti në gjuhës shqipe, gjegjësisht  neni 95 par. 5 , i Kushtetutës së Kosovës cek:“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Me këtë rast pas dorëheqjes së kryeministrit ose për arsye tjera,  në rastin konkret nënkupton  pas shkarkimit të kryeministrit me mocion votëbesimi, qeveria ka ra , atëherë Presidenti në konsultim me partitë politike, këtu është përvjel gabimi në tekstin e gjuhës shqipe, duhet të jetë me partinë politike, ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri për të formuar qeverinë, për dallim nga teksti në gjuhën serbe dhe angleze të Kushtetutës i cili është më i qartë.

Neni 95 par. 5 në tekstin e gjuhës serbe të Kushtetutës së Kosovës është shumë më i qartë, dhe cek:

„Ukoliko Premijer da ostavku ili iz nekih drugih razloga njegovo/njeno mesto ostaje slobodno, Predsednik Republike Kosovo, u konsultaciji sa političkom partijom ili koalicijom koja je dobila većinu u Skupštini, imenuje novog kandidata, za formiranje Vlade“.

Këtu shumë  qartë ceket “političkom partijom” që do të thotë me “partinë politike” apo koalicionin i cili ka fituar shumicën në Kuvend , presidenti mandaton kandidatin e ri për themelimin e Qeverisë.

Neni 95 par. 5  edhe në tekstin e gjuhës angleze të Kushtetutës së Kosovës është  i qartë  dhe cek:

If the Prime Minister resigns or for any other reason the post becomes vacant, the Government ceases and the President of the Republic of Kosovo appoints a new candidate in consultation with the majority party or coalition that has won the majority in the Assembly to establish the Government”.

Edhe këtu shumë qartë ceket”majority party” që do të to partia partia shumicë apo koalicioni shumicë, d.m.th. nga partia shumicë apo koalicioni shumicë presidenti mandaton kandidatin e ri për themelimin e Qeverisë.

Vërejmë interpretime të ndryshme në  media elektronike për mandatorin për formimin e qeverisë së re, të cilët  nuk vërejnë dallimin në mes të mandatarit për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të rregullta apo të jashtëzakonshme parlamentare  të mbajtura,  me mandatarin për formimin  e qeverisë së re pas dorëheqjes apo në rastin aktual të shkarkimit të qeverisë.

Kushtetuta e Kosovës këtë shumë qartë e përcakton mandatarin pas mbajtjes së zgjedhjeve për formimin e qeverisë së re, si  dhe mandatarin pas dorëheqjes së kryeministrit apo për arsye tjera, për formimin e qeverisë së re.

Neni 95 par .1  përcakton në mënyrë të qartë mandatarin për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të mbajtura parlamentare:

  1. “Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.

Këtu qartë shkruan me partinë politike e jo me partitë politike sikurse qëndron në nenin 95. par. 5, e që po lenë  tani në çastin aktual hapësirë për interpretime  të ndryshme lidhur me drejtën se cila parti duhet të nominojë mandatarin e ri për formimin e qeverisë së re.

Ndërsa neni 95. par. 5 përcakton në mënyrë të qartë  mandatarin për formimin  e qeverisë pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit:

  1. “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike (duhet të jetë partinë politike) ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Në përfundim të këtij vështrimi mund të konkludojë se Kushtetuta  e Kosovës në mënyrë të qartë e përcakton në aktualitetin e tanishëm në të cilin gjendet Kosova, se pas shkarkimit të kryeministrit Kurti të Republikës së Kosovës,  presidentit Thaçi në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, në rastin konkret është Lëvizja Vetëvendosja,  duhet të jep emrin e kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e re. Tjetër alternativë në rastin aktual kur jep dorëheqje apo shkarkohet kryeministri, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e parasheh.

 

29.03.2020                                                             Av. Faik MIFTARI

         

 

         


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet