Kushtetuesja dëgjon argumentet e palëve rreth rastit të votës së deputetit Arifi

Lëvizja Vetëvendosje e konsideron si jolegjitime votën e deputetit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, dhënë pro formimit të Qeverisë me në krye kryeministrin Hoti më 3 qershor.

Gjykata Kushtetuese ka dëgjuar argumentet dhe përgjigjet e palëve ndaj pyetjeve të të tjerëve në seancën për “jolegjitimitetin e votës dhe mandatit të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi” dhënë pro formimit të Qeverisë së Kosovës me në krye Avdullah Hotin në qershor të këtij viti.

Seanca kishte për qëllim kërkesën nga Lëvizja Vetëvendosje për “vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Kosovës të miratuar më 3 qershor 2020, përkitazi me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosje e konsideron si jolegjitime votën e deputetit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, dhënë pro formimit të Qeverisë me në krye kryeministrin Avdullah Hoti më 3 qershor.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi pas rreth 5 orëve të kësaj seance, tha se Gjykata i ka dëgjuar me shumë kujdes të gjitha argumentet dhe të gjitha përgjigjet, ndërsa vendimi do të shpallet ditëve në vijim.

“Besoj se përmes kësaj seance (Gjykata) ka arritur t’i precizojë saktësisht argumentet e palëve dhe ta kuptojë këndvështrimin për çështjet faktike dhe ligjore të palëve lidhur me çështjen. Posa gjykata të merr vendim, sikurse tashmë është praktikë, për vendimin do të njoftohen palët dhe publiku dhe pastaj kur bëhet edhe vendimi i shkruar u dërgohet palëve me postë dhe i njëjti publikohet edhe nga sekretariati”, tha Rama-Hajrizi.

Parlamenti i Kosovës më 3 qershor të këtij viti votoi për qeverinë e re me kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 61 vota pro (ku pjesë e votimit ishte edhe Etem Arifi), 24 kundër dhe një abstenim.

Lëvizja Vetëvendosje më 11 qershor e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të deputetit Etem Arifi” në seancën për votimin e qeverisë Hoti.

“Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, ka shkruar Vetëvendosje në kërkesën drejtuar Kushtetueses ku sipas kësaj partie, “pjesëmarrja e Arifit si dhe votimi i tij për qeverinë Hoti e bën jolegjitime Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti”.

Deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim (PAI) derisa ka votuar pro themelimit të Qeverisë së re me kryeministër Hotin ka qenë i shpallur fajtor nga Gjykata Apelit për veprën penale të mashtrimit me subvencione me 1 vit e 3 muaj burgim efektiv, por vuajtja e dënimit i ishte shtyrë për disa muaj.

Këshilltari i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Artan Murati, tha gjatë seancës dëgjimore të mërkurën se aktualisht mandati i Arifit është ende në fuqi dhe me legjislaturën e Kuvendit ai shfuqizohet me rastin e mungesave të tij në Kuvend për 6 muaj. Kjo për arsye se Kuvendi nuk parasheh se si të veprohet me dikë që është i dënuar më shumë se 1 vit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi