Kush do të jenë kandidatët për kryetar të Suharekës?

Suhareka sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë ta ruaj traditën. Kryetarët e degëve të subjekteve politike, do të garojnë në zgjedhje për postin e kryetarit të komunës. Kjo praktikë duket se do të jetë mbizotëruese edhe në zgjedhjet e rregullta lokale të këtij viti.

Dega e LDK-së në Suharekë, të cilës vetëm një mandat i iku “nga dora” pozita e kryetarit të Komunës ende zyrtarisht nuk e ka hapur  debatin për kandidatin e saj për kryetar komune.

Kryetari i Komunës, njëherësh edhe Kryetar i Degës së LDK-së në Suharekë, Sali Asllanaj, për Gazeta e Re tha se debati për kandidatin do të hapet në një moment që do të vlerësohet i përshtatshëm nga qendra.

“Jo  absolutisht jo.  Debati do të hapet pasi të vijnë sugjerimet nga kryesia qendrore. Vetëm atëherë do të hapet kjo çështje sepse konsiderojmë që debatet e parakohshme janë të dëmshme. Kur të vjen moment i caktuar do të hapet debati dhe do të caktohet kandidati për kryetar” u shpreh ai.

Sipas tij kandidati do të përcaktohet në koordinim të plotë me kryesinë qendrore. I pyetur nëse do ta pranojë kandidimin edhe për një mandat, nëse i kërkohet nga anëtarësia Asllanaj u përgjigj: “Idea ime ka qenë gjithmonë që të krijojmë parakushte për personazhe te reja,  për njerëz të ri, të cilët kanë ambicie dhe potencial politikë për të më zëvendësuar  mua në këtë rast”.

Ajo që do të ndodh në LDK-në e Suharekës sipas Asllanajt është shtrimi  gjerë e gjatë i bisedës brenda partisë “për ta gjetur variantin më të mirë, gjithmonë me synimin që zgjedhjet t’i fitojë LDK-ja.

Megjithatë ekziston një opinion i përgjithshëm te qytetarët dhe te  anëtarët e LDK-së se në Suharekë Sali Asllanaj, nuk do të ketë konkurrentë të tjerë përbrenda partisë. Emri i tij mbetet më i përfoluri që do të garojë që ta mbaj pozitën që edhe e ushtron.

Ndërkohë AAK synon rikthimin e pozitës së kryetarit në “pronësi” të partisë. Kryetari i Degës së AAK-së Bali Muharremaj shprehet i gatshëm për këtë sfidë por edhe i bindur për fitore.

Muharremaj u shpreh shkurt e qartë: “Ne si subjekt e kemi pas procesin zgjedhor në Degën e AAK në Suharekë para 2 viteve dhe unë jam zgjedhur kryetar i degës. Edhe pse emërimi i kandidatit për kryetar do të bëhet nga  qendra,  ekziston vullneti që unë të kandidojë për Kryetar të Suharekës. Unë jam i gatshëm për këtë sfidë dhe jam i bindur në fitore”.

Në Suharekë nuk përflitet ndonjë emër tjetër nga AAK-ja.

Praktika e përcaktimit të kryetarit të degës si kandidat për kryetar, do të ndiqet edhe nga Dega e PDK-së në Suharekë. Anëtari i kryesisë Jeton Rrakaqi pohon se nga dorëheqja e Ramë Vatajt, dega në këtë qytet është pa kryetar.

“Në bazë të bisedave në kryesinë e degës, por edhe në kontakt me qendrën, kandidati i ardhshëm i PDK-së për kryetar të komunës do të jetë ai që zgjidhet  kryetari i degës” u shpreh Rrakaqi. Ai e pranon se janë tre kandidatë të interesuar për postin e kryetarit të degës dhe njëherësh edhe kandidat për kryetar e këta janë: Myrtez Zekolli, Blerim Xhemajli dhe Ruzhdi Kurtishi.

Në opinionin suharekas Myrtez Zekolli shihet si kandidati më serioz për kryetar të degës, ndërsa kandidatura për kryetar e do edhe konfirmimin nga Qendra.

Nisma për Kosovën në Suharekë e ka hapur debatin për kandidatë për kryetar, por përveç profilit të kandidatit që e preferojnë nuk japin emra.

Sami Hajdaraj kryetar i Degës së Nismës në Suharekë, tha se në koordimnim me qendrën, është biseduar në Këshillin e përgjithshëm të Degës për garën për zgjedhje komunale.

“Mendoj se kandidati ynë do të jetë kandidati më i besueshmi dhe më i miri. Suharekës i duhet një kryetar që i di hallet e qytetarëve, i duhet një menaxher i mirë, e jo një njeri që rri në zyre” u shpreh Hajdaraj.

A do të jetë Sami Hajdaraj ky kandidat mbetet të shihet.

Në Qendrën e lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë pohojnë së të shtunën në Mbledhjen e Këshillit qendror do të diskutohet edhe tema e kandidatëve për kryetar komunash.

Leonard Shala, kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë për Gazetaere thotë se ende nuk është hapur tema e kandidatit për kryetar të komunës.

“I kemi disa kandidatë potencialë mirëpo për momentin ende nuk e kemi hapur si diskutim. Edhe kur të shpallen kandidaturat e mundshme, ato i nënshtrohen procesit të zgjedhjeve të brendshme një anëtarë një votë”.

A do ta ndryshoj Lëvizja Vendvendosje praktikën që kryetari lokal i subjektit të jetë edhe kandidatë për kryetar mbetet të shihet.

Edhe AKR-ja në Suharekë do ta ketë kandidatin për kryetar. Mustafë Kadriaj, kryetar i Degës së AKR-së shprehet se AKR si parti liberale që është  ia jep mundësinë secilit që t’i shpreh ambiciet, por vendosin organet e Degës pas marrjes së pëlqimit nga anëtarësia.

“ Për kandidatin e AKR-së për kryetar të Suharekës vendos kryesia e Degës, pas konsultave të gjëra më nëndegët dhe gjithsesi në konsultim me Qendrën.

Edhe në AKR, përflitet se kryetari i Degës mbetet i preferuari i anëtarësisë së këtij subjekti politikë. /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet