Kush do të jenë kandidatët për kryetar të Prizrenit?

Ndërkohë që PDK e LDK në strukturat e veta tashmë e kanë hapur temën e zgjedhjes së kandidatit për kryetar komune në Prizren, Aleanca dhe Nisma janë përcaktuar për emrat më të cilët do t’i futen garës. Se do të kenë kandidatë për kryetar të Prizrenit, për mediumin tonë e kanë konfirmuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, Partia Konservatore, AKR-ja, PD-ja, KDTP-ja, NDS-ja dhe Koalicioni VAKAT. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe kandidatë të pavarur.

Minir Krasniqi, Hasan Hasani, Deputeti Nezir Çoçaj, Kryesuesi i KK Kujtim Gashi por edhe emra të tjerë, sipas burimeve të Gazeta e Re, janë propozime brenda strukturës së Partisë Demokratike në Prizren, për kandidatë të këtij subjekti politik për zgjedhjet e rregullta lokale që do të mbahen këtë vit.

Në përgjigjen zyrtare të Degës së PDK-së Samir Hoxha, zëdhënës i Degës, pohon se “PDK në Prizren si subjekti me peshën më të madhe politike, që ka fituar në tri palë zgjedhje, duke ofruar alternativën më të mirë programore dhe qeverisëse për tre mandate radhazi, ka kohë që ka marr vendim që të hapet debati demokratik me të gjitha strukturat e degës me qëllim që të analizohet alternativa më e mire e mundshme, që do e vazhdoj traditën fituese për zgjedhjet lokale të këtij viti”.

Hoxha më tej pohon se potencialet e shumta kuadrovike, njerëzore e profesionale që ka PDK-ja, sigurisht që do ta bëjnë të lehtë që në kohën e duhur të prezantohet edhe kandidati konsesual për Kryetar Komune te Prizrenit.

Kjo përgjigje lë të kuptohet se gara brenda PDK-së vazhdon, por sipas të gjitha informacioneve Nezir Çoçaj dhe Kujtim Gashi, janë favoritët së paku deri në ndonjë zhvillim tjetër brenda këtij subjekti.

Derisa Nezir Çoçaj shihet si vlerë e dëshmuar brenda PDK-së, Kujtim Gashi përfaqëson një mendësi të re brenda kësaj partie. Marrja e përgjegjësive nga gjenerata e re e këtij subjekti politik, duke i premtuar qytetit edhe frymë të re qeverisëse. Sidoqoftë ky subjekt ka dëshmuar se deri në çastin e fundit, të gjitha përfoljet mbeten përjashta ndërsa vendoset në koordinim me qendrën.

Subjekti tjetër LDK-ja, që e synon kthimin e pushtetit në Prizren, gjithashtu konfirmon hapjen e debatit brenda strukturës për kandidatin për kryetar dhe përfolja e emrave është bërë e natyrshme. Fatmir Memaj sekretar i Degës së LDK-së tha se ambiciet e shfaqura janë normale dhe legjitime, mirëpo “LDK e ka Statutin, i ka organet dhe kandidaturat jo vetëm për Prizrenin, por edhe për qytetet tjera do të marrin “vulën” nga qendra. Ne jemi duke diskutuar për emra të mundshëm dhe këtë çështje do ta shtrojmë gjerësisht edhe në bazë. Jemi te bindur se kandidati i cili do të dal mbështetet nga shumica e anëtarësisë, pra edhe nga qendra, do të jetë fitues në zgjedhjet e ardhshme në Prizren” shprehet Memaj.

Nga burime brenda kësaj partie mësohet se kandidati i kryesisë aktuale me të cilin besohet se LDK në Prizren do t’i fiton zgjedhjet, është deputeti Hatim Baxhaku. Gjithashtu mësohet se me këtë është pajtuar edhe kryetari i Degës Haxhi Avdyli, por ekziston “rezistencë” ende te përkrahësit e kryetarit Haxhi Avdyli, të cilët besojnë se Prizreni fitohet me kandidimin e tij. Veç kësaj ka një rezistencë të heshtur për emrin e deputetit Baxhaku edhe të një pjesë e LDK-së që është aktive me pozita në qendër por jo edhe në aktivitetet e Degës, të cilët preferojnë që kandidati i LDK-së të jetë Hanefi Muharremi ose Valdet Hoxha kështu që mbetet që qendra ta jap fjalën përfundimtare.

Artan Abrashi, Kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren tha se “Përzgjedhja e kandidatit për Kryetar Komune bëhet sipas Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE. Kandidatët propozohen ose vetë propozohen brenda subjektit duke i mbledhur 1/5 e firmave të anëtarëve të qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! ose duke i mbledhur 1/5 e firmave të delegatëve të Këshillit të Qendrës. Pastaj i nënshtrohet procesit të votimit të brendshëm dhe shpallet si rezultat i vullnetit të shumicës së anëtarësisë në Prizren. Për këtë arsye nuk mund të flitet ende për ndonjë emër të përveçëm.

Është i njohur angazhimi i Vetëvendosje në Prizren për një koalicion parazgjedhor, por kur ky opsion duket i pamundshëm, emri i deputetit Mytaher Haskuka përmendet si kandidaturë e mundshme.

Partia Konservatore, jo me çdo kusht do ta insistojë ta ketë kandidatin për kryetar. Kryetari i këtij subjekti Munir Basha mendon se për PK -në esenciale është që Prizreni ta ketë një kryetar dhe qeveri e cila do të zgjidh problemet e qytetarëve. “Natyrisht, edhe ne si subjekt politik jemi në kërkim të kandidatit të duhur nga radhët tona, por me qëllim të arritjes së ndryshimit cilësor, jemi të gatshëm edhe të jemi në mbështetje të një kandidati cilësor” u shpreh Basha.

Basha gjithashtu thotë se: “Nuk do të dalim me kandidatin tone, vetëm pse është i “yni”. Kjo do duhej te ishte edhe qasja e subjekteve tjera politike që dëshirojnë përmirësimin e kushteve jetësore  të qytetarëve të Prizrenit. Së fundmi, ky është edhe qëllimi themelor i zgjedhjeve”.

Zafir Berisha e Lulzim Kabashi kanë konfirmuar kandidaturat

Në Kampet e Nismës e të AAK-së, tashmë po promovohen emrat të cilat sipas këtyre dy subjekteve janë njerëzit që më së miri mund ta udhëheqin Prizrenin.

Sekretari i Degës së Nismës për Kosovën Afrim Bekteshi tha konfirmoi se me Zafir Berishën përfundimisht Prizreni do t’i kthehet qytetarit dhe normalitetit.

Në anën tjetër Ilir Baldedaj nga AAK-ja, shprehet i bindur se “kandidati i AAK-së Lulzim Kabashi është kandidati që i duhet Prizrenit dhe më të cilin Prizreni do të ec përpara”.

Kandidat për kryetar do të kenë edhe PD, AKR, partitë boshnjake NDS, VAKAT dhe partia turke KDTP

Partitë e Komunitetit boshnjak NDS, koalicioni VAKAT dhe partia turke KDTP kanë paralajmëruar kandidaturat për të parin e Prizrenit në zgjedhjet lokale.

Sekretari i KDTP-së Ertan Simtci për mediumin tonë u shpreh se KDTP nuk do të bëjë koalicion me asnjë subjekt tjetër politikë pos që do të kërkojë mbështetje për kandidatin e vet.

“Jemi duke diskutuar me anëtarët e partisë, për sa i përket emrit për kandidat për kryetar në zgjedhjet lokale të këtij viti, por ende nuk e kemi ndonjë emër” tha për Gazeta e re Simitçi.

Kryetarja e NDS-it deputetja Emilija Rexhepi beson se NDS do ta ketë kandidatin për kryetar të Prizrenit. “Jemi në konsultim me grupe të prizrenasve intelektual që ta përkrahin kandidatin tonë” u shpreh Rexhepi e cila pohon se ka kontakte përveç me boshnjakët edhe me shqiptarët turqit dhe komunitetet RAE.

Edhe nga kampi rival i NDS-it, Koalicioni Vakat Prizreni, do të ketë kandidat për kryetar. Deputeti Rasim Demiri tha se në këto zgjedhje Partia Demokratike Boshnjake përkatësisht koalicioni Vakat do ta ketë kandidatin për kryetar të Komunës së Prireznit.”Veç kemi biseduar për këtë temë dhe kemi marr qëndrim. Vendimi përfundimtar do të merret në Kuvendin e përgjithshëm  pra vendimi është që koalicioni Vakat do ta ketë kandidatin e vet. Për emrin ende s’kemi biseduar” tha Demiri.

Kandidat për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale në Prizren do të kenë edhe Partia e Drejtësisë, AKR-ja por Prizreni e njeh edhe praktikën e kandidatëve të pavarur kështu që Prizreni do t’i ketë më së paku 10 kandidatë për kryetar Komune ne zgjedhjet e rregullta lokale të këtij viti./Gazetaere.com

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet