Kurti shpreh mirënjohjet e tij ndaj BE-së për ndihmën e vaksinave anti-Covid

Pas ceremonisë së rifillimit të procesit të vaksinimit me Pfizer, donacion ky i Bashkimit Evropian, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë zhvilluar edhe një takim bilateral me Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim. Në takim ishin të pranishëm edhe shefi i Zyrës së BE në Kosovë dhe Përfaqësues special i BE-së, ambasadori i BE-së Tomas Szunyog dhe Lazlo Andrejko, anëtar i kabinetit të Komisionerit.

Kryeministri Kurti e njoftoi komisionerin Várhelyi, për masat që ka ndërmarrë Qeveria për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe për fushatën e vetëdijesimit të popullatës për të vazhduar respektimin e masave mbrojtëse.

Ai tha se kujdesi i të gjithëve duhet të shtohet dhe se është shumë e rëndësishme që procesi i vaksinimit të intensifikohet para fillimit të verës, atëherë kur edhe mërgata jonë kthehet në Kosovë. Kryeministri Kurti tha se bashkatdhetarëve nga diaspora u duhet krijuar ambient i sigurt i qëndrimit, ashtu që ata të mund të ribashkohen me familjarët e tyre dhe të kontribuojnë në ringjalljen ekonomike të vendit.

Ministri Vitia e informoi komisionerin për gjendjen në shëndetësinë kosovare dhe theksoi nevojën e mëtejme për investime për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë.

Komisioneri Várhelyi premtoi angazhimin e Bashkimit Evropian për sigurimin e vaksinave për Kosovën qoftë duke ndihmuar në krijimin e lidhjeve me shtetet anëtare të BE-së ose duke ndihmuar në krijimin e kontakteve direkte me kompanitë e vaksinave.

Kategoritë
LajmeVendi