Kurti pret në takim përfaqësuesin e lartë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Nesër pritet që ai të takohet me ushtruesen e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njëherësh është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, është takuar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajçak, i cili ka ardhur sot në Kosovë ndërsa do të qëndrojë deri më 3 mars, takimin e parë e ka zhvilluar me Kurtin në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Nesër pritet që ai të takohet me ushtruesen e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njëherësh është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ardhja në Kosovë e Lajçakut është në kuadër të një vizite zyrtare të tij që do ta bëjë në Ballkanin Perëndimor.

Pas Kosovës, ai do ta vazhdojë vizitën në Serbi nga 3 deri më 4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars.

Kosova më 14 shkurt mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku sipas të dhënave të fundit të publikuara në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje me kandidat për kryeministër Kurtin ka numrin më të madh të votave të grumbulluara apo 47,90 për qind.

Pas saj radhitet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,37 për qind të votave, ndërsa partia e cila deri më tash ka qenë në Qeverinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 13,07 për qind të votave

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi