Kulturocidi i akterëve politikë ndaj kulturës komunikuese

Gjuha dhe forma e komunikimit flet shumë për formësimin e përgjithshëm të individit dhe sjelljen e tij ndaj tjetrit. Komunikimi, përgjithësisht nënkupton një gjuhë të përbashkët përmes të cilës individë dhe grupe të ndryshme shkëmbejnë informacione dhe krijojnë relacione të caktuara mes tyre.

Shkruan: Suad Jetullahi

Gjuha dhe forma e komunikimit flet shumë për formësimin e përgjithshëm të individit dhe sjelljen e tij ndaj tjetrit. Komunikimi, përgjithësisht nënkupton një gjuhë të përbashkët përmes të cilës individë dhe grupe të ndryshme shkëmbejnë informacione dhe krijojnë relacione të caktuara mes tyre.

Varësisht prej roleve që individët përvetësojnë në një shoqëri derivojnë edhe pritjet që kemi nga ata. Këtu përfshihet edhe sjellja dhe mënyra e komunikimit. Nga pikëpamja e rëndësisë nuk mund të anashkalohet edhe komunikimi politik që shprehet në forume, blogje, facebook, e kudo tjetër, ku trajtohen çështje të politikës, jipen mesazhe politike, shprehen bindje dhe qëndrime politike. Natyrisht që në secilën nga këto forma të komunikimit, shtrohet çështja e etikës dhe kulturës komunikuese duke pas parasysh se shprehja e qëndrimeve si dhe reagimet e politikanëve shpeshherë kalojnë në nivel të fyerjeve në baza personale.

Por, përfaqësuesit e qytetarëve në institucionet më të larta shtetërore janë të obliguar ex officio që përveç tjerash, të kultivojnë një kulturë komunikimi që i përshtatet rolit dhe pozitës së tyre në të gjitha format e komunikimit publik. Kjo në një aspekt është respektim për individët që këtyre të fundit i’u dhanë legjitimimin për t’i përfaqësuar. Fatkeqësisht, të legjitimuarit tanë në institucionet e të gjitha niveleve përgjithësisht kanë një kulturë komunikimi tejet të vrazhdë. Komunikim i këtij niveli që së fundi ndodhi mes dy përfaqësuesve të popullit është tregues i defekteve serioze multidimensionale që e kanë kapluar klasën politike. Ky fakt nuk do të thotë që gjuha e përdorur së fundi është diçka e re në komunikimin mes politikbërësve, por se përsëritja e saj e shpeshtë po sforcon ruajtjen e një minimumi të komunikimit të mirëfilltë. Nga ana tjetër, kjo sjellje jokorrekte që ata kanë me njëri-tjetrin po e zbeh edhe atë pak respekt që e gëzojnë tek masat.

Për të qartësuar edhe më tepër mungesën e etikës së komunikimit të klasës tonë politike vlen të krahasojmë komunikimin dhe sjelljen e tyre me pikëpamjen e Habermasit lidhur me etikën e komunikimit. Në argumentimin e tij për etikën e diskutimit publik, Habermas ndër të tjera shqyrton edhe ato kritere që e bëjnë komunikimin në përgjithësi dhe atë politik në veçanti, si etik. Sipas tij, komunikimi si i tillë, që të jetë komunikim, në kuptimin e plotë të fjalës, ai duhet të jetë i lirë, argumentdhënës, ku fiton ai që është më bindës dhe se secili duhet të tërhiqet nga qëndrimet e veta para logjikës së argumentit të tjetrit. I tërë procesi i diskutimit politik duhet të bazohet tek një argumentim i qartë ku ata që diskutojnë problematika të ndryshme i parashtrojnë propozimet e tyre dhe i analizojnë ato me një vështrim kritik.

Çdo gjë që del përtej këtij standardi dhe niveli që e kufizon lirinë e komunikimit, sigurisht që konsiderohet si shkelje e etikës së diskutimit, e rrjedhimisht edhe si e pamoralshme. Pothuajse secilën prej pikave të cilat Habermas i vlerëson të domosdoshme për një komunikim etik, politikbërësit tek ne jo vetëm që i shkelin, por insistojnë se niveli dhe forma e komunikimit që ata përdorin është plotësisht në përputhje me etikën e diskutimit politik. Përdorimi i një fjalori vulgar amortizon dhe rritë imunitetin ndaj të njëjtit, që pastaj rrezikon të kthehet në komunikim të përditshëm në diskutimet dhe debatet publike, jo vetëm në diskutimet e karakterit politik, por në të gjitha llojet e diskutimeve dhe debateve. Mesazhi që komunikime të tilla përçojnë tek publiku nuk do mend që është negativ, prandaj masat ndëshkuese ndaj zyrtarëve që praktikojnë një kulturë komunikimi të ngjashme duhet të jenë të rrepta.


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet