Kultura e leximit dhe standardi i lartë ekonomik

Leximi tregon një standard kulturor në një shoqëri të zhvilluar. Shtetet më të fuqishme në botë, bëjnë përpjekje maksimale që të paktën politikat arsimore t’i përsosin në këtë aspekt, në mënyrë që nxënësit dhe studentët ta kultivojnë kulturën e leximit dhe të ambientohen me të, që në rini. Indikatorët e zhvillimit ekonomik dhe në përgjithësi të standardit jetësor, mbase jo në një mënyrë të drejtpërdrejtë, por të tërthortë, ndërlidhen edhe me këtë kulturë. Matjet bëhen në mënyrë sistematike, ndërsa rezultatet u korrespondojnë kryekëput zhvillimeve të përgjithshme brenda shoqërive relevante – shkruan Gazeta e Re.

Vitin që e lamë prapa Globale English Editing, publikoi një listë, ku rendiste shtetet në të cilat qytetarët lexojnë më së shumti libra. Në këtë listë printe: 1.Finlanda; e pasuar nga 2. Norvegjia; 3. Islanda; 4. Danimarka; 5. Suedia; 6. Zvicra; 7. Shtetet e Bashkuara; 8. Gjermania; 9. Latvia; 10. Holanda; 11. Kanada; 12. Franca; 13. Luksemburgu; 14. Estonia dhe 15. Zelanda e Re.

Por ç’konsekuenca, nëse mund të shprehemi kështu, ka kultura e leximit? Matt Duczeminski, një blogger i njohur, renditë disa përparësi të hetuara te shoqëritë që lexojnë. Qytetarët e shoqërive që lexojnë dallohen për: “a) aftësi më të mëdha në fokusim të çështjeve; b) janë më të qartë në qëllime; c) e shpenzojnë kohën në mënyrë më racionale; d) kanë më shumë perspektivë; e) reflektojnë më tepër mbi problemet me të cilat përballen; ë) kanë aftësi mahnitëse të të shkruarit dhe të të shprehurit; f) kanë memorie më të shëndoshë; g) janë më të freskët; h) janë të edukuar dhe të informuar; dhe i) lexojnë për t’u relaksuar”.

Shikuar nga një perspektivë tjetër, të gjitha shoqëritë e të gjitha vendeve që qëndrojnë në krye të këtyre listave që ndërlidhen me kulturën e të lexuarit të librave, kanë po ashtu standarde të larta të mirëqenies sociale e ekonomike, sisteme të arsimit për t’u admiruar, sisteme shëndetësore ku shërbimet janë shumë efikase dhe drejtësi e barazi sociale ndërmjet anëtarëve.

Në përgjithësi ekspertët e shteteve të tilla, shpenzojnë kohën duke bërë studime shteruese në fushën e arsimit, duke i përmirësuar vazhdimisht kurrikulat shkollore dhe programet arsimore. Ata në vijimësi kërkojnë rezultate më të mira në këtë aspekt. Kjo garë e fortë, jo krejtësisht e shpallur në mënyrë të hapur, vihet në dukje sidomos në rezultatet që i nxjerr PISA (Program for International Student Assessment). Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të vendeve pjesëmarrëse, u nënshtrohen disa testeve, duke ua matur aftësitë e leximit, si dhe njohuritë në matematikë e shkencës.

Renditja e fundit, sipas këtij programi, është bërë vitin e kaluar ndërsa në krye të listës qëndron Singapori, e pasuar nga Hong Kongu në matematikë dhe lexim, ndërsa në shkencë nga Japonia.  Finlanda, Kanada, Irlanda, Estonia, Koreja etj, renditen në dhjetëshen e shteteve në të cilat nxënësit lexojnë më së shumti. Programi i ndonëse është kritikuar nga disa ekspertë, prapë se prapë konsiderohet një vlerësues i saktë. Qeveritë, përkatësisht ministritë e arsimit në e të gjitha vendeve pjesëmarrëse, vazhdimisht ndodhen në presion të lartë. Ato kritikohen ashpër, nëse nuk lëvizin për të mirë në tabelën e PISA-s dhe ndonjëherë, ekzistenca e tyre në pushtet, varet drejtpërdrejtë nga këto rezultate. E te ne?…/Gazetaere.com/

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet