Kufijtë e Ballkanit, nuk do të ndryshohen

Ndërkohë që frika e mundësisë së ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vijon të mbetet aktuale, nga Gjermania është përsëritur një qëndrim i kamotshëm, që ka të bëjë pikërisht për këtë çështje. Duket që linja zyrtare mbetet kategorikisht kundër këtij opsioni – shkruan Gazeta e Re.

Vet zyrtarët e BE-së kanë treguar shenja luhatjeje për sa i përket çështjes së kufijve. Nëse do të kishte një pajtim ndërmjet palëve për këtë çështje, edhe BE do ta miratojë marrëveshjen, kështu të paktën ka deklaruar Johannes Hahn, Komisioner për Zgjerim i Bashkimit Evropian.

“Pa marrë parasysh se cila është zgjidhja dhe ne nuk përjashtojmë asgjë, duhet ta dimë se gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në rajon. Kjo lloj marrëveshje nuk duhet të shtyjë ide të tjera”, pat thënë ai ndër të tjera në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, vitin e kaluar.

Por së fundi Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit në Komisionin Ndërparlamentar të Stabilizim Asocimit Serbi-BE, është shprehur skeptik për sa i përket arritjes së ndonjë marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, meqë sipas tij vet BE ka manifestuar një “mungesë të lidershipit” në këtë çështje.

“I kërkoj ndjesë zonjës Mogherini, por BE e ka treguar qartë këtë mangësi në çështjen e dialogut. Negociatat mund të funksionojnë nëse tregoni një udhëheqje të fortë. BE duhet të jetë e vendosur në këtë proces, dhe më e sakte në parashikimin e ngjarjeve dhe reagimin ndaj tyre “, citohet të ketë thënë Kukan.

Çështja ka ngecur te versionet e mundshme të marrëveshjes. Si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi debati ka shpërthyer rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve. E kundër çdo versioni që çon në ndryshim kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është deklaruar Gjermania. Zyrtarët e shtetit më të fuqishëm brenda BE-së, e kanë përsëritur këtë, duke ua tërhequr vërejtjen krerëve politikë ballkanas për rrezikun e kësaj ideje.

Johanna Deimel, eksperte gjermane e këtyre çështjeve, në një intervistë për Deutsche Welle, ia ka kujtuar opinionit publik mbarëkombëtar se gjermanët këtë ide e cilësojnë të rrezikshme jo vetëm për Kosovën:

“Gjermania bën pjesë tek ato vende të BE-së që janë shprehur qartë dhe kundër propozimit të Vuçiqit dhe Thaçit për ndryshime kufijsh. Zhvendosjet që lidhen me këtë përbëjnë një rrezik të madh sigurie politike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit. Me sa duket kritika e qartë dhe shqetësimi, që erdhi nga Berlini dhe personalitete të njohur ndërkombëtarë e ekspertë të Ballkanit ka dhënë efektin e vet.”

Sipas saj: “Nëse tani nga Berlini jepet një impuls i ri, nëse nisen mesazhe të qarta në drejtim të Prishtinës, Beogradit dhe Tiranës, që vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës pa ndryshime kufijsh në bazë të kritereve etnike mund të jetë objektivi për të dyja vendet, për rajonin dhe për Europën, atëherë kemi arritur të fitojmë shumë.”

Ajo ka shtuar që, megjithëqë ideja e ndryshimit ende ekziston, ajo e ka humbur dinamikën javëve të fundit.

Askush nuk e di se ç’përfytyrojnë Thaçi e Vuçiq rreth çështjes, meqë “nuk ka asgjë të hapur mbi tryezë”, por ka një rezistencë të qartë kundër idesë në Berlin, në disa vende të BE-së, si dhe në Kosovë.

Parlamenti i Kosovës, me gjithë zhurmën e madhe që e ka krijuar rreth kësaj teme tash e sa muaj, nuk ka arritur të votojë një propozim-rezolutë e cila do ta pengonte Presidentin Thaçi për të nënshkruar ndonjë marrëveshje që e ka përbrenda këtë opsion.

Njohësit e zhvillimeve në Ballkan, konsiderojnë që Serbia nuk është shterur nga apetitet e vjetra nacionale, që i ka shtyrë forcat politike të provojnë krijimin e “parcelave” etnikisht të pastra me serbë. Prandaj Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi mbetën prijatarët e ringjalljes së kësaj ideje, shprehen ata.

Ky i fundit është shprehur optimist për sa i përket arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare ndërmjet dy vendeve. Në një intervistë dhënë së fundi për mediumin britanik Guardian, ai ka thënë se ajo mund të arrihet këtë vit. Për sa i përket çështjes së ndryshimit apo shkëmbimit të territoreve, presidenti duket që ka filluar të mendoj më ndryshe, ndërsa është shprehur se edhe Kosova edhe Serbia “do të mbesin vende multietnike”.

Vetëm takimi i paraparë i 29 prillit, ndërmjet Kancelares Angela Merkel, Presidentit Macron dhe dy presidentëve Thaçi e Vuçiq, mund t’i jap fund një aventure të tillë. Sipas Deimel, ky do të jetë një sinjal i qartë ndaj Brukselit dhe Uashingtonit se Gjermania, por edhe Franca, janë kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet