Kryeqyteti i Kazakistanit do të quhet si ish-Presidenti i vendit

Kazakistani ka ndryshuar emrin e kryeqytetit të tij nga Astana në Nursultan si shenjë nderimi për liderin në ikje, Nursultan Nazarbayev, i cili ka dhënë dorëheqje papritur ditën e martë.

Ky ndryshim është bërë i ditur pasi Kassym-Jomart Tokayev është betuar si president, duke u zotuar se do të kërkojë mendimin e paraardhësit të tij për vendime kyçe. Nazarbayev, 78 vjeçar, ka shërbyer 30 vjet si lider i këtij shteti. Ndërkohë, vajza e tij e madhe është emëruar kryetare e Dhomës së Lartë të parlamentit. Emërimi i Dariga Nazarbayeva në pozitën e dytë më të lartë në këtë shtet ka ngritur pyetje nëse ajo do të jetë pasardhësja e babait të saj në të ardhmen.

Babai i saj, që është udhëheqës i partisë në pushtet, do të vazhdojë të jetë në krye të Këshillit për Siguri në këtë shtet dhe do të mbajë titullin, Lider i Kombit.

Megjithatë, analistët kanë thënë se ende është shumë herët për të treguar se kush do të garojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Astana, që nënkupton “kryesor” në gjuhën kazake, është bërë kryeqytet i Kazakistanit më 1997.

Kategoritë
KurioziteteTë ndryshme

Të ngjajshmet