Starmer tha se beson në BBC “të pavarur”, ndërsa një ligjvënës pretendoi se transmetuesi është “nën sulm” nga një qeveri e huaj
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se beson në një “BBC të fortë dhe të pavarur” pas thirrjeve të liderit të Liberal Demokratëve, Ed Davey, për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për veprime ligjore kundër transmetuesit publik britanik
Gjatë seancës së pyetjeve drejtuar kryeministrit sot, Davey akuzoi Trumpin se po përpiqet “të minojë lirinë e shtypit”, duke pretenduar se BBC-ja është “nën sulm” nga një qeveri e huaj dhe se presidenti amerikan po “nxitet nga udhëheqësi i ‘Reform UK’”.
Ai e pyeti Starmerin nëse do t’i kërkonte Trumpit të tërhiqte kërcënimet ligjore kundër BBC-së dhe nëse mund të premtonte që paguesit e tarifës së licencës të mos mbanin barrën e ndonjë mbrojtjeje ligjore.
Starmer u përgjigj: “Të jem i qartë, unë besoj në një BBC të fortë dhe të pavarur. Disa do të preferonin që BBC-ja të mos ekzistonte. Disa prej tyre janë atje lart. Unë nuk jam një prej tyre. Në një epokë të dezinformimit, argumenti për një shërbim informativ britanik të paanshëm është më i fortë se kurrë”.
“Kur bëhen gabime, ata duhet t’i rregullojnë punët e tyre, dhe BBC-ja duhet të mbajë standardet më të larta, të jetë e përgjegjshme dhe të korrigjojë shpejt gabimet. Por unë gjithmonë do të mbroj një BBC të fortë e të pavarur”, shtoi ai.
Davey akuzoi qeverinë e mëparshme konservatore për “minimin e pavarësisë së BBC-së” dhe pretendoi se ajo kishte emëruar dy “miq konservatorë” në bordin drejtues të transmetuesit.
Ai tha se njëri prej tyre, Robbie Gibb, ishte “akuzuar disa herë se kishte ndërhyrë në vendimet editoriale”, duke shtuar se “Gibb nuk duhet të ketë asnjë rol në përzgjedhjen e drejtorit të ardhshëm të përgjithshëm të BBC-së”. “A do ta shkarkojë kryeministri tani?”, pyeti ai.
Starmer tha se ishte dakord që qeveria e kaluar kishte minuar punën e BBC-së, por shtoi: “Unë jam një mbështetës i fortë i BBC-së, në termat që tashmë i kam sqaruar”.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes për Gibbin.
Debati ndodhi pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, të dielën, pas kritikave për redaktimin e një fjalimi të Trumpit përpara sulmit ndaj ndërtesës së Kongresit të SHBA-së më 6 janar 2021.
Që atëherë, Trump e ka përsëritur kërcënimin e tij për të nisur një padi prej 1 miliard dollarësh kundër BBC-së. Duke folur në një intervistë për “Fox News”, ai tha: “Mendoj se kam detyrimin ta bëj. Nuk mund t’i lejosh njerëzit të veprojnë kështu. Besoj se duhet ta bëj. Ata e mashtruan publikun dhe e kanë pranuar këtë. Dhe kjo ndodh brenda njërit prej aleatëve tanë të mëdhenj – supozohet të jetë aleati ynë i madh”.

















