Kroacia notë proteste për çështjen e ushtarëve serbë

Kroacia ka bërë një note proteste kundër Serbisë për atë që Zagrebi e quan si një përpjekje të një grupi ushtarësh serbë për të hyrë ilegalisht në territorin kroat, të shtunën e kaluar.

Megjithëse ambasadorja serbe në Zagreb, Mira Nikoliç u thirr në Ministrinë e Jashtme kroate, ajo nuk pranoi ankesën e paraqitur nga autoritetet kroate.

Incidenti ndezi polemika mes dy vendeve, me shkëmbime deklaratash dhe akuza pas mëngjesit të së shtunës, kur policia kufitare kroate u ndaloi hyrjen në vend një grupi prej 11 ushtarësh serbë, të cilët synonin të bënin vizita për viktimat serbe në ish-kampin e përqendrimit në Jasenovac, i themeluar nga regjimi pro-fashist kroat i ustashëve gjatë Luftës II Botërore.

Ministria e Jashtme kroate e quajti incidentin si një provokim nga Beogradi.

Ushtarët, pretendon Zagrebi, u përpoqën të hyjnë ilegalisht në Kroaci pa njoftuar autoritetet dhe pa asnjë autorizim për të kaluar kufirin.

Në të njëjtën kohë, reagime të shumta pati edhe nga ana serbët drejtuar Kroacisë, një vend fqinj, anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Ministria e Jashtme kroate tha se ”incidenti është një demonstrim i paaftësisë së Serbisë për të harruar të kaluarën e saj për luftërat e viteve ’90”.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet