“Kriza” e vizave

A do të jetë viti 2019-të vit i liberalizimit të vizave për kosovarët, ashtu siç edhe kanë premtuar krerët më të lartë institucionalë? Kjo mbetet të shihet. Por Draft Dokumenti i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, ndonëse jo i formës përfundimtare, e lë të hapur çdo opsion. Qytetarët e Kosovës, e presin me ankth vendimin përfundimtar, i cili, sipas konkuzave të këshillit, varet edhe nga disa faktorë të tjerë – shkruan Gazeta e Re.

Ndonëse jo i formës përfundimtare, draft-dokumenti i Këshillit të Ministrave të BE-së i publikuar në faqen zyrtare të BE-së, tregon që opsionet për liberalizimin e vizave për Kosovën, janë ende të hapura. Çështja në falë është ende në shqyrtim e sipër. Si rrjedhojë, qytetarët e republikës sonë, nuk mund ta dinë ende qëndrimin përfundimtar i cili pritet të dalë nga këshilli.

Më saktësisht në dokumentin e publikuar thuhet se këshilli “e ka parasysh rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Komisioni ka propozuar formalisht në maj të vitit 2016 transferimin e Kosovës në listën e lirë të Schengenit dhe ka prezantuar një raport në korrik të vitit 2018 rreth përmbushjes së kritereve të mbetura. Në mars të vitit 2019 Parlamenti Evropian e ka mbështetur propozimin e Komisionit në lexim të parë. Vendimi rreth propozimit po shqyrtohet aktualisht në Këshill.”

Por për Kryeministrin e Republikës së Kosovës Ramush Haradinajn, nuk bëhet fjalë për hapa prapa për sa i përket liberalizimit të vizave. Sipas tij, çështja ka avancuar. Në një konferencë për media, pas mbledhjes së rregullt të qeverisë, kreu i qeverisë e komentoi edhe draft-dokumentin e Këshillit të Ministrave të BE-së. Ndër të tjera ai tha që taksa 100%  e vënë për Serbinë, nuk ka të bëjë me raportet me shtetet e tjera. Ndonëse, sipas tij, “taksa përmendet në klauzolën për vizat”, vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet për integrim.

E meqë raportet me Serbinë dhe vet procesi i dialogut, është në fokus të shteteve më të fuqishme brenda BE-së (Gjermanisë dhe Francës), taksa, megjithatë, përbënë një pikë kyçe në raportet bilaterale.

Duke i komentuar këto zhvillime, analisti Blerim Burjani, për Gazeta e Re ka thënë që krerët vendorë janë duke bërë një “politikë amatore.” Sipas tij udhëheqësit aktual që kanë dalë nga PAN-i, janë të interesuar që sa më gjatë ta mbajnë gjendjen kështu siç është. Sepse kështu, sipas Burjanit, ata po pasurohen pa pasur një bazë, duke u ushqyer nga “korrupsioni, i cili sipas Apostolovës, është problemi kryesor i cili veç po vjen duke u zgjeruar, pa ndalur.”

Ai ka shtuar se “korrupsioni, nuk nënkupton vetëm mito-n, siç e perceptojnë këta njerëz të pashkollë gabimisht, korrupsion do të thotë zhvatje e parasë publike, korrupsion do të thotë punësime nepotiste, korrupsion do të thotë zgjedhje e njerëzve nëpër pozita jo meritore publike, duke përfshirë këtu edhe ambasadorë.

Kosova ka probleme serioze me këtë klasë politike, e cila përleshet për karrige dhe poste politike, për të marrë pozita, në mënyrë që ta zhvas buxhetin e qytetarëve. Shkurt rendi dhe ligji, përkatësisht funksionimi i gjykatave është problemi kryesor i shtetit tonë. Por pa e larguar këtë klasë politike nga pushteti, nuk mund të ketë rend dhe ligj.”

Kësisoj, sipas Burjanit, e mira e qytetarëve nuk do të vije nga vizat, liberalizimi i tyre, por nga rrëzimi i kësaj kaste të korruptuar politike. E për sa i përket aktit të liberalizimit, ai me gjasë do të ndodhë gjatë presidencës finlandeze. Më saktë gjatë periudhës së gjashtë mujorëshit të dytë të këtij viti.

Disa vende kanë ende rezerva (siç është Franca dhe Holanda), por edhe vende të tjera, meqë republika jonë po vuan shumë nga dukuria negative e krimit ekonomik, korrupsionit e nepotizmit.

Njohjet nga vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, (siç është Spanja), mund ta lehtësonte procesin, por këto kanë pak gjasa që të ndodhin. Për më shumë, vendi mund të shkojë në zgjedhje nacionale të parakohshme këtë vit dhe kjo të ndikojë shumë në skenarin e zhvillimeve, edhe për sa i përket liberalizimit./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet