Kriza e sistemit të drejtësisë mund të kalohet me anë të Veting-ut

Prej kohësh është proklamuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë, nuk mund të funksionojë si duhet, pa iu nënshtruar të ashtuquajturit ‘Proces i Vetingut’. Çalimi i sistemit në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, është evident. Ky sistem, të cilin zërat opozitarë kanë dëshirë ta quajnë si të kapur, ka dështuar madje t’u jap përgjigje skandaleve të shumta të cilat kanë shpërthyer njëra pas tjetrës, të dënuara ashpër edhe nga opinioni publik. Emra zyrtarësh të shumtë, veçmas politikanë, janë lakuar nëpër raportimet e ndryshme të medieve, por për një pjesë të tyre, procesi i hetimeve është zvarritur, mjaft sa për të lindur dyshimet. Prandaj <<pa proces të vetingut, nuk mund të bëhet fjalë për luftë ndaj korrupsionit>>, thonë njohësit e kësaj fushe – shkruan Gazeta e Re.

Në raportin e fundit të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit për periudhën janar – dhjetor të vitit 2017, kjo agjenci njofton se <<ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsej 357 raste, prej të cilave 45 janë bartur nga viti paraprak, kurse gjatë vitit 2017 janë pranuar edhe 312 raste. Prej tyre 109 raste, janë përcjellë në Prokurori dhe Polici për procedim të mëtutjeshëm, 17 raste janë përcjellë në organet kompetente administrative me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore, 92 raste janë mbyllur, ndërsa 139 raste janë në procedurë. Numri i përgjithshëm i informacioneve anonime të trajtuara është 35. Gjatë vitit raportues Agjencia ka trajtuar gjithsej 224 raste të iniciuara sipas detyrës zyrtare (ex-officio).>>

Ndërsa për rastet e përcjellura në institucionet kopetente, raporti vijon, duke njoftuar se: << janë përcjellë 109 informata dhe kallëzime penale. Prej tyre në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit janë përcjellë 89 kallëzime penale, për të cilat Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ato janë deleguar në kompetencë të prokurorive respektive. Në DHKEK janë përcjellë 18 informata, ndërsa 2 informata të tjera – njëra është përcjellë në Prokurorin e Shtetit dhe tjetra në Prokurorinë Speciale. Në shtatëmbëdhjetë (17) raste, pas përfundimit të procedurave hetimore paraprake, është konstatuar se nuk ka të dhëna të mjaftueshme apo/dhe dyshim të arsyeshëm se rasti mund të përbëjë vepër penale, por është dyshuar për shkelje administrative. Agjencia këto raste i ka përcjellë te organet kompetente administrative me kërkesën për fillimin e procedurës disiplinore. Vlera e dëmit të shkaktuar sipas rasteve të përcjella në Prokuroritë kompetente dhe Polici nga rasti në rast nuk është arritur të saktësohet.>>

Përkundër shifrës së lartë, institucioni në fjalë, nuk ka mundur të merret me “rangun” më të lartë të zyrtarëve të shtetit, ndërsa i mungojnë edhe kompetencat ekzekutive. Por problemet nisin te mekanizmat e tjerë të shtetit, përkatësisht sistemit të drejtësisë, si në prokurori dhe gjyqësi. Zvarritja, siç thuhet, e rasteve, vënë në dyshim pavarësinë e sistemit.

Ditar Kabashi, njohës i kësaj fushe, për Gazeta e Re ka thënë se: <<Në parim, riverifikimi profesional dhe etik i pjesëtarëve të gjyqësorit është hap i nevojshëm për të konsoliduar funksionimin e rregullt të shtetit. Mirëpo, duhet pasur parasysh se ky proces në thelb i dobishëm mund të marrë kahe të padëshiruara nëse proceduralisht nuk përllogaritet si duhet. Kjo domethënë se duhet planifikuar detajisht se si do të funksionojë si proces. Kush do të jetë autoriteti vlerësues, sa do të jetë i pandikuar politikisht, sa do të jetë objektiv dhe i zhveshur nga konfliktet e interesit, sa do të shërbejë për kurimin e sëmundjes nga e cila lëngon gjyqësori etj.>>

Por ky proces, vetëm është përmendur, ndërsa institucionet relevante nuk kanë qenë të gatshme ta shtyjnë më tej agjendën. Një proces i tillë, por më formal, ka ndodhur në vitin 2009-të, por i cili nuk ka pasur shumë efekte. Prandaj, duke u nisur nga kjo Kabashi paralajmëron se duhet pasur shumë kujdes:

<<…Këtyre pikëpyetjeve u shtohen edhe ca çështje konkrete. Njëra ndër to është cenimi i mundshëm i ndarjes së pushteteve, meqë gjyqësori do të kontrollohet nga ndonjë organ i specializuar që në instancë të fundit do të burojë nga vullneti i legjislativit e ekzekutivit. Pikë tjetër mund të jetë cenimi potencial Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo ndodh nëse nuk do të parashihen mjete juridike të mjaftueshme kundër vlerësimeve të vetingut, gjë që mund të çojë në interpretimin se shkelet neni 6 i Konventës i cili garanton të drejtën për një proces të rregullt. Gjithashtu, në rast se në mënyrë të pabazë dhe jo të arsyetuar me interesin publik shkelet privatësia e të vlerësuarve mund të sjellë situatën e shkeljes së nenit 8 të Konventës që garanton respektimin e jetës private dhe familjare. Si konkluzion, mund të thuhet se Kosova duhet të ketë kujdes të shtuar në këtë proces të ndjeshëm ngase në emër të profesionalizmit të mëtejmë të pushtetit gjyqësor, mund të ketë largime individësh të paanshëm politikisht dhe akomodim të të tjerëve që politikanëve ua mbajnë ison. E kjo do të ishte fatale për vendin tonë>> – përfundon Kabashi.

Vet legjislativi, me orvatjet e tij për ta vënë në funksion procesin e vetingut, nuk kanë qenë aq këmbëngulës.

<<Kam biseduar edhe me mandatarin për çështjen e Vetingut i cili do të përfshijë jo vetëm sistemin e drejtësisë dhe sigurisë por edhe atë politik>> – citohet të ketë deklaruar Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, në një konferencë fundvitin që shkoi. Deklarime të tilla kanë ardhur shpesh edhe nga deputetët anëtarë të Komisionit për Legjislacion, artikulime që nuk janë jetësuar edhe në formë veprimi. Aktualisht, vëmendja e të zgjedhurve të popullit, nuk është te reformat në drejtësi, por te procesi i bisedimeve, çështje për të cilën është fragmentarizuar i tërë spektri politik. Në rrethanat e kësaj krize, vështirë mund të parashikohet një skenarë që do ta inicionte një proces të tillë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet