“Kriza e pasaportave” në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë teknike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Naqe Çulev, tha se “kriza e pasaportave” është pasojë e zgjidhjes së paintegruar të problemit me dokumentet personale.

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk janë në gjendje të marrin dokumentet e udhëtimit në kohën e duhur për shkak të mungesës së formularëve të dokumenteve personale, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për media, ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë teknike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Naqe Çulev, tha se “kriza e pasaportave” është pasojë e zgjidhjes së paintegruar të problemit me dokumentet personale.

“Sipas asaj që u vërtetua në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), ku unë kërkova informacione të detajuara që më janë dhënë nga të gjitha departamentet përkatëse të MPB-së në 7 janar, përfshirë edhe një takim me Komitetin Drejtues, do të thotë se kriza e pasaportave është rezultat i një zgjidhjeje të paintegruar të problemit me dokumentet personale”, tha Çulev.

Ai sqaroi se kontrata 10-vjeçare me kompaninë furnizuese skadoi në vitin 2017 dhe që atëherë janë nënshkruar marrëveshje kornizë 2-vjeçare, në vend që të nënshkruhet një kontratë e re afatgjatë.

Paraprakisht, Çulev njoftoi Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit për ekzistimin e indikacioneve për abuzimit të pozitës zyrtare.

Çulev theksoi se ky problem i është trashëguar nga ish ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, i cili tani është kryeministër në qeverinë teknike.

Nga ana tjetër, Spasovski në një konferencë për media të mbajtur në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut tha se përderisa ishte ministër i Punëve të Brendshme, në opinion nuk kishte asnjë problem me pasaportat.

Ai gjithashtu tha se autoritetet hetuese mund të hetojnë lirshëm të gjitha aspektet, duke shtuar se ai nuk do t’i ikë përgjegjësisë nëse ishte përgjegjës.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë caktuar për 12 prill të këtij viti.

Sipas Ligjit për Qeveri, më së voni 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, respektivisht më 3 janar, kryeministri dha dorëheqje dhe në krye të qeverisë teknike erdhi ministri i deriatëhershëm i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ndërsa si ministër i përkohshëm i Punëve të Brendshme u caktua Naqe Çulev nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet