Kritikat ndaj partive rreth listave të kandidatëve dhe prezantimit të tyre në emisione televizive

Disa mediume televizive, siç duket, kanë rastin e ideal që ta rrisin shikueshmërinë nëpër emisionet që u dedikohen zhvillimeve politike. Por në “spektaklet” që po u ofrohen publikut, asgjë nuk po merret vesh rreth programeve zgjedhore, ofertat që ato i kanë për votuesit, e as që po u epet rasti të komentohen listat e kandidatëve; për ç’gjë që kanë filluar të kritikohen gjithnjë e më shpesh – shkruan Gazeta e Re.

Një kritikë e rreptë ka ardhur nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett, i cili kësaj radhe i ka targetuar listat e disa partive. Në një reagim në llogarinë e tij në Twitter ai ka shkruar kështu:

«Si mundet  që qytetarët ta marrin seriozisht përkushtimin e deklaruar të partive politike për sundimin e ligjit në Kosovë, kur në listat e shumë partive janë përfshirë individë me aktakuza aktive, të dënuar për vepra të tilla si krime lufte dhe sulme dhe të sanksionuar ndërkombëtarisht për krime të luftës dhe korrupsionit?».

Duket që edhe përkundër këshillave të ndërkombëtarëve, disa nga partitë politike, nuk kanë arritur që t’i shmangin nga lista ambiciet e disa kandidatëve që janë të akuzuar për korrupsion.

Por përveç listave, partitë kanë marrë kritika edhe për mënyrën se si po e zhvillojnë para-fushatën zgjedhore. Nuk është për t’u lëvduar as paraqitja e kandidatëve nëpër emisionet televizive.

«Debatet nëpër TV-të private më tepër show që udhëhiqen nga njerëz jo-kompetentë» – është shprehur i shqetësuar Blerim Burjani, analist politik. Sipas tij, në këto debate më shumë diskutimi po orientohet në çështje ndërpersonale se sa që flitet për problemet e qytetarëve, apo si të zgjidhen ato.

«Debatet televizive në TV-të private të udhëhequra nga gazetarë që thirren si “analistë” dhe shpeshherë pretendojnë çuditshëm të marrin rolin edhe të “ekspertëve të fushave” është cirku» dhe dëmi më i madh që po i bëhet opinionit publik – thotë më tej ai.

Sipas tij, skema ku 4, 5 gazetarë flasin edhe për sondazhet dhe gjithçka, si për politikën, shtetin, institucionet etj, u ngjajnë takimeve të mëhallave ku «mblidhen shokët, flasin për tema të ndryshme dhe në fund shkojnë nëpër shtëpia».

Më e mira, sipas Burjanit, është që kandidatët për deputetë, pavarësisht se kush janë ata, nëse e shkelin kodin e mirësjelljes, nuk duhet të ftohen nëpër emisione televizive.

Siç dihet, në njërin prej televizioneve tona, para disa netësh, dy kandidatë për deputetë përveç akuzave të ndërsjella përgjatë emisionit, pasi kanë dalë nga studioja, janë përleshur edhe fizikisht. Kjo gjendje e tensionuar, sipas pjesës më të madhe të opinionit publik, nuk i kontribuon aspak demokracisë. Rastin ku Haki Abazi, kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, dyshohet se u sulmua nga deputeti Dardan Molliqaj nga radhët e PSD-së, e ka konfirmuar edhe policia. Prokurori i rastit, edhe sipas raportit 24 orësh të policisë, është duke e hetuar me kujdes rastin.

Në opinionin publik kanë shpërthyer menjëherë komentet, ku shumica e qytetarëve e kanë dënuar këtë akt, duke thënë se kjo atmosferë e tensionuar para fushatës zgjedhore, nuk i kontribuon aspak demokracisë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet