KQZ pret ankesat e mundshme në Supreme para se të procedojë vendimet e PZAP-it

Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion në rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 7 nëntor, por që sipas KQZ ky institucion duhet të presë afatet ligjore për të proceduar tutje.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili tha se në vendimet e PZAP ka këshilla juridike që lejojnë ankesë kundër vendimeve të PZAP-së në Gjykatën Supreme.

Elezi: Presim 24 orë për të proceduar tutje

“Këtu kam parasysh dy vendimet që kanë të bëjnë me përjashtim nga rezultati të një pjesë të fletëvotimeve dhe për rinumërimin e 1.472 vendvotimeve. Në këto vendime ka këshillë juridike që lejon ankesën kundër këtyre vendimeve në Gjykatën Supreme. Prandaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i obliguar të respektojë këtë afat ligjor para se të procedojë më tutje…Do të presim afatin 24 orësh ashtu siç është mundësuar në këto vendime tek këshilla juridike do të presim këtë afat ligjor para se KQZ të procedojë më tutje”, tha ai.

Sipas tij Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë ashtu siç ka bërë deri më tani, në përputhje me vendimet që e obligojnë KQZ-në.

Gjatë ditës së sotme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, ka vendosur për 100 ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të cilët janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

PZAP-i 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.

Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.

23 ankesa janë hedhur te pasafatshme dhe të palejuara, 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe 1 ankesë konstatohet e tërhequr.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet