KQZ-ja jofunksionale, për këtë akuzohet Presidenti Thaçi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është një organ shtetëror i cili merret me përgatitjet, organizimet dhe mbajtjet e proceseve zgjedhore në vend. Pa këtë organ, praktikisht, nuk mund të mbahen zgjedhjet në vend, ndërsa aktualisht ai është i bllokuar – shkruan Gazeta e Re.

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme të sotme ku u diskutua pikërisht për fatin e këtij organi, fajin ia hodhën Presidentit të Republikës – Hashim Thaçit.

“Ai dëshiron ta centralizojë pushtetin afër vetes” – prandaj nuk i ka dekretuar anëtarët e KQZ-së, tha Arbër Rexha, deputet nga radhët e LVV-së. 11 anëtarët, tash e një vit, nuk kanë mandat, meqë presidenti nuk i ka dekretuar ata.

Megjithatë, deputetët nga koalicioni qeverisës, përkatësisht ata nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë konsideruar se seanca e sotme, ka qenë e panevojshme dhe se nuk do ta përkrahin rezolutën e propozuar nga deputetët e VV-së për këtë çështje.

“Jemi që sa më parë të emërohen anëtarët e KQZ-së, jemi të gatshëm të japim kontributin tonë. Kjo seancë është ndërhyrje në punën e presidentit që është e përcaktuar me kushtetutë. Si grup parlamentar jemi dëmtuar më së shumti nga kjo gjendje, sepse kemi një deputet që pret në radhë. Është e pakuptimtë ndërprerja e punës së KQZ-së. Bllokada ka qenë e qëllimshme nga disa anëtarë të partive politike, që kanë marrë paga por nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e KQZ-së. Seanca e sotme është e panevojshme, dhe e papranueshme është rezoluta e propozuar. Është pe papranueshme ndërhyrja në punën e presidentit. Kërkojmë që presidenti sa më parë t’i emërojë anëtarët e KQZ-së në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës”, tha deputeti Elmi Reçica.

Ndryshe nga Reçica, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, e ka përkrahur rezolutën e propozuar nga deputetët e LVV-së.

Gjatë seancës, Sami Kurteshi nga VV, ka propozuar një rezolutë e cila ka vetëm një pikë: Dekretimin sa më të shpejtë të anëtarëve të KQZ-së, pa asnjë vonesë. Edhe ai e ka konsideruar Presidentin Thaçi, si njërin prej fajtorëve të vetëm në gjithë këtë çështje:

“KQZ vazhdon të mbetët e bllokuar dhe jo funksionale. Janë bërë mbi 90 ditë që kur subjektet parlamentare kanë dorëzuar për herë të dytë nominimet (emrat për anëtarë të KQZ-së) dhe presidenti nuk i ka konfirmuar”.

Deputetja Albulena Haxhiu, po ashtu ka provuar që ta forcojë argumentin se fajtor i vetëm për bllokimin e këtij institucioni është vet presidenti:

“Vetëvendosje i ka dërguar dy emra dhe po bëhen 3 muaj që kur presidenti nuk po i dekreton ata. Ne do ta dërgojmë këtë në Gjykatën Kushtetuese, besojmë në javën ardhshme sepse ai e ka për obligim që të garantoj funksionimin e institucioneve. Pse Presidenti Thaçi e mban të bllokuar KQZ-në?” – ka shtruar pyetjen ajo, sepse, sipas saj: “…i duhet PDK-së, interesat që ka PDK atje, partia që deri dje e drejtonte Thaçi dhe praktikisht e përfaqëson edhe sot dhe së dyti, te logjika tregtuese e presidentit Thaçi. Po dëmton dhe e ka rrënuar integritetin e KQZ-së. Shumë asamblistëve po u cenohet mandati i tyre, unë i ftoj ata që të ankohen në Gjykatën Kushtetuese. Ky President po e degradon vendin, po e përdhos Kushtetutën e vendit”.

Deputetët, pa dallime partiake, nuk e kanë mohuar faktin se emërimi i 11 anëtarëve të këtij institucioni, është nevojë emergjente. “Mos emërimi i këtyre anëtarëve, krijon precendent të rrezikshëm për jetën parlamentare dhe demokratike” – tha deputeti i LDK-së Ismet Beqiri.

Propozuesi i rezolutës, Sami Kurteshi, në fund të diskutimit, ua kujtoi të vetmen pikë përbërëse, e e cila thotë: “Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon që dekretimi i anëtarëve të KQZ-së të bëhet pa asnjë vonesë”.

Ai i përmendi me radhë përkrahësit e saj, por edhe kundërshtarët. PDK, sipas tij, siç është deklaruar hapur edhe gjatë diskutimit, nuk e ka përkrahur atë (rezolutën).

Dokumenti i propozuar, nuk ka mundur të votohet, për shkak të mungesës së kuorumit./Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet