Të mërkurën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës ku kësaj here u diskutua rreth fletëvotimeve të dyshimta në zgjedhjet e 9 nëntorit në Mitrovicë, ndërsa u formua një komision për vlerësimin e atyre fletëvotimeve, shkruan Gazeta Metro.
Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi fillimisht bëri të ditur se PZAP ka kërkuar përgjigje për disa fletëvotime specifike, ndërsa tha se një verifikim i tillë mund të bëhet vetëm përmes hapjes së kutive të votimit.
“PZAP-ja ka kërkuar përgjigje për fletëvotimet specifike, dhe e vetmja mënyrë për me jep përgjigje është me u hap kutitë. Kutitë nëse hapen, hapen përmes një komisioni, pra nuk mund të japim një përgjigje specifike pa u hapur kutitë tash. KQZ-ja e ka profesionalizmin për me e vlerësu fletëvotimet, origjinalitetin e tyre dhe për të dhënë një raport rreth origjinalitetit të fletëvotimeve”, deklaroi Radoniqi.
Ndërsa po gjatë mbledhjes KQZ ka miratuar rekomandimin për krijimin e komisionit rreth procesit zgjedhor.
Për formimin e këtij komisioni dolën kundër dy anëtarët e PDK-së në KQZ, derisa 9 vota ishin pro miratimit të formimit të tij.
Gjatë të hënës në Mitrovicë ishte ndërprerë numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit, nën dyshimin për manipulim dhe keqpërdorim të votave./gazetametro.net