Kosove: Mbi 20 institucione të arsimit të lartë, por cilësia?!

Kosova ka 20 institucione të arsimit të lartë për 1 milion banorë. Kjo shifër del të jetë qesharake nëse e krahasojmë me atë të të njëjtave institucione të Bashkimit Evropian ngase në këto vende janë rreth 7 institucione për 1 milion banorë.

Përkundër numrit të madh të këtyre institucioneve, arsimi i lartë në vend përballet më shumë probleme. Numri i madh i universiteteve publike, rritja e numrit të kolegjeve private, mos harmonizimi i programeve të akredituara me kërkesat e tregut, akreditimet e programeve përkundër mangësisë së plotësimit të kritereve, punësimi i kuadrit të pakualifikuar, mos njohja e diplomave jashtë vendit, e shumë të tjera, janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar në gjendjen e tanishme të arsimit të lartë në vend. E gjitha kjo ka bërë që të rritet numri i studentëve por jo edhe cilësia.

Anëtarja  e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Kosovës, Teuta Haxhiu, fajtore për gjendjen e arsimit të vend i sheh politikat e gabuara të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), si dhe Agjencionin për Agreditim. Sipas saj, duhet të vihen kritere në interes të ngritjes së cilësisë dhe jo numrit të institucioneve të arsimit të lartë.

“Agjencioni për Akreditim fatkeqësisht ka qenë një institucion që i ka pasur bartësit e tij nën hetime çka e ulë edhe kredibilitetin e institucionit. Është dashtë të bëhet një filtrim në bazë të kritereve. Kritere këto, që do të vendoseshin  në interes të ngritjes së cilësisë së arsimit për të parë atëherë edhe institucionet publike edhe ato private, të cilat do të bënin garë që cili do të ketë cilësi më të mirë, e atëherë normal që do të bëhej zgjedhja e secilit prej studentëve për të aplikuar në ato universitete. Shqetësimi më i madh sot është që studentët të cilët kanë përfunduar studimet në disa prej kolegjeve të cilat mandatin e kaluar Agjencioni, në fakt MASHT ka nxjerr disa vendime për t’i mbyllur ato, e studentët kanë vazhduar studimet , e tani ata po kanë probleme me diplomat e tyre jashtë vendit. E për këtë problem ministri aktual nuk përgjigjet ngase thotë se vendimet janë marrë në ministrinë e kaluar”, ka deklaruar Haxhiu për Gazeta e Re. Sipas saj, zgjidhja e këtij problemi do të ishte largimi i politikës nga arsimi duke pamundësuar kështu akreditimet e institucioneve pa plotësimin e kritereve.

Se rritja e numrit të universiteteve e kolegjeve nuk ka ndikuar në ngritjen e cilësisë e pohon edhe Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP.

“Problemi me arsimin e lartë në Kosovë është se i tërë fokusi ka qenë në rritjen e numrit të universiteteve e kolegjeve private, e jo në politika për ngritjen e cilësisë. Procedurat e lehta për regjistrimin dhe akreditimin e kolegjeve private, kanë bërë që numri i tyre të rritet shpejt në Kosovën e pasluftës. Por, problemi më i madh është tek universitetet publike të krijuara në shtatë vitet e fundit, të cilat janë hapur pa u bërë fillimisht një studim i hollësishëm nga qeveria ku do të argumentohej nevoja për hapjen e secilit prej tyre, kapacitetet infrastrukturore në dispozicion, orientimi profesional dhe arsyetimin mbi programet që do të ofroheshin. Përkundrazi, universitetet publike të themeluara nga viti 2010 e këndej kanë filluar punën pa një plan strategjik, pa infrastrukturë të përshtatshme dhe pa staf të mjaftueshëm akademik”, është shprehur Mehmeti duke shtuar se nën këto rrethana nuk mund të prodhohet dije dhe cilësi kur vet universitetet kanë qenë në fazë eksperimentale.

E eksperti i çështjeve të arsimit Dukagjin Pupovci, thotë se në vitet e pasluftës në hapësirën shqiptare është ndërtuar një sistem i korrupsionit akademik, i cili sipas tij ka funksionuar në këmbim të favoreve. Sipas tij, ky sistem ka bërë që të merren me qindra doktorata false dhe të hyjnë në arsimin e lartë njerëzit që nuk e kanë vendin aty.

“Kemi diku 6.669 studentë në 100 mijë banorë. Në institucionet private studiojnë diku 30% të studentëve, ndërsa të tjerët në institucionet publike dhe këto janë bërë jashtë planeve. Cilësinë në arsimin e lartë në masën më të madhe e përcakton personeli akademik si në aspektin e kualifikimit, por edhe në atë të numrit, pra në UP është një mësimdhënës për 50 studentë, ku ai mësimdhënës  mënyrën më të thjeshtë të vlerësimit do ta ketë t’i fus në një test ku studentët do të kopjojnë dhe do të kalojnë pa njohuri, sepse nuk do të ketë mundësi me i përcjellë”, ka thënë Pupovci në debatin “Universiteti dhe Arsimi i Lartë në Kosovë”.

Kujtojmë që viteve të fundit ka pasur rritje të numrit të studentëve nëpër universitetet publike e kolegje private. Gjithsej numri i studentëve aktiv është afro 120 mijë, kurse në vit studimet i përfundojnë rreth 5 mijë studentë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet