Kosovarët nuk janë rumunë, ata e kanë humbur luftën ndaj korrupsionit?

Sheshi Viktoria në Bukuresht, edhe njëherë u shndërrua në një arenë përleshjesh ndërmjet protestuesve dhe mbrojtësve të rendit. Rumunët e zbrazën mllefin ndaj institucioneve, përkatësisht zyrtarëve të shtetit, për të cilët mendojnë se janë skajshmërisht të korruptuar. 440-të të plagosur, sipas raportimeve ndërkombëtare. 24 prej tyre, policë. Ndërsa flitej për 80 mijë qytetarë të revoltuar, që kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë, ndërsa u përballën me një ndërhyrje brutale nga ana e autoriteteve. Protestat po komentohen gjatë, ndërsa njohësit e zhvillimeve po mundohen të gjejnë arsye pse kosovarët nuk po veprojnë njësoj – shkruan Gazeta e Re.

Por rumunët nuk e kanë për të parën herë. 150 mijë qytetarë u mblodhën në Bukuresht edhe vitin e kaluar, pas miratimit të një dekreti nga ana e qeverisë, përmes së cilit liroheshin të burgosurit e dënuar mbi akuza për korrupsion. Laura Codruta Kovesi, prokurorja e famshme antikorrupsion, u shkarkua nga Presidenti Iohannis dhe kjo provokoi edhe më tepër situatën.

Por situata në Kosovë është po aq e rëndë. Perceptimi i qytetarëve për korrupsionin në institucionet vendore, sipas disa të dhënave, është po aq i lartë sa në Rumani. A s’është ky një fakt i mjaftueshëm që këta të zgjohen në një protestë? Shkodran Ramadani, njohës i çështjeve politike, ka analizuar gjerësisht kontekstet politike e sociale të vendeve, duke nxjerr në pah dallimet e mëdha.

Sipas tij, dallimi i parë vjen në rrafshin e përvojës shtetërore dhe lidhjeve të mëhershme të Rumanisë me Komunitetin Evropian.

<<Ky relacion madje ka filluar qysh në vitin 1974, kur Rumania ishte vend komunist. Që nga viti 1989, çdo qeveri dhe parti rumune ka qenë e përkushtuar që të reformojë shtetin rumun në përputhje me sistemin legal dhe normative të BE-së.>>

Për rrjedhojë, sipas Ramadanit, në Rumani kanë ndodhur reforma më efikase në sistemin e drejtësisë dhe lufta ndaj korrupsionit ka dhënë rezultate më të mira.

<<Edhe pse korrupsioni mbetet ende i lartë, Rumania ka kapacitete për ta luftuar në nivel të konsiderueshëm. Për shembull, në përpjekjet e Rumanisë për t’i plotësuar kriteret e BE-së, në vitin 2002 ishte themeluar Drejtorati Kombëtar Anti-Korrupsion Rumun. Ky institucion edhe pse në efekte të limituara, ka bërë disa punë të mira dhe me punën e tij ka çuar në arrestimin e zyrtarëve të ndryshëm shtetërorë. Ky mekanizëm kundër korrupsionit ka shfaqur në skenë edhe prokurorë e luftues të guximshëm të aktivitetit kriminal institucional në Rumani. Njëra ndër to është edhe Laura Codruta Kovesi, shefja e këtij Drejtorati që është bërë simboli i përpjekjeve të shoqërisë rumune në luftën kundër korrupsionit. Figura e saj është shndërruar në një bazë ku simbolikisht mund të përqendrohet fluksi i rezistencës.>>

Në krahasim me Rumaninë, Kosova ndodhet në një stad më të ulët. Ajo nuk është vend anëtar i BE-së, nuk është kandidate dhe nuk i ka nisur negociatat për anëtarësim.

<<Kosova nuk ka filluar reformat efektive për përmirësimin e performancës kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit e paraparë si një nga kriteret për liberalizimin e vizave është e pamjaftueshme për të prodhuar një klimë të qëndrueshme kundër korrupsionit. E njëjta vlen edhe për MSA-në që në fokus ka rritjen e qasjes së tregut të Kosovës në tregun evropian. Përveç kësaj, Kosova është e kyçur që shumë vite në procesin e dialogut për zgjidhjen e kontestit bilaretal me Serbinë. Për shkak që 5 shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën, BE-ja nuk mund të fillojë me procedurat e anëtarësimit për Kosovën.

Kësisoj, energjitë e BE-së janë të përqendruara në zgjidhjen e problemit me Serbinë e jo në luftën kundër korrupsionit. Një skenar i ngjashëm është duke u shpalosur edhe në Maqedoni, ku vetëm pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, Maqedonia do të fillojë procedurat e anëtarësimit.  Vetëm pasi të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë, mund të llogaritet në njohje nga 5 vendet e BE-së dhe të fillojë zyrtarisht anëtarësimi në BE. Vetëm atëherë Kosova do të fillonte reformat efektive të institucioneve të saj që do të mund të siguronin një funksionalitet të kënaqshëm të ndarjes së pushteteve. Reformat e BE-së në Kosovë do të ndihmonin në rritjen e efektivitetit institucional në vend. Shqipëria është shembulli i kësaj praktike. Ajo tash do të fillojë procesin e Vetingut, që do të ngrisë cilësinë e personelit administrativ në vend. Vetingut do t’i nënshtrohet e gjithë administrata publike. Kosova nuk ka qenë në gjendje që të përfitojë nga një proces reformues. Institucionet shtetërore nuk e luftojnë korrupsionin sepse vetë janë të zhytura në të. Situata momentale shtetërore e ka lënë Kosovën me një pavarësi të ulët të gjyqësorit. Prokuroria dhe Agjensioni Anti-Korrupsion janë gati nën ndikimin e plotë të politikës dhe si të tilla nuk mund të luftojnë korrupsionin. Përveç mungesës së reformave serioze, me aq sa dimë, Kosova nuk ka as edhe një prokuror të vetëm që do të guxonte të vendosej në ballë të luftës kundër krimit të organizuar.>>

Luftën kundër krimit e ka bërë edhe më joefikase mungesa e gatishmërisë nga ana e subjekteve politike që kanë qenë në pushtet, por edhe në opozitë. Ai ua vesh të gjitha këtë përgjegjësi (PDK-së,AAK-së, NISMA-s, AKR-së e madje edhe VV-së).

<<Përderisa partitë në pushtet vetëm janë thelluar në korrupsion, partitë opozitare deri tash, pa përjashtim, kanë dështuar totalisht që të adresojnë dhe luftojnë korrupsionin. Këto parti kanë derdhur energjitë e veta në luftimin e proceseve të rëndësishme dhe të sakta shtetërore, si demarkacioni dhe dialogu. Protestat më të mëdha në Kosovë janë bërë kundër Jabllanoviçit dhe demarkacionit. Ndërkohë, adresimi i korrupsionit është reduktuar në konferenca për shtyp dhe denoncime nga deputetët në Kuvendin e Kosovës. Në Kosovë edhe më tej konstantja e partive opozitare mbetet çështja e dialogut, ndërkohe që lufta kundër korrupsionit është sporadike, mediatike dhe episodike. Kësisoj, përpjekjet kundër korrupsionit janë të atomizuara dhe të paafta për të qenë praktikisht konsekuente.

Miliona eurot që i marrin nga KQZ dhe financuesit tjerë, bashkë me energjitë praktike te qindra e mijëra aktivistëve të partive opozitare investohen në kauza tjera. Lufta kundër korrupsionit duhet të kënaqet me spektakël mediatik dhe me denoncim të personave të përfshirë në korrupsion. Shkurt, fuqia strukturore mobilizuese e partive opozitare nuk është kanalizuar në luftë kundër korrupsionit, por kundër proceseve që ato i identifikojnë si të dëmshme. Përderisa në Rumani çarja e spektrit politik është e bërë në linja që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, në Kosovë çarja është e dizajnuar në linja të dialogut dhe proceseve shtet-ndërtuese, si bërja e kufijve. Polarizimi dhe përplasjet e vazhdueshme në Rumani bëhen për korrupsion, për ligje e dekrete që legalizojnë korrupsionin, a në Kosovë bëhet për diçka që nuk ka lidhje me korrupsion. Për shkak që në Kosovë askush nuk e lufton korrupsionin, ekziston një koalicion implicit mes pushtetit dhe opozitës: “korrupsionin nuk po e luftojmë, po merremi me diçka tjetër”. Ky bashkëpunim në heshtje i ka dy efekte fatale: a) nuk ka një prerje në spektrin politik që do të hapte rrugën për mobilizim qytetar anti-korrupsion dhe b) brumosë opinionin publik me valenca politike që prioritizojnë kauza që nuk kanë të bëjnë fare me korrupsion. Këto (in)konsekuenca më pas forcojnë kushtet e përshtatshme për forcimin e korrupsionit dhe mosadresimin e tij adekuat. Për shembull, tash kur i gjithë fokusi opozitar është i përqendruar në dialog, është shumë më lehtë që korrupsioni të lulëzojë. Është situatë e ngjashme me atë barcoletën: “koha më e përshtatshme për hajdutëri është gjatë transmetimit të telenovelave”.>>

Ai ka vijuar duke thënë se për ta zgjuar ndërgjegjen e fjetur qytetare dhe për ta mobilizuar kundër kësaj dukurie, duhet vite përpjekje. Për më shumë duhet pasur <<persona – simbole>> që i prijnë kauzës, duke mos e lënë atë vetëm një togfjalësh në retorikën politike ditore.

<<Partitë opozitare duhet ta bëjnë luftën kundër korrupsionit kryefjalë të aktivitetit të tyre, por ato vazhdojnë të flasin për dialog e për demarkacion. Që të lansohen fushata serioze anti-korrupsion, pakënaqësia me diçka nuk është e mjaftueshme. Këtë e thotë edhe një nga teoritë dominante të lëvizjeve sociale: “teoria e mobilizimit të burimeve”. Pa resurse, pa struktura organizuese, pakënaqësia e individëve do të mbetet shkapërderdhur dhe e çorientuar. Inercioni i partive opozitare është duke pasur efektin e frenit që ndalon erupcionin e pakënaqësisë qytetare kundër korrupsionit.>>

Parashikimi i tij për luftën ndaj korrupsionit, në këto kushte, duket të jetë negativ. Mungesa e organizatave që do ta mobilizonin shoqërinë (një mobilizim kognitiv dhe fizik – sipas tij), si dhe qasja obskurantiste e partive pa përjashtim, do të bëjë që korrupsioni të lulëzojë edhe më shumë në vend./Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet