Kosova vend i (pa)favorshëm për investime

Vendi ynë, nga ekspertët e ekonomisë, cilësohet si një pikë strategjike dhe joshëse për investime. Mirëpo politikat “pa vizion” dhe sidomos niveli i lartë i nepotizmit dhe korrupsionit, i kanë shtyrë prapa investitorët e interesuar dhe sidomos bizneset serioze të huaja – shkruan Gazeta e Re.

Ballkani mund të jetë “një rrugë mëndafshi” për superfuqitë ekonomike në rritje, të cilat duan të shfrytëzojnë terren për t’iu imponuar tregut të madh të BE-së. Një ndër investitorët më të mëdhenj në vitet e fundit, duket të jetë Kina. Kohë më parë, mediat gjermane shkruanin se kjo superfuqi ekonomike, e ka zbuluar Ballkanin, duke u joshur nga kushtet shumë të volitshme ekonomike, në rend të parë, varfëria e vendeve të ish Jugosllavisë.

Mediat citojnë ekspertë të shquar të ekonomisë, të cilët “pushtimin” kinez e shohin duke u realizuar nëpërmjet një skenari ballkanik. Jacopo Maria Pepe, sipas DW, citohet të ketë thënë se “ekziston një rrezik” potencial, ndonëse investimet, hë për hë, janë ende të vogla në raport me ato perëndimore.

Vetëm në Serbi, kjo superfuqi ekonomike, gjatë vitit 2017-të ka investuar projekte me vlerë prej 6 miliardë dollarësh, shumë kjo e barabartë me investimet evropiane në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ani që shtetit serb duhet i t’ia kthejë këto financime.

Në këtë kuadër, të gjitha vendet e të ashtuquajturit: Ballkani Perëndimor, kanë përfituar ngapak nga investimet e huaja. Përveç BE-së edhe Kina e Turqia i kanë “trashur” investimet, duke i parë vendet e shkatërruara nga luftërat e përgjakshme që çuan në shembjen e Jugosllavisë, si terren i përshtatshëm për ta zgjeruar tregun.

E si qëndron Kosova, në këtë kontekst?

Në vazhdimësi institucionet vendore janë kritikuar në këtë pikë. Mungesa e strategjive joshëse, niveli i lartë i nepotizmit dhe korrupsionit, ka bërë që investitorët të zmbrapsen nga vendi ynë. “Ikja e investitorëve”, sidomos të huaj, është një fakt evident – thonë raportet e ndryshme.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vetëm gjatë tre muajve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 2401 biznese të reja ose 25% më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Por të dhënat tregojnë që 444 ndërmarrje ose 2.8%  më shumë, janë shuar, krahasuar me periudhën e njëjtë, të vitit 2017. Këto të dhëna flasin për një vijimësi të një trendi negativ ekonomik në vend.

Ndërkaq, në planin makro-ekonomik, sipas Eurostatit, ekonomia e eurozonës, është karakterizuar me një rritje të ngadalësuar të aktivitetit ekonomik në tremujorin e katërt të vitit 2018 (rreth 1.2%) – thuhet në raportet e BQK-së.

“Përkundër ngadalësimit të rritjes së aktivitetit ekonomik në eurozonë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë karakterizuar me rritje të përshpejtuar të aktivitetit ekonomik (3.9 përqind në TM3 2018 nga 3.3 përqind në TM3 2017).”

Për sa u përket investimeve të huaja, gjendja qëndron pak a shumë kështu:

“Në TM4 2018, sektori i jashtëm është karakterizuar me rritje vjetore të deficitit të llogarisë rrjedhëse për 31.2 përqind. Si përqindje e BPV-së, deficiti në llogarinë rrjedhëse vlerësohet të ketë arritur në 14.5 përqind, nga 11.7 përqind sa ishte në TM4 2017. Kjo rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse i atribuohet rritjes së deficitit të mallrave si dhe zvogëlimit të suficitit të shërbimeve dhe të ardhurave parësore, përderisa bilanci i të ardhurave dytësore shënoi rritje. Në kuadër të bilancit të pagesave, remitencat dhe Investimet e Huaja Direkte (IHD) shënuan rritje vjetore prej 3.6 përqind përkatësisht 46.4 përqind.”

Është më se e qartë që nevoja për investime më të mëdha, është evidente, ndërsa pengesat, sipas njohësve të këtyre çështjeve, mbesin të njëjtat. Investimet e huaja direkte, do të ishin një version i përshpejtuar i ngjalljes ekonomike, thonë ata. Hë për hë, sipas raporteve, nuk ka shenja se institucionet relevante, kanë arritur që t’i bindin “gjigantët e huaj ekonomik”, që të vijnë në Kosovë./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet