Kosova synon të ketë nivel të njëjtë me vendet tjera në fushën e komunikimit

Kolegji AAB në bashkëpunim me universitetet e rajonit ka organizuar sot konferencën me tematikë mbi historinë e medias dhe transformimin e saj.

Në këtë konference u diskutua për zhvillimin mediatik dhe atë shoqëror, si dhe rezultatet që ka sjellë dhe do të sjellë bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve të rajonit.

Shemsedin Vehapi, zëvendës rektor në kolegjin AAB, tha se institucioni AAB ka për në fokus të veçantë ngritjen e komponentëve shkencor dhe se është përfshirë në hulumtime shkencore, të cilat paraqesin vlera të veçanta për komunitetin akademik dhe shoqërinë në tërësi.

“Përmes këtyre organizimeve, përveç rritjes së mundësive për mobilitet të studentëve dhe personelit akademik, në fokus të veçantë është ngritja e komponentëve shkencore. Në institucionin tonë, në praktikat e përditshme të mësimdhënies, mbështetet zhvillimi i mësimdhënies i bazuar në hulumtim, duke siguruar që profesorët dhe studentët së bashku të përfshihen në hulumtime shkencore, të cilat paraqesin vlerë të veçantë jo vetëm për komunitetin akademik, por edhe për shoqërinë në tërësi. Deri më tani AAB ka organizuar disa konferenca shkencore ndërkombëtare nga fusha të ndryshme studimi, si konferenca e komunikimeve dhe studimeve mediatike, drejtësisë, psikologjise, ekonomisë, çështjeve sociale, linguistike nga fushat tjera”, tha Vehapi.

Mark Marku nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, tha se këto konferenca janë të rëndësishme, pasi rrisin zhvillimin jo vetëm mediatik, por edhe atë shoqëror në trevat shqipfolëse dhe nivel global.

“Unë e shikoj shumë të rëndësishme këtë konferencë dhe i falënderoj. Ne vërtet jemi bashkëpunëtorë, por duhet normalizimin e kësaj konference, por kontributin kryesor e kane ata që na kane ftuar, kolegji AAB, dhe mendoj që vetë tematika e kësaj konference është me rendësi për zhvillimet, qoftë zhvillimet shoqërorë, qoftë zhvillimet mediatike, jo vetëm po themi në Shqipëri dhe Kosove, por në nivel global,” tha ai.

Zaneta Trajkovska nga Shkolla e Gazetarisë dhe Marrëdhënieve me Publikun në Shkup, tha se kjo konferencë paraqet një mundësi për ndarjen e eksperiencave në media. Ajo tha se Maqedonia ka mbetur mbrapa me zhvillimin mediatik dhe se Kosova është shumë më e mirë në këtë drejtim.

“Ne jemi këtu që të ndajmë eksperiencën tonë nga Maqedonia për median. Ju e dini që në ishim ne vitet e kaluara, sidomos vitin e kaluar, në krize të thellë dhe ajo krize sigurisht ndikoj edhe në media dhe në mënyrën se si media raportonte atë se çka po ndodhte në Maqedoni. Tani kemi një qeveri të re dhe shpresa të larta për demokratizimin e shoqërisë dhe që mediat të jenë më të lira, dhe të kenë lirinë e mendimit kritik dhe pluralizmin e mendimeve të ndryshme në mediat tona. Unë shpresoj se ne do të shijojmë këtë dite, ne do të ndajmë eksperiencat tona, ndoshta edhe të shkëmbejmë ide të ndryshme, dhe ne do të mbjellim farën për të ardhmen dhe shpresoj se studentet do të kenë pyetje për situatën në media dhe për atë se çfarë ka ndodhur këto vitet e fundit dhe gjithashtu edhe 25 vitet e fundit prej kur Maqedonia ka fituar pavarësinë nga ish Jugosllavia. Sigurisht që vendi ynë është me ndryshe, dhe duhet ta p ranoj se nuk kam shumë njohuri mbi situatën mediatike në Kosovë, mirëpo e di që jeni shumë më të mirë se ne kur vjen puna te liria e medias”, tha ajo.

Ramadan Çipuri nga Universiteti Bedër, tha se bashkëpunimi i ngushtë që kanë institucionet shqiptar dhe dëshira për zhvillimin mediatik me këto vende do të sjellë deri te hapave e një shkolle të mirëfilltë shqiptare të medias dhe komunikimit.

“Falë bashkëpunimit që ne kemi pasur gjatë gjithë këtyre viteve mendoj që shkollat e komunikimit dhe gazetarisë në hapësirën shqipfolëse kanë qenë një model janë një model shume i mirë për të gjitha fushat e hulumtimit dhe studimit në të gjitha katedrat, në të gjitha universitetet shqiptare. Kuptohet, ne gjatë gjithë këtyre viteve kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë, siç e thash edhe pak më parë, e përsëriti edhe profesor Marku, midis shkollave tona, në të gjitha këto konferenca kemi qenë se bashku dhe kjo në fakt nënkupton dhe na bënë të arrijmë në konkluzionin se ne brenda hapësirës shqipfolëse kemi ngritur një komunitet të mirëfilltë të studiuesve të fushës, të cilët bashkëpunojnë më njeri-tjetrin, të cilët kontribuojnë në këtë fushe, gjë e cila na bën të besojmë se shumë shpejt ne mund të kemi një shkollë të mirëfilltë të medias dhe të komunikimit, një shkollë shqiptare në fakt e ci la pse jo do të paraqitet para audiencave, para studiuesve global”, tha ai.

Drejtoresha e Arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Drita Kadriu, ka thënë se në arsimin e lartë kanë ngecje shumë të mëdha në përdorimin e teknologjisë në fushën e komunikimit. Ajo tha se synojnë që edhe Kosova të jetë në nivel të njëjtë me vendet tjera në fushën e komunikimit dhe medias.

“Konferencat e tilla pavarësisht që për ne si ministri organizohen nga një institucion që quhet privat, kanë efekte shumë të mëdha, sepse i ndihmojnë zhvillimit të institucioneve edhe publike, edhe zhvillimit të shoqërisë, duke dhënë reflektime reale të situatës së zhvillimit të masmediave dhe mediave sociale edhe në Kosovë”, u shpreh Kadriu.

Ndërsa, Rolando Marini nga Universiteti i Italisë, tha se shkëmbimi i eksperiencave të ndryshme kontribuojnë në rritjen e komunikimit mes vendeve të rajonit.

Pas fjalimeve përshëndetëse, në konferencë u prezantuan punimet e profesor Mark Marku, profesor Rolando Marini dhe Zaneta Trajkovska.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet