Kosova shpall organizatë terroriste krahun politik dhe ushtarak të Hezbollahut

Qeveria e Kosovës njoftoi se vendimi është marrë me qëllim “të ruajtjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, si dhe për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe pjesëmarrjes aktive në aleancat ndërkombëtare të luftimit të grupeve terroriste”

Qeveria e Kosovës ka shpallur organizatë terroriste krahun politik dhe ushtarak të “Hezbollahut” në territorin e vendit.

Qeveria e Kosovës njoftoi se vendimi është marrë me qëllim “të ruajtjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, si dhe për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe pjesëmarrjes aktive në aleancat ndërkombëtare të luftimit të grupeve terroriste”.

Kerkesën për votimin e këtij vendimi në Qeveri e ka parashtruar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Stublla-Haradinaj.

“Qeveria e Kosovës konsideron se në praktikë krahët ushtarakë dhe politikë të Hezbollahut punojnë në të njëjtën kohë për të çuar përpara axhendën e tyre terroriste të organizatës me një dallim të thjeshtë nominal. Andaj vendos që organizatën Hezbollahu, si entitet, pra krahun e saj politik dhe atë ushtarak, ta shpallë organizatë terroriste në territorin e Kosovës”, ka theksuar Stublla-Haradinaj.

Vendimi obligon organet përgjegjëse të sigurisë në Kosovë që në pajtim me praktikat ndërkombëtare të ndërmarrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Në vitin 2013 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) ndaluan krahun ushtarak të Hezbollahut, por rezistuan dnaj presionit të SHBA-ve dhe Izraelit që ta shpallin plotësisht grupin të jashtëligjshëm.

Në Liban, Hezbollahu pranohet si parti politike e madhe dhe luan rol në strukturën komplekse të pushtetit të vendit.

Sipas agjencisë gjermane të inteligjencës (BfV), në Gjermani grupi libanez ka rreth 1.000 mbështetës.

Kategoritë
LajmeVendi