Kosova po zbrazet para kohe, askush nuk do ta marrë përsipër fajin

Luftë speciale mediale apo ikje ilegale!?

Për tre muaj Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka “përpirë” 13 seanca të jashtëzakonshme. Ndër to, ishte edhe kjo e parafundit në të cilën është diskutuar për punën e ikjeve të qytetarëve nga Kosova, në kërkim të një perspektive të mirëfilltë për jetë. Mirëpo, askush nga politikanët nuk ka dashur ta merr përsipër barrën e fajit – shkruan Gazeta e Re.

Ashtu siç parashihnin dikur analistët, Koalicioni PAN, ka dalë të jetë një përbërje fragjile politike. Vetëm në tre muajt e fundit, kryesisht nga opozita, janë thirrur hiq më pak se 13 seanca të jashtëzakonshme. Kjo sikur i ka zënë të papërgatitur edhe deputetët e mazhorancës.

Memli Krasniqi, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, në kuvend u shpreh i befasuar duke thënë se: “Kjo është seanca e 13 e jashtëzakonshme për tre muaj. Nëse dikush nuk është i njoftum për gjendjen në Kosovë dhe nëse i thu se parlamenti i Kosovës, i ka thirrë 13 seanca të jashtëzakonshme për 3 muaj, kjo i bie që jemi ose në ndonjë gjendje lufte, ose ndonjë konflikti a krize. ”

Por faktet janë kryeneçe, andaj dikush duhet të jap llogari për to, kanë insistuar opozitarët. Në opinionin publik, ndërkaq, kanë qarkulluar të dhëna të reja të cilat flasin për gjendjen e krijuar muajve të fundit, ku fenomeni i imigrimit ka filluar të rikthehet në mënyrë të frikshme.

Të dhënat e IOM, UNHCR, ASK etj, sipas profesorit Rifat Blaku, tregojnë që numri i qytetarëve kosovarë të cilët kanë kërkuar azil në shtetet perëndimore që nga viti 2010 e deri më sot, është afërsisht 189  mijë, ndërsa numri i të kthyerve është vetëm 60 mijë.

Në një emision në televizionin publik, ai citohet të ketë thënë ndër të tjera se: “Tipi i migrantit shqiptar të pasluftës, është i të riut të shkolluar e të kualifikuar dhe që e sheh perspektivën që përkohësisht ta zbutë situatën”.

Sipas raportimeve mediale, në vitet e fundit trendi i aplikimeve për viza ka shkuar deri në 100 mijë, përkatësisht në 50 mijë kërkesa brenda vitit dhe këtë e konfirmojnë edhe të dhënat nga Ambasada Gjermane në Kosovë.

Edhe zyrtarët e ambasadës zvicerane, për Zërin janë deklaruar se: “Ambasada e Zvicrës përpunon deri në 200 aplikacione për viza në ditë. Shkalla e refuzimit është rreth 18%. Ne nuk kemi statistika për arsyet e refuzimit. Vitin e kaluar kjo Ambasadë ka proceduar 33000 kërkesa për vizë (për Zvicrën, Francën, Austrinë, Belgjikën, Luksemburgun, Holandën)”.

Mirëpo, në tërë këtë sagë të dhimbshme, shqetësues është fakti se nga vendi po ikin edhe profesionistët e fushave të ndryshme. Se kuadro të profilizuara po ikin nga vendi, këtë e vërtetojnë edhe pasojat e para të cilat po vërehen në sistemin shëndetësor. Mjekë, e sidomos infermierë, janë duke i braktisur vendet e punës në Kosovë dhe po ia mësyjnë perëndimit. Për ta kompensuar mungesën e tyre QKUK-ja së fundi ka shpallur një konkurs për 100 vende të reja pune, ku sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë pritet të pranohen “infermierë të përgjithshëm, infermierë me shkollim të mesëm, teknikë të rëntgenit, biokimisë, fizioterapeut, pediatri, mami dhe profile të tjera mjekësore.”

Zyrtarët nga ministria por edhe QKUK-ja pranojnë se numri në fjalë, nuk është i mjaftueshëm, por për shkak të mungesës së buxhetit, mundësia hë, për hë, është kjo. Aktualisht në këtë institucion llogariten si të punësuar 1900 infermierë të profileve të ndryshme, ndërsa paga e tyre është 400 euro. Kjo pagë mujore, pritet të ndryshojë për të mirë, pasi të futet në fuqi Ligji i ri i Pagave, dhe meqë në kuadër të këtij ligji, këtyre shërbyesve shëndetësor u është ndërruar koeficienti. Sondazhet e realizuara së fundi, tregojnë që afërsisht mbi 40% e qytetarëve konsiderojnë që niveli i pagave është i ulët në Kosovë, dhe kjo duhet të ndryshojë pikë së pari, për ta frenuar sadopak valën e migrimit. Ligji i Pagave i miratuar muaj më parë, ka krijuar një hendek të thellë dallimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Në këtë aspekt, punëtorët në sektorin privat trajtohen si mos më keq, sidomos për sa u përket pagave. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet