Kosova përmendet, për të keq

Ndotja e ambientit, e sidomos kontaminimi i ajrit, është shndërruar në një problem të madh në vitet e fundit edhe për Kosovën. Dikasterët e qeverisë, bashkë me institucionet  relevante në nivel lokal, janë treguar të paafta për t’i zbutur vlerat ekstreme të ndotjes së ajrit, me gjithë hapat të cilat i kanë ndërmarrë – shkruan Gazeta e Re.

Në një artikull të publikuar në platforma e njohur Brightside.me përmendet një prej qyteteve të Kosovës, duke u shndërruar kështu në një referencë për një gjë të keqe. Bëhet fjalë për një koleksion fotografish që dëshmojnë për degradimin e ambientit jetësor në të cilin jetojmë.

Bëhet fjalë për 18 fotografi të realizuara në vende të ndryshme të botës, e që kanë të bëjnë me ndotjen e ambientit, degradim ky që nuk është duke u ndalur as sot e kësaj dite.

«Sipas World Wildlife Fund, njerëzimi largon 50.200 kilometra katror pyjesh në vit. Brenda 50 viteve të fundit, njerëzit kanë shkaktuar ndryshime drastike mjedisore, siç janë zhdukja e kafshëve dhe zhdukja e burimeve të planetit. Fotot në këtë artikull tregojnë shumë, është momenti i duhur që të ndalemi dhe të shohim se çka kemi bërë në shtëpinë tonë» – shkruan ndër të tjera në artikull.

Artikulli në fjalë, ka për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve anekënd globit, thuhet më tutje aty:

«Në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për natyrën, Bright-Side përpiloi 18 foto që do t’ju tregojnë pamjen reale të asaj se si gjërat po shkojnë në tokë. Bonusi ynë në fund do të tregojë se ende kemi pak shpresë që gabimet tona të mund të korrigjohen.»

Në radhë me 18 fotografi të shkrepura nga i gjithë globi, është veçuar edhe një nga qyteti i Obiliqit në Kosovë.

Në përshkrimin e saj thuhet:

«Kjo fotografi, e marrë më 30 janar 2018, tregon një grua dhe fëmijë që ecin nëpër smog (tym të mbështjell me mjegull), të rëndë në qytetin e Obiliqit që ndodhet në periferi të Prishtinës.»

Përmendet, po ashtu, që qyteti është i mbërthyer ndërmjet dy centraleve të thëngjillit, të cilat ndodhen në periferi të kryeqytetit të Kosovës. Bëhet fjalë për Kosovën A dhe Kosovën B.

Prej ‘smogut’ nuk është shpëtuar as kryeqyteti. Viteve të fundit në sezonin e dimrit, ndotja ka prekur vlera alarmuese.

Sipas raportit: ‘Disa fakte mbi mjedisin’; i cili qe përpiluar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, vlerat mesatare mujore të PM2.5, gjatë periudhës janar – dhjetor 2017, bazuar në të dhënat e IHMK, kishte tejkalime të theksuara të VML për PM2.5, kurse gjatë vitit 2018-të ka pasur vlera shumë më të larta të pluhurit në formë PM 10 dhe PM2.5 në disa lokale të vendit.

Fotografia në Brigside.me është radhitur e 17-ta, ndërsa tregon që Prishtina, kryeqyteti ynë, mbetet një referencë për të keq, për sa herë bëhet fjalë për ndotjen e ambientit. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreShëndetësiTema e DitësVendi

Të ngjajshmet