Kosova nga 28 qershori hap trafikun ajror

Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, sipas vendimit, rekomandohen të kenë testin negativ me COVID-19, jo më të vjetër se 4 ditë.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka marrë vendim për hapjen e trafikut ajror me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë së vendit.

Në mbledhjen e Qeverisë, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë janë aprovuar disa kërkesa të cilat lehtësojnë edhe më tej qarkullimin e njerëzve dhe mallrave mes Kosovës dhe vendeve tjera.

Me vendimin e aprovuar nga kabineti qeveritar rifillon transporti ajror dhe hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ”Adem Jashari” për vijat e rregullta të domosdoshme, që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë, “duke pasur prioritet shëndetin publik dhe parandalimin e përhapjes COVID-19”.

Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, sipas vendimit “rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 4 ditë”. Cendimi për hapjen e trafikut ajror do të hyjë në fuqi nga data 28 qershor 2020.

Po ashtu në mbledhjen e qeverisë është shfuqizuar edhe vendimi me të cilin është ndaluar eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve; është shfuqizuar pezullimi i përkohshëm “i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm”; si dhe është shfuqizuar vendimi me të cilin janë ndaluar aktivitetet publike dhe jopublike të mbyllura pa prani të publikut.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, kufijtë tokësorë dhe ajrorë u mbyllën më 17 mars pasi Kosova shpalli gjendjen e emergjencës së shëndetit publik, pas rritjes së numrit të personave të prekur me COVID-19.

Kategoritë
LajmeVendi