Kosova në 2020: Një vit si asnjë tjetër

Viti 2020 në Kosovë, sikurse edhe në gjithë botën, ishte si asnjë tjetër. Vendi u godit nga pandemia e COVID-19 që mbizotëroi jetën e përditshme. Krahas pandemisë Kosova u përball edhe me kriza të njëpasnjëshme politike.

Në fund të vitit 2019, koronavirusi për qytetarët e Kosovës ishte një mënxyrë me të cilën po përballeshin qytetarët e një krahine në Kinë. Por vetëm dy muaj më pas virusi nuk ishte më i largët.

Më 13 mars u konfirmuan rastet e para të të prekurve dhe ky ishte fillimi i një viti të gjatë, kryefjala e të cilit ishte COVID-19.

Më 15 mars qeveria shpalli gjendjen e emergjencës së shëndetit publik, ndërsa më 23 mars mbylljen e plotë të vendit, në një vendim që nxiti përplasje brenda vet koalicionit të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike si dhe kryeministrit Albin Kurti e presidentit Hashim Thaçi.

“Vendimi i qeverisë sot është krejtësisht anti kushtetues. Qytetarët nuk janë të detyruar të respektojnë vendimet anti kushtetuese dhe askush nuk mundet të dënoj ata për këtë, as policia e Kosovës dhe as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim anti kushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vet do të bëjnë vepër penale”, tha presidenti Thaçi.

“Pra, një person i cili nuk ka as autorizim të flas kështu as është fuqi për të implementuar atë që thotë praktikisht e sulmon rendin kushtetues duke thirrur në padëgjueshmëri policinë dhe organet e sigurisë mirëpo siç e keni parë edhe dje asnjë prej forcave policore nuk e ndoqi presidentin”, tha kryeministri Kurti.

Masat për parandalimin e infektimeve u pasqyruan në gjendjen edhe ashtu të rëndë ekonomike në Kosovë dhe sektorët e goditur jo rrallë u hodhën në protesta duke kërkuar zbutje masash e rrugë të tjera për të tejkaluar situatën.

Banka Qendrore si dhe institucionet financiare ndërkombëtare parashikuan rënie të ekonomisë së Kosovës 7.2 për qind për shkak të situatës së krijuar me kufizimet për pengimin e përhapjes së infektimeve.

U deshën muaj të tërë që forcat politike në vend të merren vesh për një pako rimëkëmbjeje ekonomike e cila u miratua në fillim të dhjetorit.

Stina e verës shënoi një rënie të numrit të të prekurve, ndërsa vjeshta u përshkua me një valë të re infektimesh.

Kosova pret që të marrë vaksina për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, ndërkaq pjesën tjetër do ta blejë vetë.

Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli,thotë se procesi i vaksinimit nuk mund të filloj para stinës së pranverës.

“Ne po shpresojmë si OBSH që të jetë gjysma e marsit, eventualisht fillimi i prillit. Gjasat për me fillu më herët nuk ka duke pasur parasysh sasia e vogël e vaksinave që janë në prodhim dhe kërkesave shumë të mëdha që janë në mbarë botën”, tha zonja Humolli.

Pandemia la pas vetes shumë pasoja ndërsa nuk e shmangu dot vorbullën e krizave politike në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi