Kosova me strategji kundër dhunës në familje (Video)

Dhuna në familje është një dukuri jo e rrallë në shoqërinë tonë. Jo pak raste përfundojnë me fatalitet. 14.4% e grave gjatë vitit 2014, sipas statistikave, kanë përjetuar dhunë fizike në familje, 40.7% dhunë psikologjike, 7.7% dhunë seksuale, 10.7% dhunë ekonomike dhe 40.9% dhunë e çfarëdo forme përbrenda familjes. Po ashtu ndërmjet periudhës  2005 – 2015 të paktën 22 persona janë vrarë nga persona me të cilët kishin lidhje familjare. Kjo dhunë e lartë i ka shtyrë institucionet tona që të mendojnë seriozisht në hartimin e një strategjie për ta luftuar dhunën në familje.

Për t’ju qasur këtij problemi me seriozitet Ministria e Drejtësisë e Kosovës, bashkë me partnerët e saj, sot ka lansuar Strategjinë Kombëtare Për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit 2016 – 2020.

Vet Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, mori pjesë në lansimin e kësaj strategjie. Të pranishëm ishin edhe Zëvendës Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikes znj. Colleen Hyland, Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore znj. Edi Gusia, Shefja e zyrës UNWOMAN znj. Flora Macula, si dhe Koordinatori Nacional për mbrojtje nga dhuna në familje, Zëvendësministri, Munir Basha.

Në fjalën e saj Ministrja Hoxha e çmoi lartë strategjinë në fjalë, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme për vendin.

Ajo ndër të tjera tha se: ‹‹Si dukuri e përhapur në mbarë botën, në trajta dhe përmasa nga më të ndryshmet dhe e ushqyer nga zakone dhe tradita patriarkale të dominimit dhe kontrollit, shpesh përbën edhe shkakun kryesor të dëmtimeve deri edhe të humbjeve të jetëve njerëzore››.

Pasi deklaroi që kësaj strategjie i ka kushtuar vëmendje të posaçme, ajo shprehi besimin se bashkëpunimin ndërmjet institucional edhe implementimi i kësaj strategjie do të jep rezultate efektive.

Edhe partnerët e tjerë që e kanë përkrahur e ndihmuar realizimin e hartimit të kësaj strategjie si Ambasada e SHBA-s në Kosovë dhe asociacione të tjera, u shprehën optimistë për sa i përket planifikimit, respektivisht përmbajtjes së strategjisë.

Në fjalën e tij Koordinatori Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje Zëvendësministri Munir Basha në fjalën e tij tha se:

‹‹ Strategjia Kombëtare  për mbrojtje nga dhuna në familje  adreson çështjen e përmirësimit të infrastrukturës ligjore dhe ngritjes se efikasitetit të trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me fokus në nevojat e viktimës si dhe ndëshkimi adekuat i kryesit të dhunës përmes këtyre objektivave strategjik dhe specifike si :

Parandalimi dhe vetëdijësimi, Mbrojtja dhe koordinimi, Legjislacioni, hetimi dhe procedimi  dhe Rehabilitimi dhe riintegrimi.››

Për më tepër në një prononcim për Gazeta e Re ai po ashtu shprehet optimist se realizimi i kësaj strategjie, do të jap rezultate pozitive.

Strategjia në fjalë nuk parasheh vetëm ri-socializimin e  viktimave, koston financiare të krejt procesit, por sidomos parandalimit të saj./Gazetaere.com/

 

 

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet