“Kosova me klimë biznesi më të vështirë që nga paslufta”

“80 për qind e bizneseve e kanë vlerësuar gjendjen e tyre të pakënaqshme”, thotë analiza e Odës Ekonomike të Kosovës për tremujorin e dytë të vitit 2020.

Kosova muajve të fundit ka kaluar në klimën biznesore më të vështirë që nga periudha e pasluftës, për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), sipas Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo është thënë në një konferencë për media të Odës Ekonomike të Kosovës, ku është folur rreth klimës së të bërit biznes në Kosovë.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se analiza e kësaj organizate është fokusuar në katër fusha: tregti, prodhim, ndërtim dhe shërbime.

“Nëse e shohim analizën për tremujorin e dytë të vitit 2020, e shohim që është një nga gjendjet më të pakënaqshme të biznesit që nga koha kur ne e masim këtë dhe sigurisht që nga paslufta. 80 për qind e bizneseve e kanë vlerësuar gjendjen e tyre të pakënaqshme. Nëse e krahasojmë me tremujorin e parë të këtij viti është një pakënaqësi me 47 për qind më e lartë se në tremujorin e parë”, tha Rukiqi.

Rukiqi tha se vetëm 35 për qind e bizneseve në Kosovë presin të rrisnin numrin e punëtorëve. Ndërsa pjesa më e madhe e bizneseve në Kosovë presin që situate biznesore në 6 muajt e ardhshëm të përkeqësohet.

“Ajo që po vlerësohet në të gjitha raportet ndërkombëtare se si të trajtohen pasojat ekonomike të pandemisë, fokusin e kanë tek rritja e konfidencës së qytetarëve dhe të bizneseve. Dhe, në raport me pandeminë konfidenca po ndikohet nga disa veprime apo rrethana, por dy kryesoret janë gjendja në pjesën shëndetësore, pra, sa më i madh që është numri i rasteve konfidenca po bie dhe po bie edhe qarkullimi në biznes”, tha Rukiqi, duke shtuar se me uljen e numrit të rasteve me COVID-19, po rritet konfidenca dhe qarkullimi në biznese.

Rukiqi vuri në dukje se roli i Qeverisë është të hedhë sa më shumë para në qarkullim. Ai vlerësoi miratimin në lexim të parë të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në Kuvend si dhe fillimin e pagesës së ndihmave financiare për bizneset private.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës nga dje ka filluar shpërndarjen e 60 milionë eurove që u dedikohen punëtorëve të bizneseve private të regjistruara në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), të cilat janë ndikuar nga pandemia e koronavirusit gjatë muajve të fundit.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet