Kosova me aleatët, në udhëkryqin e bisedimeve me Serbinë

Republika e Kosovës në vitet e fundit, megjithatë, ka arritur që t’i ndërtojë shumë aleanca me shumë shtete të fuqishme të botës. Garniturat politike në vend, njëra pas tjetrës kanë premtuar vetëm një gjë: bashkë me aleatët do të hapërojnë drejt integrimeve euro-atlantike. Por integrimi i plotë nuk do të ndodh pa e kaluar udhëkryqin e bisedimeve me Serbinë, thonë njohësit politikë – shkruan Gazeta e Re.

Destinacion i fundit i republikës sonë, është integrimi i plotë euro-atlantik. Ky projekt politik është prolonguar nga të gjitha qeveritë njëra pas tjetrës, qysh prej përfundimit të luftës. Por projekti madhor, nuk do të realizohet pa e kapërcyer udhëkryqin e bisedimeve përfundimtare me Serbinë. Të gjithë po punojnë për këtë, sidomos aleatët e Kosovës.

Sot këto fraza tërthorazi u përsëritën edhe në takimet me Ministren e Jashtme të Norvegjisë Ine Marie Eriksen Søreide. Në një drekë pune me të, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndër të tjera theksoi që: «Norvegjia e ka përkrahur Kosovën në çdo fazë të shtetndërtimit dhe vazhdon ta përkrah fuqishëm edhe në integrimin euroatlantik.»

Diplomatja norvegjeze vuri në dukje nevojën e stabilizimit të raporteve me Serbinë, përkatësisht rivazhdimit të dialogut. Krerët e shtetit, e siguruan që për këtë, veç janë duke punuar.

«Norvegjia ka qenë partner i yni në shtetndërtim. Në frymën e thellimit të këtij bashkëpunimi, prita në takim ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide, me të cilën biseduam rreth aktualitet politik në Kosovë dhe rajon dhe të ardhmen e përbashkët euro-atlantike. Shpreha përkushtimin e Qeverisë, për të fuqizuar marrëdhëniet bilaterale, në fushën e sigurisë, ekonomisë, edukimit dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët, duke kërkuar mbështetjen e mëtejme në procesin e konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të vendit. Theksova gjithashtu se Kosova është e përkushtuar për një dialog të kornizuar dhe përmbajtësor me Serbinë që çon në një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe me njohje reciproke mes dyja vendeve» – tha Kryeministri Ramush Haradinaj, me rastin e vizitës së saj.

Por përkundër deklarimeve të politikanëve, fakti që Samiti i Parisit veç po cilësohet i dështuar, shpresa që vendi të shkojë drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, është e paktë. Analistët po konsiderojnë që për ta kapërcyer këtë ngërç, nevojitet përfshirja e SHBA-ve në proces.

«Mendoj se një gjë është e sigurt. Pa përfshirjen e SHBA në dialog nuk ka marrëveshje sepse BE-ja nuk ka kapacitet dhe unitet që ta krijoj një unitet të tillë. Si në çdo vend të botës Palestinë-Izrael, Iran apo Kosovë, përfshirja e SHBA e jep atë “vulën” e fundit që marrëveshja të jetë vitale dhe e qëndrueshme në kohë», është shprehur për RTV Dukagjini analisti Visar Xhambazi, nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Por për njohësin e integrimeve evropiane Demush Shashën, ky është problem ekskluziv i evropianëve, prandaj edhe përfshirja e SHBA-ve është më pak imediate.

«Duke pasur parasysh dy elemente: Fqinjësia e mirë është një kriter zyrtar i Bashkimit Evropian dhe Kosova e Serbia kanë për synim strategjik Bashkimin Evropian. Prandaj nuk u shkon përshtati as Kosovës e as Serbisë që të ketë kushdo tjetër rolin kyç përpos Bashkimit Evropian» – ka theksuar Shasha.

Por objektivat e dialogut, nga perspektiva kosovare, së fundi janë vënë në dyshim edhe nga vet klasa politike vendore. Qysh nga koha e taksës, pozicionet e krerëve të shtetit karshi çështjes, kanë qenë krejt të ndryshme në raport me njëra tjetrën. Mungesa e unitetit e spektrit politik vendor, për shumë njohës vendorë, por edhe të huaj, përbënë problemin më të madh për Kosovën./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet