Kosova mbi një mal problemesh

Opozita në dilema dhe e frikësuar për sa i përket rrëzimit të qeverisë. Në BE ka një klasë të re politike, pikëpamja e së cilës ka filluar të analizohet. Nga Beogradi asgjë e re. Vështirë është të paramendohet vazhdimi i procesit të bisedimeve. Të hipnotizuarit nga teoritë konspirative, megjithatë këmbëngulin që “prerja dhe qepja” e teshave për Ballkanin, veç ka filluar – shkruan Gazeta e Re.

Një pjesë e opozitës është e gatshme që mocionin e mosbesimit ta vendos në rend dite qysh tash. Por pjesa tjetër i druhet dështimit të tentimit për rrëzimin e Haradinajt, duke qenë të vetëdijshëm që ai mund të forcohet edhe më, po qe se herën e parë akti i rrëzimit, nuk realizohet siç duhet. Përkundër konsekuencave, sipas Albulena Haxhiut: «Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme qysh sot që ta thërras parlamentin për seancë të jashtëzakonshme» ku do të provohej vota e mosbesimit të kësaj qeverie.

Në rast të dështimit të këtij plani, opozita nuk do të humbiste, përkundrazi, pozita do të duhej ta ndiente at peshën  e madhe të përgjegjësisë morale, sa herë që do të provonte t’i çonte përpara proceset (duke mos e pas as 50% të votave në parlament).

Jo vetëm deputetët, por edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë që kredibiliteti i kësaj qeverie ka humbur dhe nuk është e drejtë me kaq pak vota t’i udhëheqë proceset e mëdha. Çështja më e ndjeshme mbetet ajo me bisedimet me Serbinë. Pikërisht pas zgjedhjeve të fundit, kanë filluar të analizohen profilet e udhëheqësve të rinj të institucioneve të Bashkimit Evropian.

Ekipi i cili do ta udhëheqë BE-në, po vlerësohet jo aq regresist për sa i përket çështjes së Kosovës. Nga ky ekip, spikatet emri i Ursula von der Leyen, Ministre gjermane e Mbrojtes, e cila do ta kryesojë Komisionin Evropian. Der Leyen – sipas analistëve, ka mbajtur përherë një qëndrim pro Kosovës, madje edhe në disa situata mjaft kritike për vendin. Prej ekipit të përzgjedhur me më shumë skepticizëm portretizohet karakteri i Josep Borrell, shef i diplomacisë spanjolle. Ky do të jetë Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme të BE-së, ndërsa e kaluara në krye të një pozite në kuadër të një shteti që nuk e ka njohur Kosovën, sipas analistëve, mund të ketë ndikimin e vet.

Por Bodo Weber, ekspert gjerman për politika që ndërlidhen me Ballkanin, ka thënë se ky fakt nuk duhet të shihet me shqetësim me kosovarët. Në një intervistë për gazetaexpress ai ka thënë se zgjedhja e tij në këtë post, nuk do të ketë ndikim «të paktën jo negativ. Ndoshta do t’ia bëjë më të lehtë Beogradit për t’i ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, për të cilët ata e dinin tash e shumë vite se do të vinin në fund të dialogut politik». Për më tepër sipas Weber, ai do t’i ndih të dy vendet drejt përmirësimit të raporteve dhe njohjes graduale e reciproke.

E për sa i përket procesit, pakkush beson që ai mund të rifillojë, përderisa në lojë mbetet taksa. Për këtë të fundit edhe njëherë është bërë thirrje që të anulohet, dhe atë përsëri nga Komisioneri i BE-së Johanes Hahn. Hahn i ka bërë thirrje Prishtinës zyrtare, që nga samiti i Ballkanit Perëndimor, punimet e të cilit po zhvillohen në Poznan të Polonisë, që të reflektojë mbi këtë problem, i cili ka nevojë që të zgjidhet sa më parë që është e mundur.

Por në Kosovë aktualisht është duke mbretëruar një amulli për sa i përket procesit të bisedimeve. Ekipi Shtetëror i ‘akredituar’ nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, më nuk ekziston.  E bartjen e një procesi kaq të ndjeshëm, nuk është duke ia besuar askush askujt. «Vetëm një qeveri e re», e cila do ta kishte pas vetes një shumicë parlamentare (por jo të përbërë nga shumë subjekte politike), thonë deputetët e opozitës, do ta rifitonte besimin për ta udhëhequr një proces të tillë. /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeTema e DitësVendi

Të ngjajshmet