Kosova mbetet në vendnumëro?

Parlamenti i Republikës së Kosovës i ka shtuar aktivitetet këto ditë. Deputetët, po përpiqen të shfaqin disiplinë e përkushtim në punën e tyre. Si asnjë rast tjetër, disa komisione parlamentare, i kanë mbajtur sot takimet njëra pas tjetrës, e ku para tyre kanë raportuar edhe disa ministra – shkruan Gazeta e Re.

Fillimisht, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica, ka raportuar para Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Pas tij, në kuvend është paraqitur Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, e cila ka raportuar përpara Komisionit për Integrime Evropiane. Komisioni për Zhvillim dhe Infrastrukturë, për mungesë kuorumi, ka dështuar ta shqyrtojë raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe minerale – KPMM për vitin që iku. Në agjendën e kuvendit, janë edhe takimet e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim si dhe Komisionit për Legjislacion dhe Mandate, Imunitete, ku do të shqyrtohet raporti vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2018.

Një agjendë kaq të ngjeshur, kuvendi nuk e ka pasur tash e sa kohë. Në mbledhjen e mbajtur të Komisionit për Integrime Evropiane, Ministrja Hoxha ndër të tjera ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së MSA-së, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2016-të, duhet të dinamizohet.

“Qeveria pas një procesi gjithëpërfshirës konsultativ më 19 mars 2019, ka miratuar PKZMSA-në 2019-2023, bazuar  në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të ndara në 3 blloqe kriteresh: politike, ekonomike dhe standardet evropiane, duke përfshirë përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së” – është shprehur ndër të tjera ajo, duke shtuar se vëmendje e veçantë u është kushtuar tri aspekteve: Bashkëpunimit më të ngushtë me institucionet, konform reformave të propozuara në Program, Planifikimit të qëndrueshëm dhe realist, dhe Kostos buxhetore.

Plani, sipas saj, parasheh që në vitin 2019 të arrihet realizimi i 70% i reformave,  të paktën 280 masa afatshkurta, reformat institucionale janë të përfshira në këtë program. Kostoja e zbatimit të PKZMSA-së 2019-2023 për këtë vit është rreth 94.4 milionë euro, nga të cilat rreth 81.8 milionë euro nga buxheti i shtetit, rreth 12.6 milionë euro nga mbështetja e donatorëve (BE dhe donatorët bilateralë).

I tërë procesi është në duart e Qeverisë, Ministrisë së Integrimeve si dhe Kuvendit, përkatësisht Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Këto institucione pritet t’i shtyjnë përpara agjendat, drejt realizimit të qëllimeve, është thënë ndër të tjera në këtë mbledhje.

Por Qeveria e Kosovës ka qenë target i akuzave nga shteti fqinj, pikërisht për sa i përket MSA-së. Madje edhe zyrtarët e BE-së, nuk janë kursyer në këtë drejtim. Kjo ka ndodhur për shkak të taksës 100%, të vënë ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Në muajt e fundit, sipas raporteve institucionale e mediale, vendi ynë është duke eksportuar trefish më shumë mallra drejt Serbisë, se sa që është duke importuar.

Kosova në muajt e fundit ka importuar produkte serbe me vlerë 1.3 milion euro, ndryshe nga muajt janar e shkurt të një viti më parë, kur importonte mallra me vlerë prej mbi 60 milionë euro.

Për sa u përket eksporteve, mallrat kosovare e kanë kaluar kufirin dhe kanë shkuar drejt tregut serb, ndërsa kanë pasur vlerë prej 4.3 milionë eurosh, duke shënuar kështu një ngritje solide në këtë aspekt. Këto raporte i ka lavdëruar edhe partia opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, e cila është mbështetëse e taksës 100%. Zyrtarët e kësaj partie kanë përsëritur se anulimi apo shfuqizimi i saj, nuk duhet kurrsesi të ndodhë, tash për tash./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet