Kosova dhe Kroacia do të forcojnë edhe më tej lidhjen historike

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një takim me Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, në të cilin u diskutua për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Ky takimi u zhvillua në vazhdën e përgatitjeve për vizitën zyrtare të shefes së diplomacisë kosovare në Kroaci,  më datën 23 nëntor.

Ministrja Haradinaj-Stublla dhe Ambasadorja Barišić ishin njëzëri në domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit dhe lidhjes së fortë që ekziston ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës dhe popujve respektivë.

“Kroacia dhe Kosova ndajnë historinë e hidhur të rrugëtimit për liri dhe pavarësi, të cilin e kemi përjetuar së bashku. Edhe sot, përderisa Kosova po përballet me qasje revizioniste të vuajtjeve dhe historisë së saj, ka shumëçka për të mësuar nga Kroacia si vend dhe popull fitimtar ndaj luftës në Ish-Jugosllavi, tashmë shembulli më i mirë në rajon për integrimin Euro Atlantik”, u shpreh Ministrja Haradinaj–Stublla.

Pas takimit ajo i dhuroi Ambasadores Barišić broshën simbolike, e cila përfaqëson kauzën e viktimave seksuale gjatë luftës në Kosovë, një padrejtësi e cila i bashkon ende popujt tanë për vendosjen e drejtësisë së munguar.

Në takim u diskutuan edhe çështjet e zhvillimeve rajonale, pritshmëritë nga dialogu me Serbinë si dhe perspektiva Euro-Atlantike e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi